Rexha: Me rikthimin tim Drita rikthen titullin

25 janar 2020 | 18:19

Kastriot Rexha në dy vjetët e fundit arriti ta fitojë titullin e kampionit me Dritën dhe Feronikelin dhe synim ka që edhe në këtë edicion të shpallet sërish kampion.

Lojtari më i mirë në Superligën e Kosovës për vitin 2019, Kastriot Rexha, ndërpreu bashkëpunimin me Feronikelin, pas insistimit të klubit nga Drenasi për ta ndërprerë kontratën. Ofertat për sulmuesin më të mirë në vend nuk munguan nga shumë klube që pretendojnë titullin e kampiones, por Rexha vendosi ta pranojë ofertën e Dritës.

Sulmuesi prishtinas të premten për “Epokën e re” ka treguar arsyet pse vendosi që të rikthehet në Gjilan. “Pas ndërprerjes së kontratës me Feronikelin, ofertat nuk munguan, por ajo e Dritës ishte shumë serioze dhe fakti se kam luajtur në këtë klub edhe më herët dhe kemi fituar edhe titullin pas shumë vitesh ndikuan që ta pranoj këtë ofertë. Kam kaluar mirë në të kaluarën dhe kemi arritur suksese së bashku, prandaj rikthimi im është që sërish të shpallemi kampionë”, ka thënë Rexha.

Sulmuesi që mori edhe çmimin e golashënuesit më të mirë në Superligë dhe ishte i përfshirë në formacionin më të mirë të vitit e ka ripërsëritur edhe një herë se vendimi i drejtuesve të “Niklit” ishte befasues, pasi shumica e lojtarëve të larguar ishin pjesës e sukseseve. “Fillimisht më ka befasuar vendimi i klubit sepse shumica nga lojtarët ishin bartës të sukseseve. Megjithatë, e falënderoj Feronikelin për bashkëpunimin dhe korrektësinë e treguar, por jam shumë krenarë me atë që kam dhënë për këtë klub”, ka shtuar ai.

Përfaqësuesja e Kosovës në këtë muaj e zhvilloi një ndeshje miqësore me Suedinë, por Rexha nuk bënte pjesë në formacion, ani pse trajneri Bernard Challandes kishte ftuar 13 lojtarë nga Superliga. Lidhur me këtë mungesë, Rexha ka deklaruar: “Kam fituar të gjithë titujt e mundshëm në Kosovë dhe kam përvojë edhe në futbollin e Shqipërisë dhe besoj se e kam merituar një ftesë të tillë, por gjithmonë edhe në nivel klubesh i kam respektuar vendimet e trajnerëve, prandaj e respektoj edhe vendimin e Challandesit”.

Sulmuesi që ka bërë karrierë edhe në klubet si Prishtina, Besa e Pejës, Trepça ’89, Hysi dhe 2 Korriku nuk ka dashur të flasë shumë rreth skuadrave që janë favorite kryesore në garën për titull. Ai ka parashikuar se lufta do të jetë shumë e fortë për këtë trofe dhe se në fund triumfuese do të dalë skuadra e Dritës.

Skuadra e Dritës të premten paradite ka udhëtuar drejt Turqisë për ta vazhduar fazën përgatitore për sezonin pranveror. “Aska Lara Resort do të jetë vendi ku do të akomodohet ekipi për njëmbëdhjetë ditë dhe gjatë kësaj kohe janë paraparë edhe tri takime kontrolluese”, thuhet në njoftimin e klubit gjilanas.

Drita është e përqendruar vetëm në garën për titull, pasi tashmë është eliminuar nga gara e Kupës. Kjo skuadër sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e tretë në tabelë me 31 pikë, tri pikë më pak se skuadra kryesuese e elitës, Ballkani.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i ka shkuar në konak…