Roli i poezisë shqipe në formimin dhe ngritjen e vetëdijës kombëtare

27 mars 2020 | 16:12

Hasan Ukëhaxhaj

HYRJE

Fatet e literaturës shqiptare korrespondojnë me rrugëtimin tonë si komb. Këtë, në një farë myënyre, e dëshmon edhe “Meshari” – vepra e parë e letërsisë sonë që njihet deri më sot. Ajo, siç dihet, pas një kohe, humbi por u gjet për të humbur sërish, por jo përgjithmonë falë kërkimeve të parreshtura të studiuesve tanë atdhetarë (E. Çabej: Meshari i Gjon Buzukut, Tiranë, 1967 f. 7). U gjet, por në çfarë gjendje?! E gjymtuar- pa 32 faqet e para, prandaj s’e dimë titullin e veprës, as vendin e botimit e as vendlindjen e autorit ( Aty faqe 8). Edhe shqiptarët u gjymtuan dhe mbetën të tillë që nga shekulli i Buzukut. E dyta e pa dritën e botimit në dhe të huaj, ku u vendosën arbëreshtë për t’i shpëtuar mortajes osmane… Budi autodidakt e Bogdani i lauruar, me Bardhin në mes, shkrimin e shqipes e ngritën në shkallë të larmishme për kohën: I pari nga trinomi i sapocekur është inaguruesi i poezisë shqipe, i dyti themelues i leksikografisë dhe i folkloristikës shqiptare, ndërkaq i treti, i pari autor i një vepre origjinale ( F. Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985, f. 68/106/124). Si me të mësipërmit që vepruan dhe krijuan në rrethana më tepër se të vështira, mburremi edhe me humanistët shqiptarë në ballë me Barletin, i cili në  gjuhën latine ua dhuroi dijetarëve evropianë veprën monumentale “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”.
Tani, një parantezë: Në Konferencën Kombëtare të Studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në përvjetorin e saj jubilar, ndër studiuesit e huaj morën pjesë edhe tre antarë të AKSH të Francës. Njëri prej tyre në fjalën përshëndetëse, ndër të tjera pat thënë: “… po që se kisha ndonjë kritikë në drejtim të historiografisë shqiptare, kjo do të konsistonte në atë që ajo ka quajtur Rilindje këtë periudhë të shkëlqyer, gjysmën e dytë të shekullit 19. Në realitet Shqipëria nuk ka njohur Rilindje të vërtetë sepse një rilindje presupozon vdekjen, por, Shqipëria kurrë nuk ka vdekur, ajo kurrë nuk ka njohur atë gjumë të disa popujve që i përngjanë kaq shumë vdekjes… Në  fakt  Rilindja Shqiptare e kurorëzuar nga aktiviteti i Lidhjes së Prizrenit është kulmi i një procesi të gjatë historik që e ka burimin në rezistencën 1000 vjeçare të Shqipërisë ndaj gjithë atyre që prej lashtësisë kanë dashur ta nënshtrojnë… Franca… nuk diti ta thotë fjalën e saj në vitet ’78-81 për përpekjet e një populli të vogël, i cili, i vetëm kundër të gjithëve diti të afirmojë identitetin e vet kombëtar dhe, pas një lufte të përgjakshme, t’ia imponojë më në fund një Evrope, e cila gjithmonë i kishte përbuzur të drejtat dhe bile ekzistencën e tij” ( K. Kombëtare e Studimeve për LSHP, Tiranë, 1979, f.417). Duke  e ndërprerë citimin e studiuesit, po theksoj se me rreshtat e mësipërm, të cilët mund të konsiderohen një rezyme e së kaluarës sonë shumëshekullore bashkë me akuzën që i bënë shtetit të vet dhe Evropës për vendimet e saj kriminale, Alen Dyselje e ka vënë emrin e vet në radhën e dijetarëve që çështjen shqiptare e kanë trajtuar objektivisht. Prandaj, ata nuk mund të mos e kenë respektin e opinionit shqiptar. Po Dyselje nuk ishte i vetmi, po i vëmë në krah një bashkëkombas të tij – Gijom Apolinierin – poet ( M. Zeqo “Djalëri shqiptare lexo Lasgush Poradecin dhe pastaj vdis” (  Zëri i Kosovës nr. 1 tetë janar 1998). Nuk është thënë kot se historinë mund ta “shkruajnë” edhe poetët sepse duke i pasqyruar faktet me petkun e artit, varësisht nga kaçiku i muzës së tyre, ato shndërrohen në një arë ku mbillen dhe rriten vazhdimisht fidanët e atdhedashurisë në botën shpirtërore të lexuesit.
