
Riad Rashiti i PDK-së: Me qeverisjen time bursat për studentët e Gjilanit do të jenë 1000 euro
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Gjilanit, Riad Rashiti, ka premtuar se me ardhjen e tij në qeverisje, studentët gjilanas do të përfitojnë bursa në vlerë prej 1000 euro.
Premtimin e tij, Rashiti e ka bërë publik gjatë një takimi me rininë e Gjilanit, ku theksoi se rinia do të ketë rol kyç në zhvillimin e qytetit.
“Me qeverisjen time bursat për studentët e Gjilanit do të jenë 1000 euro. Në Gjilan po merr fund një periudhë e mbrapshtë. Rinia jonë meriton shumë më tepër. Me qeverisjen e PDK-së, rinia do të jetë pjesë e vendimmarrjes, për veten e saj dhe për të mirën e gjithë qytetarëve të Gjilanit. Me qeverisjen time, rinia nuk do të mbetet spektatore, por do të jetë forca kryesore e zhvillimit dhe perspektivës së një qyteti që e meritojmë të gjithë”, u shpreh Rashiti.
Ai gjithashtu falënderoi të rinjtë për përkrahjen dhe mobilizimin e treguar, duke u zotuar se PDK do të ofrojë kushte më të mira për studentët dhe rininë e Gjilanit.