Reka: Luftimi i krimit të organizuar në Kosovë, ndau BE-në dhe ShBA-në

14 tetor 2021 | 17:09

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ka reaguar ndaj deklaratës së përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, i cili qortoi dje Kosovën për aksionin e Policisë kundër kontrabandës në veri.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se luftimi i krimit të organizuar në Kosovë, si duket ndau BE-në dhe anglo-amerikanët.

Ai ka shkruar se derisa Brukseli i kërkon Kosovës përmbajtje, Uashingtoni dhe Londra mbështesin Qeverinë e Kosovës për aksionin e fundit në veri.

Postimi i plotë i Rekës:

Luftimi i krimit të organizuar në Kosovë, si duket ndau BE-në dhe Anglo-Amerikanët.  Derisa Brukseli i kërkon Kosovës përmbajtje, Uashingtoni dhe Londra mbështesin Qeverinë e Kosovës për aksionin e fundit në veri.

BE-ja, që tash dy dekada kërkon nga shtetet e Ballkanit prova konkrete për sundim të ligjit, madje për këtë bllokoi edhe liberalizimin e vizave për Kosovën; dje i kritikoi masat qeveritare të Kosovës për zbatimin e tij. Borell përcjellë verbërisht “doktrinën e neutralitetit” për Kosovën nga autori i saj – bashkëkombasit të tij, Sollana.

Fundja edhe në Bërdo u pa, anëtarësimi i Ballkanit në BE, pos reformave të brendshme të shteteve kandidate, tash do të varet edhe nga reformat e brendshme të vet BE-së.

Ambasada amerikane dhe ajo britanike në Prishtinë, ndërkaq nuk kanë dilema se Qeveria e Kosovës zbatoi ligjin në tërë territorin e Kosovës dhe se kështu duhet të vazhdojë më tutje.

Derisa BE-ja preferon stabilokracinë, në vend të demokracisë, SHBA dhe Britania e Madhe i kthehen burimeve origjinale të demokracisë liberale: askush mbi ligjin.

Dallimi ka emër: demokraci vs. stabilokraci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili, i ka dhënë mbështetje kandidatit…