Tani, duke i lënë  anash krahasimet e mundshme, s’më mbetet tjetër vetëm t’i qasem temës së përthëkuar në titullin e kumtesës. Përveç gjeografisë së atdheut,  pra përveç hartës së trojeve tona etnike në poezinë shqipe, lirike edhe epike, lexuesi e gjenë të pasqyruar në përmasa të gjëra edhe heroizmin e popullit shqiptar dhe të stërgjyshërve të tij për ta mbrojtur vendin nga armiqtë e vjetër e të rinjë, të afërt e të largët, por edhe për ta fituar lirinë. Është gjuha, si strumbullari i njësisë kombëtare, ajo që poetët i kushtuan vargje fascinuese duke u përpjekur që t’i dalin borxhi mjetit të tyre, përmes së cilës ata ia përcillnin amanetin kombit nëpër dekada e shekuj. Pra, atdheu, kombi dhe gjuha janë Alfa dhe Omega e poezisë shqipe. Komponentet e këtij trinomi na rezultojnë, të njëri a tjetri poet, sa të gërshëtuara siç janë në realitet, aq, po edhe më shumë, edhe “autonom” si fiksion. Për të mos u zgjatur më shumë të më sipërmet po përpiqem që t’i pasqyroj përmes atij mozaiki  vargjesh, harku kohor i të cilit po i përthekon gati dy shekuj.
1) Atdheu: Tablonë apo panoramën më brilante të trojeve shqiptare e ka dhënë Naim Frashëri të cilin, bashkë me De Radën, Prof E. Çabej i konsideron si përfaqësues dhe bartës të tërë spektrit të kauzës kombëtare ( E. Ç. – Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, Tiranë, 2006 f. 96):

A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen prej Çamerie
A po vjen nga fush’ e Korçës nga vend i mir’ e i gjerë…
A më vjen pej Malësie, pej Skrapari, prej Dobreje,
Nga Vjosa, nga Devolli pej Vlor’ e pej Myzeqeje?…
Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën
E me ardhë ke ti o Shkodër, të shoh Drinin e Bujanën
Kostur, Përlep, Follorinë, Dibër, Ipek e Jakovën,
Mat’ e Ysqyp e Prështinë dhe Mirdit’ e Tetovën
Krojenë e Skënderbegut, q’i ka pas dhënë ner Shqypnisë,
Tue bam me trimni luftë e m’e mund mren’ e Turqisë.
Durrës, o qytet i bukur, që je kërthiz’ e mëmedheut!
Edhe ti Leshi me emre, që ke eshtrat e Skënderbeut!
Burrat tuaj aq trima do të lënë vallë  Ylqinë
Dhe gjithë shqiptarët ta mbajnë armiku ynë?…
Siç po shihet, bukuritë e rralla të atdheut poeti i gërshetoi edhe me të kaluarën e tyre, të afërt e të largët. Po, Poetit kombëtar mos i ka shpëtuar ndonjë cep pa e përmendur? Po. Por e plotësuan pasardhësit e tij, prandaj po vazhdoj me njërin prej atyre që i shkoi pas në shumë aspekte:
Me sy t’vrantë kundron Alia
Se sa bukur shqyptaria
Rreth e çark i shtrohet para
Me liqej, me lumej e ara
E me male të madhnueshme
E me pyje të blerueshme
Edhe sytë i mbushen vaj… Sepse mbreti
E ka bo me mend pleqni
Me ia lshue Malit të zi
Hot e Grudë, Plavë e Gusi
Në kontekste të caktuara të mësipërmeve nuk mund të mos u shtohen edhe të tjera, prandaj po i lë që të “prehen” pak Apostulli dhe Homeri shqiptar, qysh u vlerësua edhe nga ndonjë studiues i huaj poeti i Zadrimes, për të vazhduar me ndonjë mjeshtër tjetër të vargut shqip. E kush tjetër para Mjedës e Lasgushit? Të dy e gdhendën dhe e lëmuan çdo rresht e rrokje, me penën e tyre limë në përmasa gati të papërsëritshme:
Molla t’kuputuna tji deget
Dy qershija lidh një rrëfanë,
Ku fillojnë kufijtë e gegët
Rrinë dy qika me nji nanë
E prej të dytit çka të zgjedh më parë? Mjaftojnë vetëm dy rreshta – dy vargje:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i  përrallshëm po mburon prej Shëndaumi
Po e kursej veten me kënaqësi, duke e cituar poetin dhe studiuesin e veçantë për dy vargjet e mësipërme: “ … të lumit Drin i përrallshëm, ky aks ose meredian bashkues dhe ndarës i Shqipërisë, mankth kolosal i historisë së padrejt, prokrustiane, të kombit të çarë në mes… Lasgushi shkroi për këtë Drin dy aortash i zemrës se sejcilit shiptarnë tërë  kohërat ( M. Zeqo punimi i cituar më lart).
