Regjistrimi i numrit të telefonit në Postë, bie numri i raportimeve të rrejshme

02 janar 2018 | 17:46

Regjistrimi i numrave të telefonit në Postë dhe me dokumente identifikimi ka bërë që edhe thirrjet e rrejshme dhe ato për të bërë shaka të zvogëlohen.

Ata që janë përballur më këso thirrjesh janë Policia dhe Zjarrfikësit.

Komandanti i Zjarrfikësve për rajonin e Prishtinës, Latif Zeka tha se vitin që shkoi (2017) janë raportuar vetëm 10 raste të rrejshme që kryesisht janë raportuar si djegie të shtëpive apo veturave.

“Është e vërtetë përpara ka ndodhur shumë a kohën e fundit sidomos këto dy vitet e fundit sidomos tri vitet e fundit prej që janë marrë numrat dhe emrat prej postës ka edhe rënie të madhe. Gjithsej i kemi 10 që nuk janë shumë për ne….Zakonisht lajmërojnë diçka ose shtëpi ose veturë është djegur, por kur shkojmë na ajo është e rrejshme dhe e evidentojmë na si thirrje e rrejshme”, tha Zeka.

Sipas tij, më herët brenda vitit ka pranuar deri në 60 thirrje me kërkesa interesante që dalin jashtë fushës së punës së zjarrfikëseve.

Po ashtu, ai tha se nga janari deri në nëntor të këtij viti kanë pranuar gjithsej 1919 thirrje apo dalje në numrin emergjent 193 ku kanë intervenuar për raste të ndryshme.

“Gjithsej i kemi pasur 1919 dalje për 11 muajt që kanë shkuar, domethënë ne i quajmë dalje profesionale…dalje profesionale janë të gjitha ato dalje të cilat kanë të bëjnë me shuarjen e zjarrit, aksidentet e komunikacionit, shuarjen e zjarreve fushore-malore, hapja e ashensorëve, shpëtim të njerëzve, shpëtim të kafshëve, tërheqje të automjeteve”, tha ai.

Lidhur me raportimet e rrejshme në Polici ka folur edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ai tha se ka raste kur qytetarët e Kosovës kërkojnë në Polici ndihmë për ujësjellës, shuarje të zjarreve, etj.

Por Kelani tha se këto kërkesa janë reduktuar shumë dhe është rritur numri i thirrjeve mbi problemet për nga natyra penale.

“Ka edhe një shifër e caktuar që i adresohen Policisë së Kosovës por që nuk bie në domen të punës së Policisë së Kosovës. Në shumicën e rasteve Policia e Kosovës mundohet që ato informacione edhe pse nuk janë në domen të policisë t’i kanalizoj apo t’i adresoj tek institucionet tjera përgjegjëse. Në raste të caktuara i bënë përmes thirrjeve që bënë në Polici, por në raste të caktuara, Policia angazhohet që të njofton institucionet tjera përgjegjëse për thirrjet që bëjnë qytetarët e Kosovës. Ju e dini që ende qytetarët bëjnë thirrje në Policinë e Kosovës për çështje të ndryshme qofshin ato të ujësjellësit, qofshin ato të zjarrit, qofshin ato atmosferike e shumë gjëra të tjera që nuk janë në domen dhe përgjegjësi të Policisë së Kosovës”, tha Kelani.

Edhe në Polici konfirmojnë se tash ka më pak thirrje të rrejshme se sa gjatë viteve të kaluara.

”Këto shifra të cilat kanë qenë për thirrje të rrejshme janë reduktuar bukur shumë dhe tani mund të themi që kemi një numër jashtëzakonisht të vogël të atyre thirrjeve që nuk kanë të bëjnë me Policinë, kryesisht është duke u rritur numri i thirrjeve mbi problemet që shfaqen në lokacionet e tyre, mbi rastet e natyrave të ndryshme penale, dhe fal këtyre thirrjeve dhe fal këtij bashkëpunimi ne po arrijmë që të kemi rezultate pozitive si në parandalim, njëkohësisht edhe në arrestim të kryesve të veprave të ndryshme penale”, tha Kelani.

Në vitet e mëhershme ka pasur thirrje nga qytetarët e Kosovës për çështje të ndryshme apo edhe për kërkesa qesharake të tyre që nuk kanë pasur të bënin fare me punën e Policisë, Zjarrfikëseve, Emergjencës etj. /KP/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka dhënë dorëheqje nga…