Reçica: Jemi afër për t’i siguruar votat për demarkacionin

13 mars 2018 | 18:22

Ratifikimi i vijës kufitare me Malin e Zi pritet të bëhet këtë javë, pasi koalicioni qeverisës tanimë është shumë afër për të siguruar votat e mjaftueshme.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica, ka thënë se të gjithë liderët partiakë e institucionalë janë duke bërë punë intensive që demarkacioni të votohet këtë javë.

“Jemi duke punuar intensivisht, edhe liderët partiakë, edhe institucionalë, edhe deputetët veç e veç që për këtë javë të sigurohen votat për ta votuar demarkacionin me Malin e Zi, gjegjësisht për ta ratifikuar marrëveshjen. Besoj se jemi shumë afër për t’i siguruar votat”, ka thënë Reçica.

Ndërsa analisti Rrahman Paçarizi, ka vlerësuar se në këtë frymë politike të bojkotimit të seancave të Kuvendit nga deputetët, jo vetëm demarkacioni, por asnjë nga ligjet, madje as ato më të thjeshtat, nuk do të mund të procedohen për shqyrtim dhe miratim.

“Me këtë klasë politike kaq të papërgjegjshme jo vetëm demarkacioni, por asnjë çështje e rëndësishme nuk do të mund të kalojë apo do të kalojë me pasoja të paparashikueshme për të ardhmen e vendit”, ka thënë Paçarizi.

Kurse sa i përket deklaratave të shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti se legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës duhet të shpërndahet, Paçarizi ka thënë se deklarata të tilla bëhen për konsum të brendshëm dhe janë joserioze.

“Është e papranueshme që interesat politike t’i aktivizojnë, t’i mobilizojnë kaq skajshmërisht në raport me interesin e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës. Prandaj, deklaratat e zotit Hoti duhen trajtuar të tilla çfarë janë, deklarata për konsum të brendshëm”, ka thënë Paçarizi. (Telegrafi)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi ekzekutiv i Bayern Munchen, Karl-Heinz Rummenigge zbuloi planet e…