2) Panoramën e trojeve shqiptare, e pasqyruar më sipër, po e mbyll vetëm pjesërisht, sepse, siç e theksova në fillim, ato përbëjnë vetëm njëren nga tri degët e atij trungu dhe, si të tilla, skajshmërisht të gërshëtuara. Prandaj, atyre as nuk mund t’u shmangem sa herë ndonjë episod i tyre është i sinkronizuar me binomin komb e gjuhë sepse kategoritë e sapocekura në ato troje i kanë rrënjet:
Gegë e Toskë, Mlci, jallija
Janë nji komb, m’u nda sduron
Fund e maje nji a Shqipnija
E nji giuhë t’gjith i bashkon
Me këto vargje, që nuk janë të vetmet dhe as që mund t’ishin, por nga më të rrallat, pa asnjë dyshim, po e nisim shtjellimin e trajektores së kombit nëpër shekuj e dekada, ashtu qysh na rezulton në poezinë shqipe. Së pari më duhet të theksoj se në këtë rast aspekti kronologjik është vetvetiu i pranishëm, por siç do të shihet, nuk e konsideroj krejtësisht të domosdoshëm. Në përpjekje për t’i sqaruar të mësipërmet, në cilësinë e një krahasimi, po i referohem asaj teorisë së njohur të klasicizmit francez për gjininë e dramës: Për t’u vlerësuar vepra e suksesshme duhej t’i kishte të harmonizuara tri kriteret themelore: njësinë e vendit, të kohës e të  veprimit. Ndërkaq, nga aspekti i temës që po e trajtojmë, realiteti historik nuk përkonte me atë letrar: siç dihet, letërsinë e re shqipe e “inaguroi” Jeronim de Rada me botimin e veprës “Këngët e Milosaos” dhjet vjet para se të lindte Naim Frashëri. Poema e sapo cekur bashkë  me të tjerat që titani i pashembullt i përpunoi nëpër vite e dekada, as poezia e Serembes, as ajo e Darës së Ri, për të mos vazhduar më tej, këndej Adriatikut nuk i njihnin, mësë paku, për të gjallë të autorëve. Pra, vendi dhe koha e bënë të veten. Por rrugëtimi ynë kombëtar qe i atillë që një ditë edhe të panjohurat t’u bashkangjiten të tjerave, për  ta përmbushur misionin e tyre – në ngritjen e vetëdijes kombëtare të brezave.
2.1) Tani po e shtjellojmë kronologjinë e mësipërme: De Rada ngjarjet që i rrëfen në Këngët e Milosaos i vendos në shekullin XV, ato zhvillohen në Shkodër dhe  rrethinën e saj. Duke e kapërcyer interpretimin rutinor po theksoj se veçoria themelore është se poeti aty e jep kushtrimin: “ Erdhi dita e Arbërit; Doemos do vdesim në shtrat, Në mos rençim në prag të shtëpive tona”. E pas kushtrimit vetë heroi bie në fushën e betejës. Prandaj kushtrimi është në këtë rast boshti ideoartistik i veprës, pavarësisht se kur e ku zhvillohen ngjarjet…  Pas Këngëve të Serafinës poeti e përjetësoi Epokën e lavdishme me Kryeveprën “Skënderbeu i pa fat”. Këtu nuk mund ta kapërcejmë një “paradoks”: Kryeheroi nuk është personazhi kryesor i poemës, siç mund të “mashtrohej” lexuesi nga titulli i veprës. Përkundrazi, ai shfaqet shumë rrallë, prandaj mund të konsiderohet edhe episodik. Atëherë, çka pasqyrohet aty? Çka tjetër përveç heroizmit, prandaj edhe lavdisë së shekullit të Kryeheroit me qëllimin e ngritjes së vetëdijes kombëtare duke mbjellë fidanët e besimit në botën shpirtërore të shqiptarëve se çlirimi i atdheut nuk është i pamundshëm ( Shih edhe J. Kastrati: Studime për De Radën, New York, 2003  f. 251). Pa dyshim, De Rada Skënderbeut dhe epokës së tij ia ngriti një përmendore krejtësisht të veçantë në poezinë shqipe. Pra, në çerekun e fundit të shek. XIX përfundon akti i parë i kronologjisë, sepse në ato vite konsolidohet “orkestra” e parë e poezisë shqipe e udhëhequr nga dy “dirigjentët” e lauruar nga profesori Çabej. Prandaj, nuk mund të mos ndalemi tek dy “solistët” e cekur më lart – Dara i Riu dhe Serembe, për të vazhduar me “Marsejezën” shqiptare “ mori Shqypni e mjera Shqypni”, siç e quan studiuesi A. Uçi poezinë e Pashko Vasës ( Konferenca Kombëtare… f.72). Kënga e Sprasme e Balës, përvçse me krenarinë për stërgjyshërit e shek XV dhe për heroizmin e tyre që këtu po e ilustrojmë me vargun e famshëm “ Pal Golemi edhe i vdekur/ i tmerroi armiqtë me sy”, ajo korrospondon me të sapocekurën poemë të De Radës edhe me vendin që zë Skënderbeu në faqet e  saj. Për më tepër ajo korrespondon edhe me  “ Ossianin” e Macphersonit: Ashtu si poeti skocez që ia atribuoi veprën heroit bashkëkombas ( Çabej: vep. e cit f.67), edhe poeti arbëresh ia blatoi plakut Balë, i cili e përkujton të kaluarën heroike, pjesë e se cilës kishte qenë…
Tani, në fillim Serembe, sepse është më lehtë t’i thuash katër pesë rreshta pas tij:
Arbëria prapa detit më kujton
Se ne të huaj jemi te ky dhe!
