Reali për Mbappen e bën sulmin final në ditën e fundit të afatit kalimtar
Reali i Madridit është gati që të bëjë sulmin final për të transferuar Kylian Mbappe. Lajmin e ka dhënë gazeta spanjolle “AS”, e cila raporton se lëvizja e fundit e madrilenëve do të bëhet më 30 gusht, një ditë pas ndeshjes PSG-Reims, në ditën e fundit të merkatos.
“Galaktikët” janë gati që të ofrojnë nga 130 deri në 170 milionë euro dhe një mal me para për sulmuesin francez i cili është në përfundim të kontratës në fundin e sezonit. Mirëpo, sheikët nuk duan të dorëzohen dhe do të bëjnë gjithçka për ta mbajtur futbollistin. Në fakt, është çështje kohe, pasi Mbappe do të jetë i Realit, maksimumi në verën e ardhshme. Strategjia e Realit është e qartë, për të punuar në fshehtësi pa i tërbuar sheikët dhe pastaj do të ofrojnë një shifër, e cila do të jetë e vështirë për t’u refuzuar. PSG-ja, gjithashtu, ka nevojë për para, por nuk dëshiron ta humbasë futbollistin me vlerë zero në vitin e ardhshëm.
Edhe vetë Mbappe nuk do që të futet në luftë totale me ekipin e tij. Nga Madridi e kanë këshilluar që të mbajë një profil të ulët në deklaratat publike, por dëshira e tij është e qartë prej muajsh: Nuk do ta rinovojë kontratën dhe kërkon të veshë fanellën e Realit të Madridit. Problemi i madh për Florentino Perezin është që t’i bindë francezët të ulen në tavolinë, por Al Khelaifi nuk ka ndërmend ta bëjë këtë gjë.
Gjatë kësaj kohe kanë qarkulluar lajme kontradiktore sepse në fillim u tha se Reali e konsideron një çështje të mbyllur dhe nuk ka ndërmend të bëjë ofertë për Mbappenë, pasi PSG-ja nuk do të pranojë asgjë dhe do ta mbajë deri në fund.



