Real Madridi befason me reagimin pas triumfit të Harry Kane në garën për Topin e Artë
Kanali zyrtar televiziv i Real Madridit ka reaguar pas triumfit të Harry Kane në garën për Topin e Artë, duke e cilësuar të merituar fitoren e sulmuesit anglez përpara Kylian Mbappes.
Sulmuesi i Bayern Munichut është shpallur lojtari më i mirë i sezonit të kaluar, duke lënë pas yllin francez të Real Madridit në votimin për çmimin prestigjioz.
Ceremonia është transmetuar drejtpërdrejt nga Real Madrid TV, ku është ndjekur edhe momenti kur legjenda braziliane Ronaldo Nazario ka shpallur fituesin e çmimit.
Pavarësisht se shpresat e tifozëve madrilenë ishin te Mbappe, prezantuesi i kanalit zyrtar të klubit spanjoll e ka pranuar rezultatin dhe e ka uruar Kane për triumfin.
“Shpresat e tifozëve të Real Madridit, natyrisht, ishin te Kylian Mbappe. Epo, parashikimet dolën të sakta. Prandaj, urime lojtarit të Bayern Munichut! Urime reprezentuesit të Anglisë!”, ka deklaruar prezantuesi.
Ai ka theksuar gjithashtu se Mbappe do të ketë sërish mundësi për ta fituar këtë çmim në të ardhmen, duke vlerësuar se Kane e ka merituar triumfin.
“Sa i përket Kylian Mbappes, momenti i tij do të vijë përsëri. Urime Harry Kane. Kylian Mbappe kishte argumente të forta për ta fituar çmimin, por triumfi i Kane është padyshim i merituar”, është shprehur ai.
Në fund, prezantuesi e ka cilësuar sulmuesin anglez si një futbollist të jashtëzakonshëm, duke vlerësuar karrierën e tij.
“Harry Kane është një lojtar fantastik me një karrierë të jashtëzakonshme”, ka përfunduar ai.



