Recension i romanit “Misiri i vogël” të autorit Hysen Beqa

31 mars 2019 | 12:41

Nga: Ferdi Kamberi

Zakonisht kur flasim për romanet në kontekstin sociologjik ato akceptohen si formë e narracionit e cila një pjesë është fiksion dhe pjesa tjetër një realitet përmes së cilës autori përçon një mesazh. Konsiderohet si vepër e trillimit, narracion i prozës e cila përmes personazheve të paraqitura shpërfaq problemet në kontekstin social, dramatizimin e tyre, botëkuptimin, preokupimet, si dhe një imagjinatë sociologjike e cila reflekton gjendjen dhe efektet psikologjike, sociale, ekonomike, politike dhe kulturore të një shoqërie. Edhe romani i autorit Hysen Beqa me titull “Misiri i vogël”, qysh në fillim parapërgatit lexuesin shqiptarë se ky roman përmban karakter të ngjarjeve reale dhe fiktive të cilat mundohen që një ose tjetrën mënyrë t’i japin një kritikë sublime dhe konstruktive realitetit të cilën jetuam dhe jetojmë. Autori, madje në fillim të këtij romani thekson se “…ky roman nuk është autobiografik, por shumë prej ngjarjeve të disa kapitujve janë të lidhur me realitetin tim dhe tuajin, me vendim tim të punës dhe përditshmërinë tonë. Ngjarjet në roman, veçanërisht personazhi i Ilirit (i cili si emër në kontekstin socio – historik na ndërlidhet me paraardhësit e shqiptarëve Ilirët, kujtesën historike, mitologjike dhe sfondin kulturor të tyre,etj)është mishërim i jetës së gjithsecilit që jeton në këtë kohë” (H. Beqa, fq. 10). Romani përmban gjithsej 127 faqe dhe është botuar nga shtëpia botuese Armagedon në Prishtinë në vitin 2019.

Horizonti i së kaluarës dhe sfondi social

Në këtë roman pothuajse gjatë gjithë kohës personazhi kryesor është Iliri për të cilin autori shpeshherë flet në vetën e parë dhe të dytë. Në këtë kontekst, romani shpërfaq fëmijërinë e Ilirit në një fshat të Gjakovës qëbabait të tij Metie quante atë “Misiri i Vogël”, gjë që ka qenë edhe frymëzim i autorit për të titulluar këtë romanpo me këtë emër. Romani fokusohet në mënyrën e jetesës para vitit 1999, sistemin patriarkal të familjes, nuancat e realitetit të asaj kohe, raportet ndër shoqërore ndërmjet shqiptarëve, kohën e lirë dhe aktivitetet e të rinjve në mesin e tyre edhe të Ilirit, pastaj torturat e pushtetit serb qëçdo ditë rëndonin ndaj shqiptarëve duke i detyruar që t’i dorëzonin armët dhe që shpeshherë rezultonin se informatorët ishin kryesisht njerëzit e njohur, si dhe paraqet kontekstin e jetës së asaj kohe e cila edhe pse ishte e varfër me plot probleme dhe sfida, megjithatë kishte edhe disa nuanca, duke i dhënë kolorit disa vlerave të mirëfillta, solidaritetit në mes të njerëzve, altruizmit dhe ruajtjes me një fanatizëm të identitetit kombëtar dhe atij fetar.

