Rohde: Përfaqësuesit e serbëve në Kosovë të shpjegojnë realitetin

01 nëntor 2022 | 20:56

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se do të donte të shihte përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që “të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në depërshkallëzimin” e situatës në Kosovë.

“Për shembull, duke u shpjeguar qytetarëve serb të Kosovës realitetin se në Kosovë duhet të përdorni targa të Kosovës”, ka shkruar sot Rohde në “Twitter”.

Ai i ka bërë këto komente, në ditën kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit që përmban tri faza, për riregjistrimin e makinave me targa që i lëshon Serbia dhe konvertimin e tyre në targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Serbia, e cila ushtron kontroll mbi serbët në veri, i kundërshton ato dhe insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Ndërkaq, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë ka paralajmëruar rezistencë të ashpër qysh në momentin kur do të shqiptohet gjoba e parë lidhur me targat.

Po ashtu, ajo ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri dhe vendkalimet kufitare me Serbinë, në rast se autoritetet e Kosovës konfiskojnë automjetet me targa të lëshuara nga Serbia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çfarë marrëveshjeje po ofrojnë Franca e Gjermania, që po përkrahen…