Rikthehet futbolli me ndeshjen Prishtina-Drenica

02 qershor 2020 | 09:45

Futbolli në Kosovë rikthehet me ndeshjen gjysmëfinale të Kupës në mes të Prishtinës dhe Drenicës. Të dyja klubet kanë synime të mëdha në këtë ndeshje për faktin se duan të kualifikohen në finale të kësaj gare. Trajneri Gani Sejdiu me Drenicën për ndeshjen në kryeqytet synon të paktën një barazim në mënyrë që në ndeshjen kthyese në Skenderaj të ketë më të lehtë kualifikimin në finale. 

Sot (e martë), pas një pauze gati tremujore për shkak të koronavirusit, do të nisin ndeshjet në futbollin e Kosovës. Ndeshja e parë është ajo e gjysmëfinales së parë të Digitalb Kupës së Kosovës në mes të Prishtinës dhe Drenicës, e cila zhvillohet nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Trajneri i klubit kuqezi nga Drenica, Gani Sejdiu, të hënën për “Epokën e re” ka thënë se ndeshja që zhvillohet në kryeqytet është e vështirë për klubin nga Skenderaj, por synim është një rezultat pozitiv në mënyrë që në ndeshjen e kthimit të arrihet fitorja dhe kualifikimi në finale të Kupës. “Lajm i mirë është se po kthehemi për t’i zhvilluar ndeshjet, por do të jetë një problem i madh për faktin se po kthehemi pas një pauze të gjatë. Gjendja fizike e futbollistëve është ajo që më shqetëson më së shumti. Pa dyshim se nuk duhet të harrojmë se kundërshtar kemi një ekip të fortë si është Prishtina. Kundërshtari ka filluar më herët përgatitjet, por ne nuk jemi të dorëzuar. Motivi në klub është i madh që të nxjerrim rezultat pozitiv dhe në ndeshjen e kthimit të dalim fitues dhe ta sigurojmë finalen. Një problem tjetër për klubin tonë është mungesa e sulmuesit kyç Alban Shillova, i cili nuk ka të drejtë loje kundër Prishtinës”, ka thënë Sejdiu për “Epokën e re”.

Për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës ka folur edhe kapiteni i Prishtinës, Armend Thaqi. Mbrojtësi i djathtë i skuadrës kryeqytetas ka thënë se finalja e Kupës është synim i Prishtinës, prandaj në këtë ndeshje synohet rezultat sa më pozitiv për t’ia arritur këtij qëllimi. “Po fillojmë sërish, pas një pauze jo të dëshiruar, e pas përballjes me pandeminë globale, duke shpresuar se tani më e kemi tejkaluar. I kthehemi ndeshjes së parë kundër një kundërshtari të vështirë siç është Drenica. Tradicionalisht vuajmë kundër Drenicës sepse ka ekip të mirë dhe lojë të rrjedhshme tani e disa vite rresht. Ne hyjmë në ndeshje për rezultat sa më pozitiv për ndeshjen e kthimit. Të gjithë e dinë synimin tonë, që ta arrijmë finalen e t’u afroheshim shumë garave ndërkombëtare”, ka thënë Thaqi.

Gjysmëfinalja e parë e ndeshjes tjetër në mes të Ballkanit dhe Feronikelit zhvillohet të mërkurën nga ora 16:00 në Suharekë. Siç dihet, skuadra fituese e Kupës së Kosovës e prezanton Kosovën në garën e Ligës së Evropës, kurse fituese në fuqi i kësaj gare është skuadra e Feronikelit nga Drenasi.

DIGITALB KUPA

Të martën takohen:
18:00 Prishtina – Drenica

Të mërkurën takohen:
16:00 Ballkani – Feronikeli

(Veton ZYMBERI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka thënë që një nga…