Roli i arkivave dhe politikave arkivore në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut

27 nëntor 2022 | 09:19

MA Dorina SHAHOLLI

Përmbledhje

Arkivat janë asete të paçmuara për shoqërinë pasi shërbejnë si urë lidhëse dhe komunikimi midis epokave të shoqërisë dhe gjeneratave të njerëzimit. Kjo vlerë e pamohueshme e tyre krijon një raport të ngushtë të arkivave me publikun, ndaj dhe institucionet arkivore duhet ta mbështesin kulturën e arkivave të hapura brenda hapësirës që i lejon legjislacioni i brendshëm, etika apo kërkesat e veçanta të donatorëve.

E drejta për të ditur, përfshirë mirinformimin se çfarë përmbajnë arkivat është, njëkohësisht, e drejtë individuale dhe kolektive. Ashtu sikurse është e drejta e qytetarit për informim, po ashtu është dhe e drejta për të pasur qasje në dokumentet publike. Qëllimi kryesor në këtë punim është të nxjerrë në pah se si arkivat ndihmojnë për të mbështetur një pretendim të caktuar, për të shpjeguar ngjarje që kanë shkaktuar shkelje të të drejtave të njeriut, për t’i identifikuar autorët e këtyre shkeljeve, apo dhe se si ato u mundësojnë personave ta ushtrojnë të drejtën për të kundërshtuar në mënyrë efektive shkeljen e të drejtave të tyre. Kjo temë merr një rëndësi të veçantë pasi trajton një nga fushat më të ndjeshme të shoqërisë, e lidhur kjo me të drejtat që gëzon çdo individ, por duke pasur parasysh krijimin e balancave dhe kufizimeve në disa aspekte, me qëllim që të garantohet mbrojtja e të drej­tave të të tjerëve dhe të shmangen konfliktet. Gjithashtu, do të përmend disa nga aktet kombëtare dhe ndërkombëtare me fuqi juridike në të gjithë terri­torin e Republikës së Shqipërisë që garantojnë të drejtën për t’u informuar mbi dokumentet publike dhe qasjen në arkiva.

Hyrje

Arkivat ndihmojnë në njohjen e raportit mes njohjes së të vërtetës dhe proceseve të pajtimit social, duke mundësuar ruajtjen e kujtesës kolektive të popujve.

Roli i arkivave është thelbësor për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut. Me rënien e regjimeve ushtarake në vitet ’70 (Portugali, Spanjë, Greqi dhe Amerikë Jugore), sidomos pas shpërbërjes së regjimeve diktatoriale në Evropën Qendrore e Juglindore, dolën diskutime të shumta mbi raportin mes arkivave dhe të drejtave të njeriut. Këto arkiva tashmë do të merrnin rëndësi për formimin e marrëdhënieve të reja shoqërore, dhe mund të themi se kemi kaluar kufijtë nga një disiplinë arkivistike, në raport me të drejtat e njeriut, në konturet e një problemi social për shkak të natyrës së tyre sociale dhe politike.

Përmbysjet e regjimeve diktatoriale, përveç problemit të mbijetesës dhe ruajtjes së arkivave si burim studimor historik, nxorën në pah edhe proble­min e rehabilitimit të viktimave dhe të të persekutuarve, të rehabilitimit të kujtesës, të së vërtetës dhe drejtësisë.[1]

Roli i arkivave dhe dokumentacionit që ruanin ishte i domosdoshëm për afirmimin e të drejtave individuale, si amnisti, rehabilitim, dëmshpër­blim, kthim prone etj., duke shërbyer si provë në proceset penale dhe civile.

Ato ndihmojnë për të mbështetur një pretendim të caktuar, për të shpje­guar ngjarje që kanë shkaktuar shkelje të të drejtave të njeriut, për t’i identi­fikuar autorët e këtyre shkeljeve, por dhe për t’u mundësuar viktimave apo të afërmve të tyre të kërkojnë kompensim moral ose monetar për abuzime të së kaluarës. Kështu lind nevoja që qeveritë të kujdesen dhe të garantojnë fonde të nevojshme për menaxhimin profesional të arkivave.