Sa vjet shkuan! Dhe zemra nuk harron
Se për turkun qëndruam pa mëmëdhe
Skënderbeu tani gëzon
Në parajsën ku pushon
Shpresa jemi e qemë
T’Arbërisë ku oh! S’u lemë…
Këto vargje dhe disa të tjera që do t’i citoj dëshmojnë se edhe Serembe, si rilindësit tjerë poet çështjen e atdheut e të kombit e kishte preokupim shpirtëror në shkallën më të lartë. Ndonëse poeti trajtoi tema nga më të ndryshmet dhe në këtë aspekt “binjakëzohet” me Naim Frashërin në Lulet e Verës, mendimi i ndonjë studiuesi se ai u mor vetëm me vetveten është i ekzagjeruar, më sakt i paqëndrueshëm:
Ti, gjak i Gjergjit t’madh, shkove në ballë
Por si dragua gjithnjë me penë pallë…
Se nga ai varr del ylli që shkëlqen
Mbi arbreshët kudo që të rrinë,
Kur me atdheun të ri e të lirë
Historia do të hapet më e gjerë…
Nuk mund të mos vazhdoj edhe me disa rreshta e mes tyre edhe me disa vargje. Në poezinë shqipe zor se mund të gjendet e skalitur, me aq pak vargje “ura”, në njerin çemer të së cilës – janari i 1468-es – kombin e pllakosi zija, e në tjetrin – qershori i  1878-es – shkëlqyen rrezet e lirisë:
… Mandej pashë Flamurin dhe ish Ai
Që u bë leckë, u ndot dhe u pat varrosur
Me qivurin në Lezhë e ashtu u shkri
Në botë kujtimi i truallit shqiptar,
U duk në Prizren, i bukur dhe krenar…

Po zgjati pak shkëlqimi
I Flamurit në ditët tona përtëritur
Krahu s’ish, as gjenija
E Princit Gjergj nga qielli i zbritur
Dhe muza ime qau e qanë përherë
Dhimbjen shqiptare që rilind përsëri…
Margaritarë dhe asgjë më pak. Prandaj, atij që duke e lexuar vargnimin e poetit nga Strigari, qoftë ai edhe i të pestes pjesë të këtij shekulli, e nuk i ngritet tensioni i gjakut, le ta bëjë analizën e ADN-së.
2.2) Tani, po i kthehem “Marsejezes” shqiptare. Së pari po theksoj se nuk do ta citoj gjatë, sepse ajo është e njohur nga të gjitha shtresat e lexuesve. Madje, e tillë ishte që kur u botua si “fletë fluturuese” me 1880 ( R. Qosja: Historia e Letërsisë shqipe II, Prishtinë 1984 f.322), në saje të frymës atdhetare në përmasat e një kushtrimi. A mund ta quajmë antitezë? Po: e kaluara e ndritshme e atdheut, e nënkuptuar pa asnjë dyshim, ajo e periudhës së Gjergj Kastriotit në njëren anë:
Ti ke pas kenë nji zojë e rand
Burrat e dheut të thirrshin nanë…
Kur kriste pushka si shkreptin moti
Zogu i shqiptarit gjithmone i zoti…

Ka kenë për luftë e në luftë ka dekun. E në anën tjetër:     Po, sot Shqypni, m’thuej si je?
Ashtu si lisi i rrxuem për dhe…
Tani, nuk mund të  mos shtrohet pyetja: cila ishte kjo “sot”? vitet e Lidhjes Shqitare të Prizrenit, në të cilat kombi u organizua n’aspektin politik, ushtarak dhe kulturor si asnjëherë më parë nga Epopeja e shekullit ti XV. Po: Përveç kontekstit, ndajfolja e sapocekur e përjashton çdo hamendësim. Atëherë, a mund të zbërthehet ai realitet antonimik? Po: për ta pastruar shqipërinë, thënë mësë buti nga myku i katër shekujve, duheshin pushka dhe pena. Lidhja, njëri nga ideologët e së cilës ishte edhe Pashko Vasa, i gërshëtoi në luftën e saj për çlirimin e atdheut. Ajo ishte fshesa që s’e kursente askënd që binte ndesh me kauzën. Prandaj edhe vargjet e “fletës” jehonin në “tenorin” e luftëtarëve bashkë me pushkët e tyre në istikame:
Qonju o Shqyptarë, prej gjumi, qonju,
Të gjithë si vllazen në nji besë shtrëngonju,
Dhe mos shikoni kisha e xhamija
Fe e Shqyptarit asht shqyptarija…
“Fleta” ishte prologu i një lufte të gjatë që poetët e zhvilluan me armën e tyre për t’i mënjanuar, në radhë të parë, përçarjet në bazë fetare, sepse ato përbënin rrezikun më të madh për fatin e atdheut e të kombit. Këtë e dëshmon edhe Naimi një dekadë pas “Marsejezës”:
Opopo! Ç’turp kanë marrë
Janë bërë tradhëtorë!
