Reali fiton ndaj Levantes

24 shkurt 2019 | 22:43

Real Madrid është kthyer te fitorja në kampionat pas humbjes befasuese 2-1 të pësuar fundjavën e kaluar në shtëpi kundër Gironas.

Madrilenët kanë mposhtur me rezultatin 2-1 Levanten në transfertë falë dy penalltive të akorduara nga VAR. E para është dhënë në minutën e 43-të për një prekje të topit me dorë në zonën e rreptësisë edhe është transformuar në gol nga Karim Benzema.

Sulmuesi francez është i pagabueshëm në këtë sezon të La Liga-s nga pika e bardhë, duke shënuar të katër penalltitë e gjuajtura. Vendasit, që kanë goditur dy herë shtyllën në këtë takim, kanë barazuar me Roger në minutën e 60-të.

Episodi që ka vendosur takimin ka ardhur në minutën e 78-të, kur VAR ka dhënë një penallti të dytë në favor të madrilenëve pas një ndërhyrje të parregullt në zonën e rreptësisë ndaj Casemiros.  Te pika e bardhë është paraqitur Gareth Bale, i cili nuk ka gabuar, por që nuk ka dashur të festojë me shokët e ekipit pas golit. “Los Blancos” e kanë mbyllur ndeshjen me 10 lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Nacho.

Reali, që mban vendin e tretë në renditje, shkon në 48 pikë me këtë fitore, dy larg Atletico Madridit të vendit të dytë dhe nëntë larg Barcelonas kryesuese.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Shqipërisë do të rihapë importin e automjeteve me…