Duke vlerësuar, proklamuar dhe përditësuar parimet esenciale të “mbroj­tjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut përmes veprimit për ta luftuar mosndëshkimin”, Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drej­tat e Njeriut evidenton rëndësinë e arkivave duke pohuar se është përgjegjësi e shtetit “të sigurojë ruajtjen dhe qasjen në arkiva në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të drejtës humanitare”.

Ashtu sikurse është e drejta e qytetarit për informim, po ashtu është dhe e drejta për të pasur qasje në dokumentet publike. Ekzistenca, respektimi dhe garantimi i këtyre të drejtave ndikon në forcimin e demokracisë së një vendi, transparencës së institucioneve, llogaridhënies dhe mirëqeverisjes. Si rrjedhim, qasja në dokumentet publike rrit besimin e qytetarëve tek insti­tucionet e vendit. Gatishmëria për dhënien e informacionit nga institucio­net e administratës publike rrit përgjegjshmërinë e tyre në shërbimin ndaj qytetarëve duke nxitur në këtë mënyrë transparencën e autoriteteve publike dhe respektimin e ligjit.

Parimet e qasjes në arkiva

Këshilli Ndërkombëtar i Arkivave, konsistent në realizimin e priori­teteve të tij, punon për ta standardizuar praktikën e mirë mbi qasjen e pub­likut në arkivat shtetërore dhe private. Një grup i përzgjedhur ekspertësh hartuan Deklaratën e Parimeve të Qasjes në Arkiva dhe një raport teknik që ofronte këshilla për zbatimin e parimeve respektive të sanksionuara në deklaratë. Në gusht të vitit 2011 të dy tekstet e dokumenteve u hodhën në diskutim të gjerë publik, ku nuk munguan sugjerimet për ndryshime, redaktime nga arkivistët, menaxherët e të dhënave, studiues etj. Në fund të procesit të diskutimeve, më 24 gusht 2012 u miratuan “Parimet e qasjes në arkiva”, me objekt formulimin dhe zbatimin e politikave arkivore sipas standardeve bashkëkohore. Dokumenti juridiko-ndërkombëtar “Parimet e qasjes në arkiva” duhet të shërbejë si një udhërrëfyes profesional për inkor­porimin dhe zbatimin e duhur të rregullave, procedurave të drejta dhe përgjegjësive që derivojnë nga përmbajtja e tyre.[2] Ndër parimet e qasjes në arkiva do të përmend:

– Publiku ka të drejtën e qasjes në arkivat e institucioneve publike, të cilat duhet të jenë të qasshme në masën më të madhe të mundshme.

– Institucionet kanë obligim të bëjnë me dije ditur ekzistencën e arkivave dhe të fondeve arkivore që nuk janë të hapura për publikun, duke infor­muar për kufizimin e qasjes në to.

– Institucionet duhet të përvetësojnë një qasje proaktive kah qasja pub­like, në kushte të barabarta dhe të drejta.

– Institucionet që mbajnë arkiva duhet të sigurojnë që viktimat e kri­meve të rënda (sipas përcaktimeve të së drejtës ndërkombëtare) të kenë qasje në dokumente që përmbajnë prova, apo fakte të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese, dhe që dëshmojnë shkeljen e tyre, pavarësisht nëse këto arkiva janë të mbyllura për publikun e gjerë.

– E drejta e ankimimit për mohimin e qasjes.

– Roli i arkivistëve në procesin e vendimmarrjes për qasje.

Roli i arkivistëve në mbështetje të të drejtave të njeriut

Përgjegjësia kryesore për zbatimin e këtyre parimeve të qasjes në arkiva u atribuohet arkivistëve, administratorëve, donatorëve dhe personelit të institucioneve që transferojnë të dhëna në arkiva. Këto parime përfshijnë njëherazi të drejtën e informimit dhe obligimin e arkivistëve për të siguruar qasje efektive në arkiva. Kështu lind nevoja për një punë profesionale nga ana e arkivistëve, pasi një punë e mirë do të ndihmonte që përdoruesit të kuptonin nëse arkivat kanë informacionin e duhur, të vlefshëm për të ushtruar një kërkesë, për të mbështetur një pretendim, apo për t’u infor­muar rreth organeve kompetente të cilat do t’u mundësonin kompensim për shkelje të të drejtave në të kaluarën.

Arkivistët janë ndërmjetës mes dokumentacionit dhe përdoruesve. Ata tashmë nuk mund të kufizohen thjesht në ruajtjen e materialit të doku­mentacionit arkivor, por duhet të ndërmarrin një rol aktiv në transmetimin e kujtesës kolektive. Janë arkivistët që kanë përgatitjen e duhur teknike, gjë që i bën të vetëdijshëm se vlera dëshmuese e dokumenteve mund të ndikohet nga mënyra me të cilën trajtohen. Duke pasur njohje integrale të të gjithë kompleksit dokumentar dhe kontekstit arkivistik, arkivistët kanë një rol të privilegjuar në transmetimin e kujtesës, të japin çelësa për qasje dhe për përdoruesit më pak ekspertë, kanë instrumentet dhe aftësitë tek­nike të sjellin në dritë edhe ato historitë e vogla më pak të dukshme, por që janë të domosdoshme për kujtesën tonë të përbashkët. Roli i arkivistëve është i lidhur ngushtë me të drejtat e njeriut, sepse gjatë përpunimit dhe rregullimit të lëndës arkivore që ka të bëjë me shkeljen e të drejtave të njeriut, mund të jenë nën presion kur menaxhon dokumente të tilla[3]. E themi këtë pasi arkivistët mund të ballafaqohen me ndalimin për t’i përpunuar dhe menaxhuar ato dokumente, për t’i asgjësuar dokumentet që kanë implikim në të drejtat e njeriut, mund të marrin udhëzime që mos ta raportojnë ekzi­stencën e këtyre dokumenteve, mund të mos jenë në gjendje t’i ndërmarrin veprimet e mbrojtjes së nevojshme, apo veprime sa i përket qasjes së publi­kut, ose pengohen për t’ua shërbyer studiuesve. Ata shpesh kanë frikë nga hakmarrja nëse kërkojnë t’i ndjekin parimet profesionale.[4] Megjithatë, në punën e tyre arkivistët mbështeten në parimet e përshkruara në Kodin e Etikës, në bazë të të cilave arkivistët duhet të garantojnë qasje të barabartë, efektive dhe të paanshme për përdoruesit, duke i dhënë përparësi doku­mentacionit i cili flet për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut. Një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet informimit të personave në pozitë të pafavor­shme që mund ta kërkojnë ndihmën e arkivistëve për të gjetur dhe për t’i marrë dokumentet që u nevojiten me qëllim realizimin e të drejtave të tyre. Por, e rëndësishme është se arkivistët duhet ta gjejnë ekuilibrin midis ligjit, të drejtës për informim dhe mbrojtjes së privatësisë.[5]

Më poshtë do të shohim se si pasqyrohen të drejtat e lartpërmendura në aktet kombëtare (Shqipëri) dhe ndërkombëtare, dhe si rregullohen ato në disa nga ligjet e posaçme.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Akti themeltar i shtetit shqiptar në nenin 15 përcakton:

  1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patje­tërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik.
  2. Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet t’i respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribu­ojnë në realizimin e tyre.

Aspektet që lidhen me transparencën, e drejta e qytetarit për të marrë informacion, si dhe detyrimi i shtetit për të dhënë informacion, janë pasqyruar në nenin 23 të Kushtetutës, ku thuhet se:

Neni 23

  1. E drejta e informimit është e garantuar.
  2. Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore si dhe të personave që ushtrojnë fun­ksione shtetërore.
  3. Kujtdo i jepet mundësia t’i ndjekë mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive.

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut

Deklarata është miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948 në Palais de Chaillot, Paris. Deklarata nuk është një traktat me fuqi kushtëzuese për shtetet. Ajo u adoptua me qelli­min e shtjellimit të togfjalëshit “liri themelore” dhe “të drejta të njeriut” që gjenden në statutin e Kombeve të Bashkuara. Ajo është një mjet i fuqishëm për ushtrimin e presionit diplomatik dhe moral ndaj qeverive që shkelin të drejtat e njeriut. Mbrojtjet e ofruara nga kjoDeklaratë kanë shërbyer si gurë themele për dy konventat detyruese të OKB-së për të drejtat e njeriut: Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kultu­roredheKonventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike. Deklarata vazhdon të jetë gjerësisht e cituar nga qeveritë, akademikët, avokatët dhe gjykatësit kushtetues, si dhe nga individë të cilët apelojnë te parimet e saj për mbrojtjen e të drejtave të tyre si njerëz. Këto të drejta i shohim specifikisht në nenin 2: “Secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara në këtë Deklaratë pa kurrfarë kufizimesh për sa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër. Asnjë dallim nuk do të bëhet në bazë të statusit politik, juridik ose ndërkombëtar të shtetit ose vendit të cilit i përket çdo njeri, qoftë kur shteti ose vendi është i pavarur, qoftë nën kujdestari, qoftë jo vetëqeverisës ose që gjendet në çfarëdo kushtesh të tjera të kufizimit të sovranitetit”.[6]

Neni 19 i kësaj Deklarate përcakton se: “Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë”.[7]

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Nënshkruar në Romë më 4 nëntor 1950, ishte instrumenti i parë që kristalizoi dhe dha efekt detyrues për të drejtat e përcaktuara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, limituar vetëm nga kufizime “në pajtim me ligjin” dhe që janë “të nevojshme për një shoqëri demokratike” (neni 10).

Ndërkohë kuadri ligjor i cili sanksionon dhe mbron të drejtat e njeriut lidhur me informimin, qasjen në arkiva, marrjen e dokumenteve të nevoj­shme për plotësimin e kërkesave të veçanta, plotësohet edhe nga ligje të posaçme ku, ndër të tjera, do të përmend:

Ligji nr. 9154 për Arkivat

Në bazë të nenit 53 “Shërbimi arkivor garanton të drejtën për t’u njohur me dokumentet që dëshmojnë veprimtarinë e administratës shtetërore, ku personi dhe institucionet janë të barabartë në të drejtën për shërbim arki­vor”. Ligji mbron edhe jetën private të personit, ku në nenin 63 thuhet: “Ndalohet njohja, shfrytëzimi dhe publikimi i dokumenteve që përmbajnë të dhëna me karakter vetjak dhe cenojnë jetën private të personit”.[8] Dokumentet që përmbajnë të dhëna me karakter vetjak dhe cenojnë jetën intime të personit shërbehen vetëm pasi kanë kaluar, sipas rastit, 50 deri në 150 vjet nga data e krijimit të tyre.

Ligji nr. 152/2013 për Nëpunësin Civil

Neni 44 i këtij ligji përcakton se nëpunësi civil ka detyrimin ta ushtrojë detyrën e tij në shërbimin civil me transparencë dhe të sigurojë për pub­likun e gjerë dhe palët çdo informacion të nevojshëm, me përjashtim të rasteve kur ai është klasifikuar sekret shtetëror sipas ligjit. Mosrespektimi i të drejtës për informim të publikut mbi veprimtarinë administrative nga nëpunësi civil konsiderohet shkelje e detyrës së tij dhe sjell marrjen e masave disiplinore.

Ligji nr. 119/2014 për të Drejtën e Informimit

Sipas këtij ligji, “çdo person ka të drejtën e njohjes me informacion publik pa qenë i detyruar t’i shpjegojë arsyet dhe motivimet”.

Ligji i detyron të gjithë autoritetet shtetërore të bëjnë publike dhe të vënë në dispozicion të qytetarëve (në mënyrë proaktive. pa kërkesë ose me kër­kesë të qytetarëve/subjekteve të interesuar) çdo të dhënë, informacion të hartuar apo të mbajtur prej tyre gjatë ushtrimit të funksioneve publike. (Neni 3).

