Revoltë në Francë, digjen dhjetëra makina, arrestohen mbi 150 persona

29 qershor 2023 | 08:41

Janë intensifikuar ndjeshëm protestat në Paris dhe qytete të tjera franceze pas vrasjes së 17 vjeçarit Nahel dy ditë më parë nga policia, pasi nuk ndaloi në një postbllok.

Dhjetëra makina, dyqane e kosha mbeturinash u dogjën, teksa policia raportohet të ketë arrestuar më shumë se 150 persona që kishin dalë në rrugë kundër dhunës, për të dytën natë radhazi.

Tensionet e para u regjistruan në Toulouse dhe në Lille ku protestuesit sulmuan me sende të forta dhe fishekzjarrë policinë. Pak pas mesnate protestat u përshkallëzuan në periferi të Parisit, por edhe në qytete të tjera të mëdha si Lion apo Touluse. Pas akteve të dhunës, presidenti Emmanuel Macron thirri në takim njësinë ndërministrore të krizës.

“Një natë dhune e padurueshme kundër simboleve të Republikës: bashkitë, shkollat ​​dhe stacionet e policisë u dogjën ose u sulmuan”, shkroi në Twitter ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin.

Më shumë se një duzinë makinash dhe disa kosha plehrash u dogjën dhe barrikada u shfaqën në rrugë. Protesta vazhdoi gjatë natës në Paris, ku policia iu përgjigj hedhjes së gurëve me gaz lotsjellës.

Në Clamart, një tramvaj u dogj dhe në Essonne, në jug të Parisit, një grup njerëzish i vunë flakën një autobusi pa njeri brenda. Në Seine-Saint-Denis, një departament në veri-lindje të kryeqytetit, ka pasur akte të shumta vandalizmi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Inteligjenca amerikane ishte në dijeni të planeve të Yevgeny Prigozhin…