Rexhep Qosja: Fjalori Enciklopedik i ASHAK-ut, vepër antikombëtare

17 tetor 2018 | 19:03

Akademik Rexhep Qosja ka kritikuar ashpër Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, të cilin para disa ditësh Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (AShAK) e ka nxjerr në treg.

Ai ka thënë se ky fjalor është kundër kombëtar.

Sipas akademikut Qosja, ky fjalor është përmbushje e konceptit serb mbi ndarjen e kombit shqiptar.

“Në këtë fjalor, në të vërtetë cenohet plotësisht, dhe të them qëllimisht, njësia e historisë, gjeografisë, e kulturës dhe e qytetërimit shqiptar, e historisë politike, e arteve, e shkencave, e traditës dhe jetës kombëtare në përgjithësi në histori. Në këtë mënyrë, fjalori në fjalë bëhet përmbushje e konceptit serb mbi ndarjen e kombit shqiptar në dy kombe: në kombin e shqiptarëve të Shqipërisë të quajtur ‘Albansi’; dhe të kombit të shqiptarëve të Kosovës të ish-Jugosllavisë në përgjithësi të quajtur ‘shiptari’ ose ‘shiftari’”, ka thënë Qosja në një intervistë për “FaktePlus”.

Ai ka thënë se ky fjalor dëshmon mjerimin profesional, shoqëror dhe politik të udhëheqjes së akademisë.

“Cenimi i këtillë i njësisë së kombit e bën fjalorin në fjalë vepër kundër kombëtare që e komprometon vetëdijen historike, shkencore dhe kombëtare të shqiptarëve në përgjithësi e të Kosovës në veçanti. Ky fjalor e ka dëshmuar kështu mjerimin profesional, shoqëror dhe politik të udhëheqjes së akademisë. Ky fjalor është fryt i zi i privatizimit partiak të Akademisë. Ky fjalor është fryt i zi i korrupsionit të pandalshëm, të pamënjanueshëm, të lejueshëm në këtë institucion, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”, ka thënë Qosja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka…