Reja: Të lejohen tifozët në ndeshjet e marsit

21 mars 2021 | 17:10

Pritja ka marrë fund dhe trajneri i Kombëtares Shqiptare, Edoardo Reja, ka publikuar listën me 28 futbollistët që ka ftuar t’i përgjigjen grumbullimit për tri ndeshjet eliminatore të Kupës së Botës Katar 2022.

Nuk mungojnë risitë në listën e publikuar nga tekniku italian, teksa është konfirmuar grumbullimi për herë të parë i fantazistit të Empolit, Nedim Bajrami. “Ka disa emra të rinj, për shembull Nedim Bajrami, i cili po paraqitet mjaft mirë tek Empoli dhe për herë të parë i bashkohet grupit. Me të i kemi nisur kontaktet prej një viti dhe shpresoj të jetë një vlerë e shtuar për Shqipërinë. Kemi thirrur, gjithashtu, edhe Mario Mitajn, i cili po spikat tek AEK-u në kampionatin grek dhe e kemi marrë të ambientohet, pasi është ende shumë i ri dhe e shohim si pjesë të rëndësishme për të ardhmen. Më pas kemi Çokajn, Kallakun, të gjithë lojtarë të ekipit Kombëtar U-21 dhe, gjithashtu, Kamberi, të cilin nuk e kemi pasur në dispozicion më parë për arsye të ndryshme, por mendoj se ka ardhur momenti i duhur që, më në fund, mund ta shohim në aksion me ne”, u shpreh trajneri.

Bekim Balaj dhe Armando Sadiku janë dy nga emrat e mëdhenj të kuqezinjve të lënë jashtë këtij grumbullimi, por është rikthyer pas disa kohësh Arlind Ajeti. “Ajeti po bën mjaft mirë në klubin e tij në Itali, ku po luan titullar dhe është në formë optimale, ndaj e kemi thirrur për ta zëvendësuar Dermakun, që ka qenë i dëmtuar prej muajsh. Më vjen keq që nuk kam thirrur lojtarë si Bekim Balaj, që kanë dhënë shumë për skuadrën, por më është dashur të krijoj hapësira për më të rinjtë që po luajnë rregullisht. Kemi grumbulluar vetëm 28 lojtarë. Lista jonë prioritare është me 38-40 futbollistë që i kemi vazhdimisht në vëmendje”, ka shtuar Reja.

Tekniku kuqezi shprehet se është mjaft i kënaqur me aktivizimin dhe formën e lojtarëve që ka grumbulluar për këto ndeshje eliminatore, teksa bën thirrje që të gjithë ta ruajnë përqendrimin maksimal për ndeshjen me Andorrën. “Që pas përfundimit të merkatos së janarit, thuajse të gjithë futbollistët e grumbulluar kanë luajtur rregullisht dhe çdo tri ditë, ndaj jam i bindur që vijnë në një formë fizike mjaft të mirë. Duhet ta ruajmë përqendrimin veçanërisht ndaj një kundërshtari si Andorra, pasi kemi gabuar edhe më herët ndaj tyre. Në këto eliminatore dua ta shoh rritjen e ekipit, pasi tani lojtarët e njohin më mirë njëri-tjetrin dhe kanë fituar më shumë përvojë edhe me klubet, ndaj besoj te një performancë e mirë edhe me kundërshtarë si Hungaria e Polonia”, u shpreh Reja.

Së fundi FShF-ja bëri edhe një përpjekje zyrtare për të marrë leje për praninë e tifozëve në stadium për ndeshjen me Anglinë, por mori përgjigje negative nga autoritetet shëndetësore, ndërsa vetë Reja theksoi se fansat kuqezi në shkallët e “Air Albanias” do të ishin një bonus për futbollistët në fushë. “Është një kërkesë e drejtë ajo e FShF-së, pasi me 30 % të kapacitetit është e mundur të ruhet edhe distanca fizike. E imagjinoni nëse do të kishte disa tifozë në një ndeshje me Anglinë dhe kënaqësinë e madhe që do të kishin futbollistët që, më në fund, do të shohin pak spektatorë në tribuna, të cilët do të kritikonin, do t’i motivonin, për të marrë pjesë në ndeshje, sepse futbolli pa publik nuk mund të ekzistojë. Shpresoj të bëhet i mundur ky lëshim, pasi do të ishte një rezultat i shkëlqyer”, u shpreh trajneri italian i kuqezinjve.

Rrugëtimi i kuqezinjve në këto eliminatore do të nisë nga Barcelona, një qytet shumë afër gjeografikisht me Andorrën, aty ku kuqezinjtë do të bëjnë edhe performancën e parë zyrtare më 25 mars, teksa vetëm tri ditë më vonë do të përballen me Anglinë në “Air Albania” e më pas do të luajnë sërish në transfertë, këtë herë ndaj San Marinos më 31 mars.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në Ditën Botërore të Sindromës Down, lideri i Vetëvendosjes,…