Dhe s’janë më shqiptarë
Se nga kombi hoqnë dorë… E dymbëdhjet vjet pas tij edhe Çajupi:
Shqiptarët? Sot s’ka shqipëtar
Turku, greku na kannë përndarë
Prifti, hoxha, kisha dhe xhamia
Na gënjejnë… U prish Shqipëria… Por poetët u bëjnë njëkohësisht edhe thirrje që ta braktisin rrugën e gabuar, madje edhe duke i arsyetuar deri dikund: “ Se nuk dinë se ç’bëjnë… të gjorët janë në gjumë… prandaj hiqni dorë, hiqni dorë – Naimi; e Çajupi: Mos bëni si keni bërë… por të lëftoni të tërë për atdhe…”
Sërish me apostullin e shqiptarizmit, me vargjet:  Ti Shqipëri më jep nderë, me ep emrin shqipëtar/ zemrën ti ma gatove plot me deshirë e me zjarr. Pra, bashkëkombasit nuk kanë pse të skuqen, përkundrazi duhet të krenohen, të mburren sepse, përveç të tjerrave, e kanë Epokën e lavdishme të stërgjyshërve që e mban emrin e Kryeheroit me veprën e të cilit do të krenohej çdo komb i Europës:
Kruj’ o  qytet i  bekuar!
Prite, prite Skendërbenë,
Po vjen si pëllumb i shkruar
Të shpëtonjë mëmëdhenë…
Poeti me poemën Histori e Skënderbeut ia la kombit porosinë që të luftojë deri në çlirimin e plotë të atdheut. Ndonëse, analizën e veprës, qoftë ajo edhe  e karakterit shkollor dhe e përmasave simbolike, e shoh krejt të parsyeshme, por nuk mund ta kapërcej pa e pasqyruar hidhërimin e poetit  ndaj bashkëkombasve që:
… e mbajtnë Turqinë!
Dhe m’anët  tjater ngrehnë
Mynxyrënë! Grekërin!
Mbajtnë plakën e pabesë!
Atë dhelprën dinake…
Në kufitë të  Shqipërisë…
Ca bashkuan Italinë…
Prandaj edhe porosia:
Shpirt i Skënderbeut thotë:
Vëllezër duke u bërë
Përpiqi për Shqipërinë,
Po të jini të  bashkuar
Është e bërë Shqipëria…
Naim Frashëri nuk mund ta kapërcente dot aktin e tradhëtisë ndaj atdheut, simbol i të cilit, për të gjitha kohët qe dhe  mbeti Ballaban Pasha. Prandaj:
Kush punon për mëmëdhenë
Atë zoti e ka  pranë
Më një vend me Skendërbenë
S’e ve kurrë Ballabanë…
Me porositë e mësipërme poeti komunikoi me kombin për një shekull dhe një të pestën e tij, duke arritur, pra, edhe në ditët tona. Ai do t’i gëzohej kumtit atje ku prehet, sikur t’ishte e mundur se ato u përkasin të kaluarës. Prandaj, Naim Frashëri për tërë atë që bëri për atdheun e kombin, u laurua me gradën më të lartë – Edukator i tij. Prandaj, zinë kombëtare nuk e shpalli kot zagoriani: Vdiç Naimi vdiç Naimi/ Moj e mjera Shqipëri… Ky ishte vetëm fillimi, sepse njëri nga adhuruesit e tij biblik:
Sikur të shoh, i tmerrshmë  Frashër,
Ndaj po mban zi përgjithmonë,
Ti më besniku trashëgonjës
I dashuris’ së vendit  t’onë… Por, jo, sepse “ kur më shihni se jam tretur/ mos pandehni se kam vdekur” sepse:
Bini Toskë, ju n’pikë të vrapit
Mos t’u ndalinn mal  as zall
Naim Frashëri i ra Qitapit
Mos m’e  lshue Shqypnin për t’gjallë…
Prandaj, të gjallë e të përjetshëm e kundron zadrimori, por jo edhe i fundit sepse:
Vargjet e tua me thërrimet e dheut janë  përzierë
Dhe na duket sikur me qenien tonë janë shkrirë
Rrugën e marrim në male e në buzë i mbajmë
Ngaherë
“ O  malet e Shqipërisë”
Çka mund të thuhet për katërshen e mësipërme? Një perlë  e rrallë,  prandaj edhe e denjë për një antologji, në të cilën radhitën vetëm të veçantit. Këto vargje e “gjunjëzojnë” edhe lexuesin më gjakftohtë. Prandaj Agolli, jo më pak se pasardhës i Lasgushit…
2.3) Sikur kryeshekulli i  shqiptarëve që u përjetësua nga De Rada, Naimi dhe rilindasit e tjerë edhe Epoka e Rilindjes Kombëtare e meritonte një monument të shkruar me alfabetin e Kongresit të Manastirit –  njëri nga lapidarët e saj. Atë mision “Në trajtën e fisnikëruar të artit” siç theksonte  E. Çabej, e sendërtoi Gjergj Fishta me kryeveprën “Lahuta e Malëcisë”.  Harku kohor – një gjysëm shekulli, teatri ku zhvillohen ngjarjet: Trojet shqiptare, Stambolli e Moskovi, Berlini e Londra, ndërkaq aktorët apo  protagonistët: shqiptarët, në njëren anë e pushtuesi,  fqinjët shovenistë dhe Fuqitë e Mëdha, në anën tjetër. Armët – pushkë e pendë në këtë rast jo vetëm në kuptimin simbolik. Në pasqyrimin e zhvillimit të ngjarjeve poeti është “kronist”.  Prandaj, po fillojmë me prologun e tyre: Beteja e parë midis shqiptarëve dhe hordhive malazeze zhvillohet në Vraninë: Pas rënies së dyzet dëshmorëve, sa i kishte çeta e Osos, heroi në kullën e barotit përgatitet për aktin sublim:
Ah kadalë, Nikollë, t’vraftë Zoti!
