Reali e City sonte kërkojnë biletën e çerekfinales në Ligën e Kampionëve

06 mars 2024 | 11:40

Liga e Kampionëve do të vazhdojë sonte me dy ndeshje të tjera të së tetës së finales. Mbrëmë, Bayern Munichu dhe Paris Saint-Germaini e prenë nga një biletë për në çerekfinale.

Ndërsa sonte, një gjë të tillë do ta kërkojnë edhe Real Madridi dhe Manchester City.

Lideri i La Ligës dhe kampioni aktual evropian i fituan duelet e para përkatëse në fazën e parë eliminuese të Ligës së Kampionëve.

Kurse sonte do ta kërkojnë konfirmimin dhe kualifikimin në mesin e tetë më të mirëve të kësaj faze.

Madrilenët fituan në Gjermani me Leipzigun me rezultat 1:0 në duelin e parë, ndërsa sonte do të mundohen ta administrojnë këtë fitore dhe ta sigurojnë kualifikimin tutje. E një kapital edhe më të madh nga dueli i parë e ka kampioni aktual anglez.

“Citizens” e kishin fituar lojën e parë me Copenhagen në udhëtim me rezultat 3-1.

Andaj, të përzgjedhurit e Pep Guardiolës shihen si favoritë absolutë në “Etihad Stadium” për të ecur tutje.

Nga ana tjetër, ekipi gjerman dhe ai danez janë të vetëdijshëm se do ta kenë një mision mjaft të vështirë, për të mos thënë të pamundur. Sidoqoftë, ata do të tentojnë ta bëjnë mrekullinë dhe t’i befasojnë spanjollët, respektivisht anglezët.

Dy ndeshjet e sotme të së tetës së finales së Championsit do të nisin në orën 21:00.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka…