Rinis kursi i italishtes si lëndë e obligueshme në Fakultetin e Filologjisë

09 dhjetor 2018 | 20:56

Në Fakultetin e Filologjisë, të hënën, më 12 dhjetor, rinis kursi i italishtes si lëndë e obligueshme për ata që duan ta mësojnë italishten si gjuhë të dytë në vitin e parë të studimeve, ndërkaq do të mund të marrin pjesë edhe studentët që duan ta mësojnë italishten si lëndë zgjedhore (fillimisht vetëm brenda departamenteve të Filologjisë).

Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se rinisja e mësimit të italishtes nënkupton edhe rifillimin e punës së Institutit të Gjuhës dhe të Kulturës Italiane në kuadër të UP-së, i themeluar disa vjet më parë në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Kosovë.

Ajo ka treguar se instituti do ta bashkërendisë veprimtarinë e tij së bashku me Drejtorinë e Institutit të Kulturës Italiane në Tiranë dhe me Ambasadën e Republikës së Italisë në Prishtinë.

Dekanja Lindita Rugova ka theksuar se Fakulteti i Filologjisë dhe UP-ja në përgjithësi në dy vjetët e fundit kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me disa universitete italiane që përgatisin kuadro të italishtes për të huajt (Venecie, Peruggia, Napoli, Kalabria) dhe synojnë që të ngrehet niveli i mësimit dhe i studimit të italishtes në Kosovë, por edhe i gjuhëve të tjera të grupit të romanistikës në përgjithësi, e që nuk ofrohen për nivelin universitar (siç është spanjishtja dhe portugalishtja).

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
24 automjete ushtarake “Humvee” kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara…