ROLI DHE RËNDËSIA E DEPUTETËVE SHQIPTARË NË MEXHLSIN OSMAN

27 nëntor 11:28

Nga Mehmet PRISHTINA

Shqiptarët ishin prezent në të gjitha segmentet e Perandorisë Osmane dhe këtë e konfirmojnë të gjitha burimet arkivore e dokumentare. Integrimi i shqiptarëve në administratën Osmane erdhi si rezultat i procesit të gjatë të ndërtimit të një shoqërie të gjerë ku ishin të pranishëm elementet etnike të të gjitha popujve që ndodheshin nën administrimit osman. Për rrjedhojë, në këtë shoqëri pati edhe kuadro me origjinë nga Ballkani, kurse shqiptarët përbënin disa nga shtyllat kryesore të shtetit osman. Në të gjitha raportet vlerësohet lartë kontributi i shqiptarëve në drejtimin dhe menaxhimin e disa digasterëve qeveritarë, përfshi edhe pozita të larta të kryeministrave e vezirëve.

Por, periudha më e rëndësishme e integrimit të shqiptarëve në Perandorinë Osmane ishte koha e revolucionit të xhonturqëve, i cili kishte ngjallur shpresa te shumë popuj brenda Perandorisë për një sërë reformash që ishin premtuar. Mirëpo në praktikë ndodhi e kundërta, sidomos pas shpalljes së Kushtetutës dhe hapjes së Parlamentit të dytë osman, ku lufta politike ishte bërë pjesë e pandashme e debatit parlamentar. Në këtë përbërje parlamentare bënin pjesë edhe deputetët shqiptarë: Syrja Bej Vlora, Ekrem Bej Libohova, Esat Pasha, IsmailQemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga.

Në Vilajetin e Kosovës, një pjesë e mirë e popullsisë nuk kishte të drejtë të merrte pjesë në zgjedhje për shkak se ishte në marrëdhënie feudale, s’kishte prona të veta, siç i kërkonte ligji në fjalë, që kishte vënë një censurë të rreptë ekonomike e me këto zgjedhje u shkundën nga demokratizimi, ndërsa kandidatët për deputetë ishin të detyruar të dinin gjuhën turke.

Acarimi i marrëdhënieve shqiptaro-xhonturke, si rezultat i një sërë kryengritjesh që kishin shpërthyer në krahinat shqiptare në vitet 1909-1911, kishte krijuar një klimë mosbesimi tek të dyja palët.

Në pjesën dërrmuese të Komitetit Drejtues të Partisë “Bashkim dhe Përparim” ekzistonte përshtypja se, pas çdo kërkese dhe propozimi të deputetëve shqiptar për reforma, fshihej dëshira për pavarësi. Kjo kishte bërë që një pjesë e tyre të dilnin nga partia xhonturke dhe të rreshtoheshin me liberalët, në krye të të cilëve tani qëndronte deputeti shqiptar Ismail bej Vlora, i mbështetur në çdo iniciativë edhe nga Hasan Prishtina.

Jemi në kohën (dekada e parë e shek.20) kur në viset shqiptare po bëheshin përgatitjet për kryengritje të përgjithshme, ndërkohë që këto lëvizje nuk shiheshin me sy të mirë nga Porta e Lartë dhe për pasojë kishte edhe ekspedita ndëshkuese kundër organizatorëve të kryengritjeve.

Në Mexhlisin e madh Osman të gjitha këto zhvillime ishin objekt diskutimesh të deputetëve shqiptarë. Ndër ta dallohej Hasan Prishtina, i cili ishte shumë aktiv me vërejtje konkrete mbi aktivitetin e ushtrisë dhe xhandarmërisë osmane në  viset shqiptare.

“Hasan Bej Prishtina, në të vërtetë, atëherë tridhjetëvjeçar dhe i mbushur me flakë të pashuar, nuk e kuptonte mandatin e tij si mjet për realizimin e interesave për provincën e tij, edhe pse e donte atë shumë, madje as edhe për atë konglomerat me ngjyra të ndryshme prej popujve që quhej Perandoria Osmane. Përkundrazi, ai shkonte atje që të mbrojë të drejtat e vetëm një populli, të popullit të tij, të popullit shqiptar, të shkelur por jo edhe të nënshtruar nga robëria e përgjakur turke, i cili ka qenë i ruajtur në errësirën e arsimit”. (Mustafa Merlika Kruja, Arkivi i Maqedonisë, Fondi i MPJ-së së Italisë).

