REPUBLIKA E ANONIMMUSËVE

11 maj 2026 | 12:20

Shkruan: Bedri Halimi

Një nga tragjeditë më groteske të kohës moderne është fakti se njerëzit që dikur nuk do të kishin guxuar të flisnin as në fund të odës, sot kanë gjetur një fron të ri: rrjetet sociale. Aty, pas një fotografie ujku, shqiponje, flamuri, aktori turk apo makine luksoze të marrë nga interneti, lind një specie e re “trimash”: propagandisti anonim.

Ai nuk ka emër.

Nuk ka fytyrë.

Nuk ka përgjegjësi.

Por ka mendim për gjithçka.

Dhe jo çfarëdo mendimi, ai posedon të “vërtetën absolute”. Të gjithë të tjerët janë tradhtarë, të shitur, spiunë, armiq të kombit, ndërsa ai, i fshehur pas pseudonimit “Shqiponja e Ilirisë”, “Dardani i Pathyeshëm” apo “Patrioti99”, paraqitet si rojtar i moralit kombëtar.

Është interesante se sa patriotë bëhen njerëzit sapo e fshehin fytyrën.

Në jetën reale mezi guxojnë të kundërshtojnë kamerierin kur ua sjell kafen gabim. Por në internet rrëzojnë qeveri, dënojnë njerëz, shpallin tradhtarë, organizojnë revolucione dhe bëjnë gjyqe publike me një arrogancë që edhe diktatorët do ta kishin zili.

Këta janë heronjtë e tastierës. Kalorësit e rremë të një lufte virtuale ku arma kryesore është shpifja ordinere.

Dhe shpifja, në epokën moderne, është bërë më e lirë se buka.

Mjafton një profil pa emër, një fotografi pa identitet dhe një tastierë. Pastaj fillon festivali i baltës. Sulmohen gazetarë, shkrimtarë, profesorë, mjekë, veprimtarë, artistë, çdo njeri që ka emër e fytyrë në publik. Sepse anonimët kanë një urrejtje të veçantë ndaj atyre që nuk fshihen.

Në thelb, propaganda anonime nuk lind nga forca, por nga inferioriteti. Njeriu që nuk ka arritur të bëhet askush në jetën reale, kërkon pushtet në botën virtuale. Dhe çfarë pushteti më të lehtë se ai ku nuk mban përgjegjësi për asgjë?

Ai shpif sot, nesër zhduket. Hap profil tjetër, emër tjetër, flamur tjetër, dhe vazhdon po të njëjtën punë si një hije që ndërron maska.

Më tragjikja është se shoqëria jonë ka filluar t’i marrë seriozisht këto fantazma digjitale. Njerëzit lexojnë komente anonime sikur të ishin analiza akademike. Një shpifje e shkruar nga një profil pa emër qarkullon më shpejt se një e vërtetë e dokumentuar. Dhe kështu krijohet një ambient toksik ku reputacioni i njeriut mund të vritet nga dikush që nuk ka kurajë as ta tregojë fytyrën.

Kjo është forma më e ulët e “guximit”: të godasësh nga errësira.

Në kohët e vjetra, edhe armiku dilte në shesh me emër. Kishte kod, kishte përgjegjësi, kishte nder. Sot, shpifësi modern fshihet pas ekranit si hajdut nate. Ai nuk debaton, ai sulmon. Nuk argumenton, por etiketon. Nuk mendon, por ulërin.

Dhe sa më bosh të jetë mendërisht, aq më brutal bëhet në gjuhë.

Në fakt, anonimët nuk kanë qëllim të bindin me argumente. Ata duan të lodhin, të ndotin, të krijojnë mjegull morale ku askush nuk dallon më të vërtetën nga gënjeshtra. Kjo është propaganda më primitive: përsërite baltën derisa njerëzit të harrojnë fytyrën e pastër.

Shumë prej tyre flasin për moral, komb, patriotizëm e tradhti, ndërsa vetë nuk kanë as minimumin e moralit qytetar: përgjegjësinë për fjalën publike. Sepse fjala pa emër është si plumbi nga prita, godet fshehurazi dhe ikën pa lënë gjurmë.

Kjo epidemi anonimiteti nuk është vetëm problem kulture; është problem politik dhe shoqëror. Shoqëritë që ushqehen me propagandë anonime fillojnë të humbin besimin te debati i ndershëm. Në vend të argumentit vjen britma. Në vend të mendimit vjen linçimi virtual. Në vend të qytetarit vjen turma digjitale.

Dhe turma është gjithmonë armiku më i madh i arsyes.

Në këtë republikë anonimësh, më shumë zë ka profili pa fytyrë, sesa njeriu me jetë dhe vepër. Më shumë duartrokitje merr shpifësi sesa studiuesi. Më shumë klikime merr helmimi publik sesa mendimi i thellë.

Por kjo nuk është shenjë force e anonimëve. Është shenjë dobësie e shoqërisë.

Sepse një shoqëri serioze nuk i beson njeriut që fsheh emrin kur akuzon tjetrin publikisht. Nuk i jep peshë moralit të atij që nuk guxon të mbajë përgjegjësi për fjalën e vet. Nuk e ngatërron zhurmën me të vërtetën.

Në fund, anonimët mbeten çfarë janë: hije pa identitet që kërkojnë rëndësi përmes baltës. Ata mund ta ndotin përkohësisht ajrin publik, por nuk mund të ndërtojnë as mendim, as vlerë, as histori.

Sepse historia nuk mbahet mend për ata që shpifën nga errësira, por për ata që patën guximin të dalin në dritë me emrin dhe fytyrën e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës, u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që…