Romani në pjesën e parë paraqet gjendjen e shqiptarëve të Kosovës që nga vitet ’70-ta e këtej, planet e Titos dhe idenë e “Bashkim – Vllaznimit” dhe masat afirmative për të krijuar një identitet “Jugosllav”,pastaj udhëton në kohë dhe fokusohet në masat e dhunshme të pushtetit të Millosheviqit, nevojën për edukim dhe shkollim të shqiptarëve dhe shkollimi i cili bëhej kryesisht ishin në shtëpitë private. Çështje tjetër për të cilin flet romani është edhe patriotizmi dhe guximii shqiptarëve përballë regjimit serb, si dhe lidhja e veçantëme SHBA-në e cila ishte e pranishme tek shqiptarët qysh herët. Lidhur me këtë autori në roman flet për mënyrën se si shumë shqiptarë në mesin e tyre edhe Meti (babai i personazhit kryesor Ilirit) mbanin simbole të ndryshme nga brendët amerikane, që ishte edhe një mënyrë për të shpërfaq një lidhje të veçantë me SHBA-në siç ishte rasti i Metit që kishte një armë të quajtur “Gold amerikan”. Autori këtë situatë e paraqet në formën e njëhermenautike, duke përshkruar situatën e asaj kohe me plot ndodhi dhe tregon se Meti ishte ftuar nga ana e policisë serbe për të dorëzuar armën dhe në mënyrë që mos të dorëzonte armën ishte detyruar që të shkonte te miku i tij Musai që ta ndërronte këtë armë me një armë tjetër dhe ta dorëzonte. Duke spikatur këtë raport me simbolet amerikane autori në mënyrë kontekstuale e përshkruan këtë situatë në këtë formë: “Meti i dha atij (Musait) në këmbim “Goldin” amerikan, ndërsa ish – pistoletën e vet, të cilën e dorëzoi tënesërmen në stacionin policor më të afërt. I kishte mbetur merak ai “Goldi” amerikan dhe nuk e hiqte dot nga goja, pasi e përmendte shpesh dhe i dhimbsej sikur ta kishte pasur të shenjtë” (H. Beqa, fq. 28).

Një qasje tjetër për të cilën romani flet është edhe koha e shpërfaqjes së luftës në anën e Gjakovës me rrethinë, ku autori në roman paraqet gjendjen e rëndë në atë kohë, dilemat hametliane “të jesh apo të mos jesh”, bombardimet e NATO-s, kolonat e njerëzve dhe rrugën për në Shqipëri të personazheve të trajtuar në roman, flijimin e njerëzve për liri, si dhe shumëçështje të tjera të cilat përjetuan personazhet e apostrofuara në roman.

Kthimi, liria dhe realiteti ynë shoqëror

Një pjesë e rëndësishme e këtij romani flet edhe për kthimin dhe shpeshherë dialogun dhe interdialogon përmes personazhit të Ilirit i cili mendonte se kishin fatin e njëjtë tëhebrenjve të cilët për mijëra vjet ishin bërë nomad. Andaj, autori në roman këtë situatë e përshkruan në këtë mënyrë: “Në shtetet përreth Kosovës ishin ngrehur kampe refugjatësh që dukeshin si kampe përqendrimi në kohën e holokaustit të stërmbushur me gra, burra dhe fëmijë qëprisnin në radhëçdo mëngjes e shtyheshin deri në rrahje për të kapur një copë bukë që punëtori i një organizate të huaj i hidhte nga rimorkio i kamionit” (H. Beqa, fq. 41). Pikërisht në këtë pjesë autori fokusohet në realitetin e Ilirit dhe të tjerëve që kishin humbur shpresën se një ditë mund të ktheheshin në Kosovë, si dhe gëzimin e tyre me tu njoftuar se armiku ishte ikur dhe forcat e NATO-s ishin të vendosura në Kosovë.

Romani trajton edhe çështjen e përjetimit të lirisë nga Iliri, rrugëtimin e tij drejtë shkollës së mesme, pastaj universitetit, jetën sociale, kulturore, fetare në Gjakovë, dialogun me përfaqësuesit e organizatave me profil fetar të cilat kishin ardhur në Kosovë kinse në emër të humanizmit, rrugëtimin dhe ngritjen e tij drejtë punësimit në administratën publike, martesën dhe krijimin e familjes së tij. Romani gjithashtu trajton edhe shumë ngjarje të cilat apriori ndërlidhen me personazhin kryesor të këtij romani me Ilirin dhe jetën politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore të tij dhe neve si shoqëri. Siç shihet autori përmes këtij romani siç e pohon edhe vetë, ka bërë një luftë të pamëshirshme kundër mentalitetit patriarkal të shoqërisë shqiptare, thyerjes së tabuve dhe se romani është edhe një thirrje në vete për ndryshimet të cilat duhet të bëhen në shoqëri dhe nevojën për një emancipim i cili apriori ndikon në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.

Prandaj, në pika të shkurtra jemi munduar që këtë roman ta analizojmë dhe recensojmë përmes skanerit sociologjik dhe shumë gjëra të cilat romani trajton i kemi lënëqëllimisht pa i vendosur në këtë skaner, në mënyrë që lexuesi shqiptarë ta lexojë, ta trajtojë dhe të vlerësoj në sfondin e mendimit kritik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tetë muaj pasi u largua nga drejtimi i Chelseat, Antonio…