Rituali për të ‘Enjten e Madhe’, Papa ia lan dhe ia puthë këmbët grave të burgosura

28 mars 2024 | 22:24

Kreu i Kishës Katolike Romake, Papa Françesku, lau sot këmbët e 12 grave në një burg në Romë, si pjesë e një rituali për të shënuar të “Enjten e Madhe”, që i paraprin Pashkëve.

Gjatë ditës, argjentinasi shkoi në burgun e grave Rebibbia, në periferi të Romës dhe e kreu ritualin, siç e kishte kryer në vitin 2015, por për herë të parë ritualin ua kushtoi vetëm grave.

I ulur në një karrige me rrota, Jorge Bergoglio lau këmbët e të burgosurave. Disa u përlotën nga gjesti dhe më pas ai ua fshiu këmbët me një peshqir dhe i puthi, raporton cnn.

Papa, i cili është 87 vjeç, dukej se ishte në gjendje të mirë, megjithëse shëndeti i ka shkaktuar shqetësime ditëve të fundit, me infeksione të përsëritura që e kanë penguar atë të mbajë fjalimet në disa raste.

“Ne të gjithë përjetojmë dështime të vogla dhe të mëdha”, tha Papa në një predikim gjatë meshës në oborrin e qendrës së paraburgimit ku janë të burgosura rreth 370 gra.

Larja e këmbëve është “një gjest që na fton t’u shërbejmë të tjerëve”, shtoi ai.

Në traditën e krishterë, “Enjtja e Madhe” festohet në ditën kur Jezu Krishti lau këmbët e apostujve gjatë darkës së tij të fundit (Darka e Fundit).

Që nga zgjedhja e tij në vitin 2013, Françesku ka vizituar disa herë burgjet dhe qendrat e pritjes për refugjatët, ku ka larë këmbët e ish-mafiozëve, të sëmurëve apo të margjinalizuarve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës,…