Reportazh nga Rehova, fshati i gurtë

26 gusht 09:04

Nga: Gladiola Hoxha

Vetëm dy kilometra larg Kolonjës, rrëzë malit të Gramozit, ndodhet fshati turistik i Rehovës. Destinacioni ynë është zgjedhja ideale për t’iu larguar vapës përvëluese të verës.

Rehova njihet si fshati i gurtë, fshati i shtëpive shpinë më shpinë; fshat që ruan vlerat urbanistike arkitektonike e që dëshmon qytetërimin e veçantë në Kolonjë ku spikat tradita, kultura, artizanati, trashëgimia e pasur, historia e mikpritja. Është ky një fshat ku turistët hanë së bashku me banorët, si të ishin një familje.

Ndalojmë fillimisht te bujtina e cila hapi për herë të parë dyert për turistët. Tashmë në të gjithë fshatin numërohen rreth 15 shtëpi, ku gjithsecila mirëpret turistë vendës e të huaj.

Turizmi këtu lindi në një formë të veçantë. Ka qenë pikërisht interesi dhe dëshira e të huajve për të qëndruar në këtë vend që nxiti vendësit të rikthehen në vendlindje e të investojnë në bujtina.

“Erdhën francezë në fillim dhe kërkuan. Na pyetën: ‘Prisni turistë apo jo?’. U thamë: ‘Me gjithë qejf’. Dhe kanë ardhur, i pritëm. Kanë ndenjur një natë, u ka pëlqyer. Pastaj kanë ndenjur dy net. Kur kanë qenë me familje kanë dashur që të punojnë me mua, bashkë për të gatuar; të shikojnë çfarë u bëjmë, si gatuajmë ne. Kjo ka qenë nisma e parë. Kanë ardhur turistë nga shumë vende. Nuk e kemi ndryshuar strukturën e shtëpisë që është bërë që më 1925”, thotë e zonja e bujtinës.

Bujtinat kanë ruajtur identitetin arkitektonik me elemente të gurit dhe të drurit, punuar me mjeshtëri. Por, çfarë ka Rehova për t’u vizituar? Çfarë mund të gjenin këtu turistët?

Karakteristikë e rehovallinjve është mikpritja. Të gjithë i hapin dyert e shtëpisë, edhe të huaj po të jenë; të dalin te porta dhe të ftojnë. Tjetër gjë është trashëgimia kulturore me qendrën historike të fshatit e rrugët karakteristike. Çdo shtëpi është me sokak. Pastaj, turistët në Rehovë gjejnë ajrin e pastër, klimën, natyrën rrëzë Gramozit. Gatimet tradicionale janë një tjetër arsye.

Për më shumë, shikojeni reportazhin e përgatitur nga Report TV.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një sërë shtetesh evropiane kanë tërhequr nga tregu akulloret me…