Pse këtu i thonë Oso Baroti:
Se s’ke pa shqyptar me sy,
Se djeg veten edhe ty…
Se ç’a dridhë Vranina e shkretë
S’e ç’a hjedhë kulla përpjetë…
Por heroizmi i Vraninës ishte zbehur deri n’atë shkallë sa që poeti e shtron pyetjen përmes së cilës e shpreh edhe shqetësimin e thellë:
Po ti djemt shqypni ku i ke
Ku i ke djemt, që sot për ty
N’armë m’u çue edhe me msy…
Ah po djemt që ti ke rritun
Ata mohit ty t’kan ra
Edhe vetit ia kan njitun
Njani turk e tjatri shkja
Kta për ty, jo, s’kan qindrue
Por për mbret e për Turki
Por për serb e për Greqi…
Prandaj, në shqetësimin e poetit lëshon rrënjë edhe dyshimi: “… Se shqyptarët do të bijnë m’nji fjalë/ Zot atdheut kta për t’i dal”. Por, bashkëkombasit i  rezultojnë të paparashikueshëm si për mbrasht ashtu edhe për mbarë – e themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ( LSHP, Tiranë 1997 f. 80): “ Trup në kam qohet Shqypnija/ Shk’a Gegni e shk’a Toskni… Atje poshtë në Prizren / Adyl Frashëri i Toskë me mend/ kështu ka nis të çel kuvend… Prijësi e përkujton të kaluarën dymijëvjeçare në trojet e veta duke i përballuar romakë sllavë e turqit pas tyre:
Skanderbegu ‘rrfe prej qiellet
Pallen zier atje në  Krue
Seç’ vetu ka n’rreze t’diellit
Shqyptarisë ia lshon kushtrimin.
Nga faqet e para të Lahutës e deri tek ato të fundit Kryeheroi dhe Epoka e tij janë gurrë e pashterrshme frymëzimi si në kuvende ashtu edhe në istikame, nëpër dekadat që poeti i ka përfshirë në veprën e vet.
Tok me heroizmin e luftëtarëve, në formimin dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare të brezave, ndikonin edhe vendet ku u zhvilluan betejat se për ato binin dëshmorë. Prandaj, përveç Vraninës që u përmend pak më lart, pranë Plavës e Gucisë, Hotit e Grudës, Çakorrit e Kelmendit, nuk mund të mos radhiten edhe Tuzi me Shkrelin, Prizreni Gjakova e Peja… Po i kapërcej edhe disa toponime të tjera, por Nokshiqin jo, sepse “ Sa shpejt Tringa i hap po e kthen/  sa shpejt “huten” po e mërthen/ M’parzme shkjaut se ç’po ia ven…” Natyra e punimit më detyron që të mos zgjatem rreth asaj vistre personazhesh, aktet heroike te të cilëve e ngacmojnë deri në palcë botën shpirtërore të lexuesit.
Në Faqet e Lahutës ka edhe shumë shembuj të tjerë, por mendoj se edhe këta të mësipërmit mjaftojnë për të konstatuar se edhe nga aspekti që po i qasem në këtë kumtesë i ka të pakta shoqet në poezinë shqipe, për t’mos thënë është e vetmja. Prandaj, në brezat e lexuesve të gjysmës së kombit që rënkonte nën kthetrat e pushtuesit e përmbushte misionin e saj duke u përcjellë nga dora në dorë. Por, duhet thënë se edhe nga ky aspekt nuk ishte e vetmja…
Në çerekun e dytë të shekullit XX Noli, Lasgushi dhe Migjeni e begatuan poezinë shqipe me margaritarë. I pari, katër vjet protagonist i jetës politke shqiptare u bë edhe themeluesi i vjershërimit në poezinë lirike shqipe me atë tematikë. Këtu duhet theksuar se lexuesi në ato vargje në radhë të parë e gjen vijnë e paprekshme të “demarkacionit” midis atdhetarizmit dhe tradhtisë. Poeti, pjestarët e grigjes së dytë i dënon pa kurrfarë mëshire: “Për ju të mallkuar që s’doni atdhe”. Duke e pasqyruar heroizmin e kombit gjatë njëzet shekujve: “ S’të trëmp Romani, as Veneciani/ as Sërp Dushani as Turk Sulltani…”e shpreh optimizmin e palëkundshëm për t’ardhmen e tij. Edhe mjetet artistike ndër të cilat dominon antiteza, poezinë e Nolit e bëjnë krejtësisht të veçantë.