Ismail Qemali dhe patriotët tjerë që në fillim kërkuan nga parlamenti osman që të mos organizojë ekspeditë ushtarake kundër kryengritësve shqiptar të vitit 1910, nga shkaku se shqiptarët janë të vendosur në realizimin e të drejtave të tyre, si dhe kjo lëvizje do të informojë Fuqitë e Mëdha për masakrat që po i bën ekspedita e Xhavit Pashës kundër shqiptarëve. Më 10 prill 1910 Nexhip Draga bëri publike deklaratën e deputetëve shqiptar të cilët kundërshtonin gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur dy ditë më parë nga pushteti osman në territorin e Kosovës, si dhe nuk u pranua kërkesa e tyre për formimin e një komisioni parlamentar që të hetojë masakrat e Xhavit Pashës. Edhe pse nuk u pranuan këto kërkesa, reagimin e deputetëve shqiptar duhet me e pa në dy drejtime: e para guximi i pashembullt i reagimit të deputetëve shqiptar, dhe e dyta ishte inkurajimi i inteligjencës politike shqiptare që gëzonte privilegje në pushtetin osman që të gjithë së bashku të luftojnë në mbrotjen e trevave shqiptare.

Të gjitha këto përpjekje të deputetëve shqiptarë në Parlamentin Osman, nuk hasën në mirëkuptim nga ana e drejtuesve të politikës së atëhershme zyrtare osmane dhe për rrjedhojë 11 janari i vitit 1912 ka qenë dita e fundit e prezencës së deputetëve shqiptarë, me ç’rast Hasan Prishtina mban një fjalim historik në të cilin paralajmëron se edhe ai do t’iu bashkëngjitet aradheve të kryengritësve nëse administrata osmane nuk e ndryshon qëndrimin ndaj popullatës shqiptare në Ballkan. Sipas burimeve të ndryshme arkivore madje konfirmohet se këto vërejtje Hasan Prishtina i kishte bërë edhe në prezencë të Sulltanit. Hasan Prishtina mbas këtij fjalimi të famshëm dhe mbas një kacafytjeje ndaj sulmit mbi IsmailQemalin, e merr Plakun e Vlorës dhe në shtëpinë e vet në Stamboll dakordohen për veprimet e mëtejme. Ata bëjnë plane për organizimin e deputetëve shqiptarë të cilët ishin në Parlamentin osman: Syrja Bej Vlora, Ekrem Bej Libohova, Esat Pasha, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Aziz pashë Vrioni, Myfid bej Libohova. Disa ditë më vonë takohen edhe në shtëpinë e Syrja bej Vlorës për t’u marrë vesh për një takim të Taksimit, i cili quhet edhe si takimi i famshëm i Taksimit. ku janë bë marrëveshjet në hotelin Pera Palas,. Aty i ndajnë detyrat. IsmailQemali e merr për obligim që të del jashtë vendit dhe te komunikoj me fuqitë e mëdha me Romën, me Londrën, me Vjenën, me Parisin, me Berlinin dhe t’i bindë ato për një përkrahje të një kryengritje për pavarësinë e trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane.

Por, çka i parapriu këtij acarimi të marrëdhënieve në mes të deputetëve të lartpërmendur dhe administratës zyrtare osmane?

Në fakt, përballja e parë fizike në parlament ishte prologu i një incidenti, i cili shënoi ndarjen përfundimtare të shqiptarëve me xhonturqit. Kështu, në një seancë parlamentare në të cilën po diskutohej dhënia e ndërtimit me koncension të hekurudhës së Bagdatit, krerët me influencë të xhonturqëve filluan t`i jepnin koncesione shteteve të ndryshme, në përputhje me interesat e tyre politiko-ekonomike.

Kjo u kundërshtua nga Ismail Qemali, i cili në kujtimet e tij shkruan se “Beteja ime kundër përplimit të ligjit ishte logjike, ekonomike e patriotike, por të gjithë anëtarët e qeverisë, duke filluar nga Veziri i Madh, si dhe të gjithë përfaqësuesit e Komitetit në parlament, u hodhën me furi kundër opozitës”.

Kur Ismail Qemali kundërshtoi argumentet e një kolegu të tij dhe hodhi poshtë disa deklarata shpifëse që kishte botuar gazeta xhonturke “Tanin”, gjoja, sikur ai kishte marë një përqindje lidhur me këtë qëndrim, situata doli jashtë kontrolli.