Përfundim

Nga sa trajtova më sipër këtë temë, shohim se sa e rëndësishme është mbrojta e arkivave dhe zhvillimi i tyre në mënyrë që të sigurojmë një mbroj­tje të të drejtave të gjithsecilit prej nesh. Në çdo kohë mund të kemi nevojë të gjendemi përballë arkivit, për të kërkuar më tepër informacione, të dhëna, fakte që na ndihmojnë për një çështje të caktuar.

Të drejtat themelore të njeriut vendosen në qendër të çdo akti që ka për qëllim krijimin e një shteti demokratik, një shteti të së drejtës dhe mirëfun­ksionimit të shoqërisë në përputhje me ligjin.

Detyra jonë si arkivistë, apo studiues të historisë, na nxit në krijimin e metodave dhe praktikave më efektive që ndihmojnë në shfrytëzimin e mater­ialeve arkivore, duke u gjendur kështu më pranë atyre që kanë nevojë.

Megjithatë, duke cituar Albert Kamy, duhet të kemi parasysh se “nëse gjithçka lejohet, nuk do të thotë se asgjë nuk është e ndaluar”. Liria e një individi ndalet aty ku fillon liria e individit tjetër, duke implikuar kufij të “lirisë”.

Literatura:

Gonzalez Quintana, Antonio … [et al.], Archives of the security services of former repressive regimes: report prepared for UNESCO on behalf of the International Council of Archives. Paris: UNESCO, 1995; revised by Gonzalez Quintana as Archival Policies in the Protection of Human Rights. Paris: ICA, 2009 (http://vsa-aas.ch/wp-content/ uploads/2016/12/Basic-principles-on-the-role-of-archivists-and-records-managers-in-support-of-Human-Rights)

Kolaneci, Esmeralda, Parimet e aksesit në arkiva, cikël leksionesh, 2019

Meka, Shpresa, Parimet dhe përgjegjësitë e arkivistit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut (sipas rekomandimeve të ICA-së), Arkivat shqiptare, viti 53, nr. 1-2, Tiranë, 2017

Osmani, Jusuf, Arkivistika, Prishtinë, 2015

Sakja Godo, Rovena, Arkivat shqiptare, nr. 1-2, viti XVIII, Tiranë, 2017

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

  • Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut
  • Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
  • Ligji nr. 152/2013 për Nëpunësin Civil
  • Ligji nr. 119/2014 për të Drejtën e Informimit
  • Ligji nr. 9154, datë 06.11.203, për Arkivat

1. R. Sakja Godo, Arkivat shqiptare, nr. 1-2, viti XVIII, Tiranë, 2017, f. 159.

[2] E. Kolaneci, Parimet e aksesit në arkiva, cikël leksionesh, 2019.

[3]J. Osmani, Arkivistika, Prishtinë, 2015, f. 469.

[4]Antonio Gonzalez Quintana… [et al.], Archives of the security services of former repressive regimes: report prepared for UNESCO on behalf of the International Council of Archives. Paris: UNESCO, 1995; revised by Gonzalez Quintana as Archival Policies in the Protection of Human Rights. Paris: ICA, 2009 (http://vsa-aas.ch/wp-content/uploads/2016/12/Basic-principles-on-the-role-of-archivists-and-records-managers-in-support-of-Human-Rights).

[5]Sh. Mekaj, Parimet dhe përgjegjësitë e arkivistit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut (sipas reomandimeve të ICA-së), Arkivat Shqiptare, vit. 53, nr. 1-2, Tiranë, 2017, f. 167.

[6] Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, f. 2.

[7] Po aty f. 4.

[8] Ligji nr. 9154, datë 06.11.203, për Arkivat, neni 63.

(Marrë nga revista “Arkivat shqiptare”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person në fshatin Shupkovc të Mitrovicës është arrestuar pasi…