Rexhep Mala kaloi burgjeve të rënda

13 mars 12:07

Idealizmi urban i heroit Rexhep Mala në disa pamje (2)

Izmi Zeka

Jorastësisht përmenda njerëzit që kanë punuar dhe janë angazhuar për t’i dënuar intelektualët dhe patriotët shqiptarë të cilët punonin për çështjen kombëtare, por edhe për perspektivën evropiane të shqiptarëve. Shikuar nga këndi kohor, del se shqiptarët e asaj kohe, të brumosur me patriotizmin jugosllav, dënonin dhe sakatonin djalërinë shqiptare, vetëm pse kërkonin të drejtat e tyre legjitime.

Nga ky rezon gjeneratat e sotme duhet të dinë për të gjithë ata të cilët i shërbyen një pushteti të huaj, por edhe të cilët dënuan pamëshirshëm rininë tonë dhe djalërinë e Kosovës. Në këtë kontekst askush më mirë nuk e paraqet gjendjen në burgjet jugosllave, torturat që u bëheshin, por edhe dënimet drakonike që u jepeshin shqiptarëve sesa Rexhep Mala.
Rexhep Mala ishte konsekuent në qëndrimet e tij dhe i pakompromis ndaj armikut apo qartësuar më thjesht ndaj pushtetit Jugosllavë që shtypte shqiptarët në mënyrë të pamëshirshme

I burgosuri i viteve ’70/’80 vendosi hapat e një lëvizje gjithëkombëtare së bashku me Ilmi Ramadanin, Hydajet Hysenin, Mehmet Hajrizin dhe Kadri Zekën. Autori i parathënies, Gëzim Vranina sipas të gjitha gjasave, është pseudonimi i tij, sepse libri me kujtime kur u botua ishte kohë e pakohë dhe Kosova ende qëndronte e pushtuar nga Serbia, andaj edhe unë e paraqita po me këtë emër për të ruajtur kohën dhe për të treguar, apo për të parë se çfarë gjendje ka qenë aso kohe, dhe se për çfarë mund të dënoheshe apo edhe të ndiqej kudo që ishe.

Në këtë parathënie ndër të tjera shkruhet: “Është e ditur se djemtë e popullit nuk vdesin kurrë, vazhdojnë të jetojnë në kujtimet e shumta që kanë lënë gjurmë në kohë. Po kështu ndodhi edhe me shokun Rexhep Mala, njërin prej bijve më të mëdhenj që lindi populli ynë në këtë gjysmëshekulli, i cili jo vetëm me jetën e tij të furtunshme, jo vetëm me vdekjen e rrufeshme por edhe me penën e tij, arriti t’i sfidojë armiqtë e përbetuar dhe pushtuesit”.
Autori i parathënies, paraqet tri komponentë të rëndësishme për Rexhep Malën, e që në disa raste nuk janë përmendur apo janë përmendur shkarazi.
Komponenti i parë ishte angazhimi i tij deri në flijim.

Komponenti i dytë kishte të bënte me qëndrimin e tij në burgjet jugosllave sepse ai ishte i pathyeshëm, ndërsa komponenti i tretë që formëson pikturën e Rexhep Malës, është ngritja dhe niveli i tij intelektual që për kohën dhe mënyrën e veprimit paraqet filozofinë akademike në shërbim të atdheut, të shqiptarëve kudo që jetonin.
Gjykimi që ishte bërë për intelektualët, ku në mesin e tyre edhe Rexhep Mala ishte në përballje me padrejtësinë por edhe me torturat çnjerëzore që i bënin UDB-ashët shqiptarë. Më ekzakt këta njerëz të profilit të shërbëtorit Jugosllav i paraqet Sheradin Berisha në jetën dhe veprimtarin e Rexhep Malës si në vijim:
“Hetimet torturuese në këtë proces të montuar politik i kanë kryer këta udbash:
1. Jusuf Karakushi
2. Pavle Jelisaviq
3. Mehmet Haskaj
4. Ibush Kllokoqi
5. Drago Dragojeviq
6. Muharrem Dana
7. Sllobodan Mijoviq
8. Asllan Sllamniku
9. Shefqet Hashani
10. Bafti Jakupi,
11. Svetisllav Dollasheviqi
12. Zenun Shala
13. Naip Hoxha
14. Refik Tashi
15. Metush Sadiku
16. Zejnullah Shala
17. Hasan Mehmeti
18. Shefqet Obria
19. Faik Nura
20. Rajko Çalloviqi
21. Metë Kuqi
22. Ramçe nga Prizreni… etj”

Jo rastësisht i përmenda apo edhe citova me emra për të ditur opinion i gjerë për ata njerëz që pamëshirshëm dërmuan intelektualët dhe patriotët shqiptarë gjatë viteve ‘75/’76 e më tutje.

