Rizvanolli: Bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik në rajon, i domosdoshëm

24 qershor 2021 | 15:42

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ka përfaqësuar Kosovën në forumin ekonomik në Shkup, i cili ka mbledhur udhëheqësit rajonal me më së shumti influencë për të adresuar sfidat me të cilat përballet rajoni.

Gjatë forumit janë identifikuar dhe adresuar sfidat kryesore për zhvillim, janë ndarë eksperiencat politike të vendeve të rajonit, dhe janë identifikuar veprimet e politikave për një ekonomi më afruese dhe gjithëpërfshirëse.

Ministrja Rizvanolli ka shtuar që bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik në rajon është i domosdoshëm dhe duhet të përfshijë angazhimin e përbashkët të shteteve të Ballkanit Perëndimor, si anëtarë të barabartë me të drejta të barabarta, angazhimin e mekanizmave të besueshëm të mbikëqyrjes dhe zgjidhjeve për të garantuar implementimin e marrëveshjeve, si dhe përshpejtimin e procesit të integrimit drejt anëtarësimit në BE.

Ajo ka bërë thirrje që përtej bashkëpunimit ekonomik, udhëheqësit rajonal duhet të punojnë bashkërisht në sfidat, si emigrimi i individëve të aftë me krijim e mundësive të reja të punësimit, promovimin e lëvizshmërisë së punës, duke njohur kualifikimet e njëri-tjetrit dhe heqjen e lejeve të punës, si dhe bashkëpunim drejt demokratizimit, mbrojtjes së sigurisë juridike,sundimit të ligjit, rritjes së përgjegjësisë së qeverive dhe lirisë së mediave.

Gjatë vizitës në Shkup, përpos pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik, ministrja Rizvanolli ka mbajtur takime me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani, ku janë diskutuar marrëdhëniet ekonomike dhe politike.

Më pas, ministrja Rizvanolli është takuar edhe me ministrin e Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë Veriore, Kreshnik Bekteshi, ku kanë diskutuar lidhur me zgjidhjene sfidave të përbashkëta dhe prioriteteve në sektorin e energjisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka nënshkruar…