Ritenderimet në Shqipëri, 5.5 milionë euro më pak (Video)

23 janar 2019 | 22:25

Përsëritja e tenderit të linjës elektrike Burrel-Peshkopi pas skandalit me kompaninë “DH Albania” ka rezultuar me çmime ndjeshëm më të ulëta.

Ashtu si në rastin e “Unazës së Re”, edhe për linjën Burrel-Peshkopi ofertat kanë rënë deri në 20 për qind, duke konfirmuar dyshimet se herën e parë tenderët kanë qenë thuajse të paracaktuar dhe pa garë.

Në tenderin e anuluar, pas shpërthimit të skandalit me falsifikimin e dokumenteve, kompania “DH Albania” e fitoi kontratën për ndërtimin e lotit të parë me një çmim prej 1 miliardë e 206 milionë lekë ose 9.7 milionë euro pa TVSH.

Por, në tenderin që u zhvillua këtë të martë, kanë marrë pjesë pesë kompani dhe ofertat kanë zbritur ndjeshëm.

Sipas dokumenteve të siguruara nga “Top Channel”, kompania “Shansi Invest” ka ofruar ta ndërtojë linjën me një çmim 1 miliard lekë ose 8 milionë euro pa TVSH. Pra, 1.7 milion euro më pak nga çmimi me të cilin e fitoi “DH Albania”.

Megjithatë, këto janë vetëm ofertat financiare, pasi si Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSh), ashtu dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) nuk i kanë shpallur ende fituesit dhe janë duke verifikuar nëse dokumentet janë në përputhje me kriteret e tenderit.

Por, bazuar mbi ofertat më të ulëta, përsëritja e tenderit për lotin e parë të unazës dhe linjën 220 kilovolt Burrel-Peshkopi e kanë ulur koston e këtyre dy veprave me 5.5 milionë euro në total, para’ të cilat, nëse nuk do të ishte zbuluar skandali i kompanisë “DH Albania”, do të “fluturonin” në llogari “offshore” ose rryshfete zyrtarësh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian (BE), Johannes Hahn, në…