Reporteri i “The Daily Telegraf” me 20 studentë viziton Prekazin, Reçakun, Poklekun…

25 prill 2023 | 14:55

Kthimi i gazetarit dhe reporterit të luftës në Kosovë

Afrim Hysenaj

U kthye prapë në Kosovë pas 20 vjetëve. U kthye sepse e ndjeu dhimbjen e njerëzores për ata dhe ato që përjetuan tmerre nga milicia, ushtria dhe paramilitarët serbë në vitet 1998-1999. Ky që shihni në foto është gazetari Julius Strauss, i cili në kohën e luftës nga Kosova raportonte për  gazetën prestigjioze “The Daily Telegraf” në Britani të Madhe. Ishte ndër gazetarët e parë që me kamerë pati incizuar dhe raportuar nga vendi i krimit për masakrën e familjes Delijaj të Abrisë së Epërme. Nga ajo kohë Juliusi ishte miqësuar dhe mishëruar me katër fëmijët e mbijetuar të masakrës Deliu. Me Besnikun, atëherë pesëvjeçar, motrat e tij Arlindën, Liridonën dhe djalin e axhës, Albertin, që të tre të moshës katërvjeçare, të cilët të plagosur kishin mbijetuar nga masakra.

Ish-gazetari i luftës, tash profesor i gazetarisë, pas më shumë se 20 vjetëve, së bashku me studentë të gazetarisë nga vende të ndryshme evropiane (20 studentë), ka ardhur në Kosovë për t’i parë nga afër vendkrimet e forcave serbe ndaj popullatës shqiptare.

Julius Strauss, së bashku me njëzet studentë dhe vajzën e vet Emma, qëndruan në Kosovë nga data 17 prill deri më 23 prill 2023. Ata vizituan një pjesë të vendkrimeve serbe në Kosovë. Vizituan nënën Ferdonije Qerkezi në Gjakovë, Reçakun, Poklekun, Kompleksin Memorial dhe kullën e Jasharëve në Prekaz. Vizitën e përmbyllën në familjen Deliu në Abri të Epërme.

Për këtë vizitë kontribut të veçantë ka bashkëpunëtorja dhe përkthyesja e gjuhës angleze dhe frënge, znj. Lemane Kamberi, bashkë me Besnik Deliun dhe studentja Yllka nga gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, të cilët hartuan agjendën e kësaj vizite.

Isha i nderuar të isha pjesë e agjendës së tyre me datë 22 prill 2023 në Poklek, Prekaz dhe Abri. Ndalesën e parë e bënë në kompleksin përkujtimor në Poklek të Vjetër, ku u pritën nga kryefamiljarët e familjes, Fadil dhe Xhavit Muçolli. Së bashku vizituam shtëpinë-muze, aty ku është kryer një prej masakrave më mizore në shekullin 20, vrasja pastaj djegia e 53 civilëve shqiptarë, në mesin e tyre 23 fëmijë nga mosha 6 muajsh deri në 12 vjeç. Pranë atyre fëmijëve ndodhej edhe shkrimtari i letërsisë për fëmijë, Ymer Elshani. Edhe ai i vrarë dhe i djegur. Studentët shikonin me habi vendet e krimit dhe mbetnin gojëhapur çfarë dëgjonin. Disa prej tyre s’mund t’i ndalnin lotët. Ata merrnin shënime dhe pyesnin për shumëçka që kishte ndodhur atëkohë.

Ndalesa e radhës e tyre ishte në Prekaz, në monumentin më të rëndësishëm të luftës në Kosovë. Vëllai i komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rifat Jashari, i priti në kullë, u uroi mirëseardhje dhe u foli për ngjarjet e zhvilluara gati 25 vjet më parë.

Ndalesa e fundit e tyre ishte në odën e familjes Deliu në Abri. Në këtë familje më 26 shtator 1998 qenë masakruar 23 civilë shqiptarë. Pritje iu bë nga kryefamiljari Imer Deliu, i cili u rrëfeu për ngjarjen e 26 shtatorit. Në odën e Deliajve na u bashkëngjit edhe shkrimtarja dhe veprimtarja e çështjes kombëtare, profesoresha Nerimane Kamberi. Pritja në odë u bë në mënyrën tradicionale të shqiptarëve, me muzikë folklorike dhe me shprehje të mirënjohjes dhe të respektit.

Në emrin e familjes Muçolli, Jashari dhe Deliu dhe në emrin tim falënderoj shumë përzemërsisht Juliuss Strausin, ekipin prej 20 studentëve dhe bashkëpunëtorët e tij në Kosovë për vizitën e realizuar.

Miqtë tanë po bëjnë atë që ne si shoqëri nuk e bëmë për brezat tanë. Ata me vizitat e tyre po na i kurojnë varrtë e luftës për çlirimin e vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Punimet që po realizohen në stadiumin “Liman Gegaj” për të…