Të dytin e kam cituar më lart, prandaj këtu vetëm po e nderoi me vlerësimin e profesor Çabejt: “ Djalëri shqiptare lexo Lasgush Poradecin dhe pastaj vdis… është shkrimtari që Shqipëria do tia falë njëherë botës” ( Zëri i Kosovës nr.1 1998). E nga i treti, më jetëshkurtëri në historinë e krijuesve të poezisë shqipre, i cili do ta begatonte letërsinë tonë me gurë edhe më të çmueshëm se atë që ia dhuroi, çka të zgjrdhim? Për temën që po e trajtojmë mendoj se mjaftojnë vargjet:
Na të birtë e shekullit të ri
Filizat e një toke tëë rimun me lotë
Ku djersë e ballit u dikonte kot
Se dheu ynë qe kafshatë e huaj.
A mos qe i vetëm Migjeni në atë “shekull të ri”? Jo. Atëherë ndonjëri nga bashkudhëtarët e tij? Kush tjetër përveç “Kopshtarit të letrave shqipe” qysh e “pagëzoi” Demaçi Plavjanin e lavdishëm – Esat Mekulin:
A është fajtor shqiptari pse nën këtë qiell jeton
Nën këtë qiell, në trojet e të parve t’vet
A është fajtor pse është dhe kurrë të mos  jetë    dëshirojnë
Pse për vatër derdh  gjak dhe i gjallë nuk e lëshon?
Prandaj: Çoj grushtet populli im ndër pranga/ shko në rrugën e gjakut ja vdekje ja liri… Në vend të komentit që e konsideroj krejtësisht të tepërt, po theksoj se bijë e bija, siç  dihet, iu përgjigjen kushtrimit të poetit përmes organizimit të fshehtë bashkë me rininë e Kosovës në vjeshtën e ’68-es e në përmasa edhe më të mëdha në pranverën e ’81-ës. Me siguri poeti e ndjente edhe veten jo në mes, por në ballë të Lëvizjes që në fund vendit i solli edhe LIRINË.
Po, mësuesit kushtrimdhënës i shkuan pas edhe nxënësit:
Nëse doni të dini, cila është dashuria ime
Le të flas kulla e shpuar,… toka e stolisur me varre
Sepse nëpër të çarat e thella një zë ka jehuar:
Për gjuhë,për tokë,për nder
Na kurrë s’jemi ngopur nga vdekjet – Dinë Mehmeti e pas tij:
Për këtë tokë gjaku ka rrjedhur e prindërit tanë
Kryet e kanë lënë, kumbona të mëdha kanë mbetur
Fjala e tyre kurrë para turpit s’u dridh – Ali  Podrimja.
Dy Nëntorët e lavdishëm, gati 500 vjet larfë njëri-tjetrit Noli i përthëkoi në vjershën Hymni i Flamurit me një strofë:
Me Skënderbeun u lavdërove
Dhe në fortun’ i funtmi u shove
Me Malon prapë lart vrapove
Yll i pavdekur për liri. – Nolin “koprrac” e “plotësoi” Dritëro Agolli  në poemën “Nënë  Shqipëri”:
Në Krujë kthehej djali yt hipur në kalë të bardhë
Vinte ai emrin Gjergj në djep ia kishe vënë
Vinte ai që emrin ia kishin marrë
Dhe në rërën e shkretëtirave ia kishin përzënë
Vinte ai me emrin që ti ia vure në ditën e lindjes,
Mbi vithet e kalit të bardhë rëndonte nata e    mesjetës
Mbi jelët e kalit të bardhë binte mëngjesi  i Rilindjës
Mbi trokun e kalit të bardhë kushtronte zëri i trumbetës
E i dyti?
Mes Myzeqesë tek frynte e derdhte shira nëntori,
Mes myzeqesë ecte karroca me fronin me kashtë
Ecte karroca e shpinte Plakun e Vlorës në Vlorë
Të ngrinte Flamurin e lashtë,
Të ngrinte Flamurin që pesë shekuj e mbajte qendisur
Fshehur sepeteve e mindereve të grisur…
Eci muza jonë poetike… sepse ,
Eci ai që ti, Shqipëri, nënlokja e maleve
I thua me fjalën Prindore: bir,
Eci ai që kurrë ndaj halleve
S’ndenji të bënte sehir:
Që kokën në shekuj mos ulje kurrë
Që ballin ta kishe krenar…
Si t’i pagëzojmë këto vargje përveçse Himn, e si të mos tronditen penjëzat e ndjenjës kombëtare nga himnet?! Megjithatë, këtu nuk mund të ndalemi, sepse kauza kombëtare po lëngon nga plaget e vjetra e të reja. Po u qasem të dytave për të përfunduar me të parat: “ Zonja Europë, e moçmja skile/ gjysma e qytetit flet shqip, gjysma serbisht në mes të ura e Ibrit/ tela me xhemba e ushtarë  të KFOR-it që flasin frangjisht/ skile, mos luaj bisht” (Agim Vinca).