Veziri i Madh dhe ministrat iu vërsulën duke e kapur nga krahët e nga rrobat duke i kërkuar me tërbim se çfarë kishte dashur të thonte. Ai, iu përgjigj se nëse drejtori i gazetës “Tanin” që ishte prezent me të tjerët në sallë, kishte hedhur kundër tij akuza të tilla edhe ai kishte të drejtë që të mbrohej, duke hedhur kundërakuza.

Në këtë situatë të acaruar, papritur një deputet xhonturk, Dervish beu, iu afrua nga pas Ismail Qemalit dhe e godet në kokë. Ky akt, ngjalli indinjatën e deputetëve shqiptar.

Hasan Prishtina iu drejtua deputetëve xhonturq me fjalët “Zotërinj, ta dini mirë se kjo ngjarje do të sjellë shumë të liga”. Seanca u ndërpre dhe deputetët shqiptarë u larguan. Po atë mbrëmje, në formë pendese, deputeti xhonturk shkoi tek Ismail Qemali për t`i kërkuar ndjesë, por ky i fundit nuk e pranoi dhe refuzoi që ta kalonte incidentin në mënyrë kaq të thjeshtë.

Të frikësuar nga precipitimi i situatës, në hotelin ku qëndronte Ismail Qemali u nis një delagacion deputetësh xhonturq të kryesuar nga Talat Pasha. Në emër të asamblesë, ai i kërkoi falje dhe e shoqëroi Ismail Qemalin deri në dhomën e tij.

Megjithëse incidenti u zgjidh, ai krijoi pakënaqësi të madhe tek shqiptarët. Gazeta “Zgjimi i Shqipërisë” vinte në dukje më 7 mars 1911 se “kur rrihet një deputet është rrahur një komb i tërë dhe ashtu të goditurit e z.Qemal beut nuk la zemër shqiptare që s`helmoi dhe përsëriti plagët e vjetme”.

Më 16 mars 1911 u bë një mbledhje e patriotëve shqiptar në Janinë, në të cilën u vendos që me rastin e ngjarjes së mësipërme, në formë proteste, t`i dërgohej një telegram kryetarit të parlamentit. Në këtë telegram ndër të tjera shkruhej:

“Megjithëse prej sulmit të ulët nuk preken as patriotizmi, as edhe virtytet e shumta që e shquajnë deputetin tonë Ismail Qemal beun, ne ju lutemi që t`i bëni të ditur dhomës së deputetëve se kjo ngjarje na ka dëshpëruar shumë dhe si një shuplakë e dhënë kombit, ajo ka prodhuar një përshtypje të pashlyeshme. Një ndëshkim për një fyerje të tillë nuk është i nevojshëm vetëm si satifaksion për personin e Ismail Qemal beut, por për të gjithë kombin”.

Ky telegram iu dërgua pothuajse të gjithë shtypit të Stambollit, deputetëve dhe klubeve shqiptare me thirrjen që të protestonin ndaj këtij akti të qeverisë xhonturke, e në favor të Ismail Qemalit.

Ndërsa gazeta e kolonisë shqiptare të Kajros “Shkrepëtima” këtë veprim të deputetit xhonturk e quajti si “dinamit i hedhur në mes të Shqipërisë”. “Shuplaka,-vijonte më tej ajo,-nuk i ra Ismail Qemalit, por të gjith’ shqiptarëve”.

Siç shihet edhe nga shtypi i kohës, incidenti i mësipërm ngjalli një frymë nacionaliste, e cila ndikoj tej mase negativisht për dezintegrimin e shpejtë të Perandorisë Osmane. Në një situatë kur shtetet ballkanike kishin filluar përgatitjet për krijimin e një aleance, xhonturqit i shihnin shqiptarët, siç shprehet me të drejtë Ismail Qemali, si “koka e Meduzës së nacionalizmit”.

Kulmi i veprimtarisë së deputetëve shqiptarë, veçanërisht i Hasan Prishtinës dhe i Ismail Qemalit, arrin nga fundi i vitit 1911 dhe vazhdimi i vitit 1912, kur këta patriotë morën në dorë organizimin dhe drejtimin e kryengritjes së përgjithshme shqiptare të vitit 1912 e cila çoi popullin shqiptar në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

Prishtinë, 27 Nëntor, 2020

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e PDK-së dhe AAK-së pavarësisht mospajtimeve duket se janë…