Rexhep Mala kaloi burgjeve të rënda ku arrin në mënyrë kronologjike të paraqes jetën dhe të bëjë përshkrimin e ngjarjeve të rënda të ballafaqimit me politikën e egër. Brenda katër mureve të burgjeve jugosllave, në ditarin e tij ai shkruan: “Një polic, që të nesërmen do të mësoja që është hetuesi im kryesor, kur hyri brenda më pyeti: “Ti je Shpëtim Guri a?” Po i thash. Duke u zgërdhirë si qen më tha: “nëna në shtëpie bën miellin bukë, e ne këtu e bëjmë bukën miell!” Qeshi me fjalët e veta si i marrë dhe iku. Mu kujtuan fytyrat e gestapos hitleriane që kisha parë në filma. Kurrfarë dallimi nuk kishin prej tyre kriminelët e UDB-së. Siç mësova më vonë, ky ishte gjakpirësi Asllan Sllamniku”.

Ishte dita e parë e burgosjes së Rexhës. Trajtimi që bënë Rexhep Mala në librin Qëndresa torturat dhe presioni, ishin më shumë se luftë e kryqëzatave apo edhe kampeve gjermane.

Në këtë shfryrje zakonisht merrnin pjesë shqiptarët të cilët punonin për një pushtet të huaj dhe nuk dinin për asgjë qoftë as edhe për zotin që ekziston. Rexhepi katërçipërisht jep pasqyre reale përmes qëndrimit të tij refleksionet për të burgosurit shqiptarë dhe trajtimin që u bëhej atyre në burgjet e ndryshme famëkeqe të Jugosllavisë. Leximi i përjetimeve të Rexhës në burgjet jugosllave dekonspiron por edhe i jep formë edhe përmbajtje represionit por në të njëjtën kohë edhe qëndresës së tyre përball bishave të egra.

Jo rastësisht Rexhep Mala shquhet si njëri prej të burgosurve të çeliktë të pasluftës së Dytë Botërore nëpër kazamatet jugosllave. Arrin të shpjegojë në mënyrë analitike përmes përjetimit të tij, një sistem i cili qëndronte i mbështetur mbi dhunën dhe forcën, si mjet për zgjidhjen e çështjeve të caktuara.

Burgosja e Rexhepit nuk ishte rastësi, ku ndër të tjera shkruan: “Rashë në sy që nga bankat e shkollës fillore si liridashës, sepse doja popullin tim, historinë e tij të lavdishme, sepse doja Kosovën time dhe simpatizoja me gjithë shpirt Shqipërinë. Dhe u mjaftoi kjo të më fusin në burg”.
Nga rezoni i sotëm është çmenduri çfarë është bërë mbi popullin shqiptarë, kurse nga rezoni i kohës për politikat shfarosëse ishte krejt normale ky funksionim apo edhe humbja e të drejtës për jetë dhe për të qenë i lirë. Rexhepi paraqet simbolin e pasluftës së dytë botërore që shikuar nga këndi historik, kapërcen kohërat, duke u vetëflijuar për të tjerët dhe të ardhmen e shqiptarëve kudo.

Ishte i pajisur me njohuri atdhetare dhe intelektuale, njohuri këto që e bënë edhe më të fuqishëm në filozofinë që i kishte shtruar vetës dhe idesë së shtetit. Prandaj edhe qëndrimi i tij në burg, s’ka se si të mos ngjasoj në filozofi të ngritjes edhe atëherë kur rreziku ishte përtej normales. I ngjasonte luftës së mbijetesës kolektive e historike.

Për të parë dhe vërtetuar se si Rexhep Mala ishte brumosur në rrugën e nisur, shkruan edhe Ramadan S. Latifaj. “Pa dyshim se Rexhep Mala ishte njeri ndër trimat më të mëdhenj kosovarë që pas LDB-së i parapriu luftës së armatosur të popullit shqiptar të Kosovës për çlirim nga armiku shekullor serbo-sllav. Andaj Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Tahir Meha, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Ali Ajeti e Bajram Bahtiri e shumë të tjerë, u shndërruan në një ushtri të madhe, më të pjekur e më të organizuar, e cila do të bëhet realitet vite më vonë, me çka edhe gjaku i tyre, bashkë me amanetin që patën sikur do të përmbushet në një masë nga shokët e tyre të idealit”. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Teknologjia vitet e fundit ka sjellë ndryshime të mëdha, duke…