Ashtu si Dara i Riu  që ia blatoi poemën një luftëtari të Kryeheroit, edhe emblema e çështjes kombëtare – Adem Demaçi shkoi gjurmëve të arbëreshit: atë tufë vargjesh ia “faturoi” mësuesit të të gjithëve – Esat Mekulit duke e nderuar në mënyrë të veçant. Prandaj, “afishen” e tij të parë e lexojmë në shkëmbin e parë të Grykës së Rugovës, të cilën poeti e sheh buzëplasur; të dytën në hyrje të Prishtinës me shtat gojë, e treta “e ngulur mbi Urën e Ibardhit/  o i bardhë, ardhacakët ta cunguan rrokjen e fundit/ t’i hëngrën shkronjat/ na i curruan trojet tona/ na i dhunuan kufinjtë tanë…/ edhe çfarë s’e pret Dardaninë time”. Me këto vargje sui generis poeti hero ia përkujtoi popullit tragjeditë që i përjetuam prej pushtuesit të identifikuar nga Fishta e Naimi para tij, Nolit pas tyre për t’mos përmendur edhe ndonjë tjetër. Me ato “afishe” poeti i drejtohet kombit që së paku mos të lejojë të na përsëritet historia, po pa hequr dorë asnjëherë që ta korrigjojmë atë – që t’i korrigjojmë padrejtësitë që na u bënë në të kaluarën. Këtij synimi Demaçi ia kushtoi tridhjetë vjet duke”bredhur” nëpër kazamatet jugosllave; duke u bërë kështu edhe prijësi i shumë brezave.
Kumtuesën dua ta përfundoj duke e “shfletuar” antologjinë “Eni vjen prej Çamerie” me  vargun e Naimit titull e vargjet e De Radës në ballë: “… Zjarr nxjerr gjiri i natës/ të ndjej Arta: shesh i luftës”. Në vargjet e dy të sapo cekurve dhe 32 të tjerëve është pasqyruar nga të gjitha aspektet ajo pjesë e atdheut tonë që nga lashtësia: Bukuria e atyre trojeve në rradhë të parë, heroizmi i bijëve dhe bijave që u lindën dhe u rritën aty bashkë me kobet që i përjetuan, përbëjnë pentagramin e historisë së tyre dymijë e sa vjeçare. Në ato poezi lexuesi gjenë Filatin e Gumenicën, Pargën e Janinën, Artën e Sulin, Prevezën e të tjera, me zotdalësit Pirron e Lekën, Ali Tepelenën e Marko Boçarin, Xhavelln me Bubulinën me të tjerë. Tani, ndonjëri nga poetët: “Ah, kjo toke Arberore/ Lis Dodone me pesë dega/ Si pesë gishta të një dore/ Prerë e ndarë në pesë brenga/ Ç’sopat kobi ia krasiti/ Lisit degët në pesë copa?/ Tehun për gjak ia kaliti në Berlin Putanë Evropa”. Një nga tiparet përgjithësuese që i karakterizon poezitë e kësaj antologjije është indi melankolik. E kuptushme: Çameria është pjesa e atdheut tonë ku janë gërshëtuar heroikja me tragjikën. Kjo e dyta është e përmasave të një plage, pa shërimin e së cilës shqiptarët nuk mund ta ndijnë veten të qetë. Antologjia e shpreh këtë shqetësim përmes vargjeve të njërit apo tjetrit poet bashkë me dozën e optimizmit sado e vogël që mund të duket ajo: “ Mijëra sëpata i ranë/ s’e prenë/ Mijëra zjarre i vunë – s’u dogj/ Është Lisi i Dodonës/  Patriark i jetës… prandaj,  Zgjohu Çam/ thuaji këtij shekulli gjallë jam…”.
Pra, poezia shqipe e periudhës së Rilindjës Kombëtare dhe e asaj që i erdhi pas deri në ditët tona, ishte shkolla jo në kuptimin e rrymave letrare apo linguistike, por si vatër ku brezat u formësuan në rrafshin kombëtar në bankat e shkollës së sapo hapur në Kosovë, që nga vitet kur 200 mësuesit e ardhur nga Shqipëria përveç “dritës e diturisë” i mbollën edhe fidanët e parë të atdhetarizmit (Historia e popullit shqipatar IV, Tiranë 2008). Rrënjët e atyre fidanëve nuk arriti t’i shkërmoqë as rankoviqizmi. Investimi u shpagua katërçiprisht: Rinia e të mesmeve bashkë me atë të fakulteteve e mbrujtur me idealin kombëtar, vjeshtën e ’68-es e regjistroi në faqet e historisë sonë. Ajo nuk u ndal, prandaj me shkronja edhe më të mëdha e regjstroi edhe pranverën e ’81-shës për të arritur kulmin me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
BIBLIOGRAFIA
1. Eçrem Çabej: Meshari i Gjon Buzukut, Tiranë, 1968
2. Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985
3. Konferenca Kombëtare e Studimeve për LPSH, Tiranë 1979
4. Zëri i Kosovës nr.1  1998
5. Eçrem Çabej: Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes,
Tiranë 2006
6. Jup Kastrati: Studime për De Raden, New York 2003
7. Rexhep Qosja: Historia e Letërsisë Shqipe II, Prishtinë 1984
8. Kristo Frashëri: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Tiranë 1997
9. Historia e popullit shqiptar IV, Tiranë 2008

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dalja për të bërë pazar në Shqipëri, nga  e hëna …