Roli i vlerësimit si instrument i menaxhimit dhe vlerësimi i mësimdhënësve

18 janar 2024 | 19:39

Drita Kadriu

Pse duhet të gjykohen mësimdhënësit dhe sistemi i arsimit për vlerësimin e performancës, kur vlerësimi si instrumenti kryesor i funksionit të kontrollit në menaxhment është pika më e dobët në të gjitha sektoret e sistemit tonë shoqëror.

Menaxhimi përfshin një sërë funksionesh që synojnë arritjen e qëllimeve në mënyrë efikase dhe efektive. Funksionet kryesore të menaxhimit, shpesh klasifikohen si: planifikimi, organizimi, udhëheqja, kontrolli dhe menaxhimi i burimet njerëzore. Kontrolli bën monitorimin dhe vendosjen e aktiviteteve në përputhje me planet dhe objektivat e organizatës.

Vlerësimi si instrument i funksionit të kontrollit mat performancën, efektivitetin dhe efikasitetin e aspekteve të ndryshme brenda një strukture organizative (ministri, komunë, drejtori, shkolla, kompani, biznes, etj). Disa nga pikat kryesore që lidhen me vlerësimin si instrument i funksionit të kontrollit në menaxhim janë: vlerësimi i performancës, shpërndarja e burimeve, vendimmarrja, kontrolli i cilësisë, zhvillimi i punonjësve, informatat kthyese, menaxhimi i rrezikut, llogaridhënia, organizatat bëhen organizata që mësojnë etj.

Në vendet ku meritokracia është e dobët, funksioni i kontrollit respektivisht vlerësimit brenda menaxhmentit është shumë i rëndësishëm. Në kontekste siç është edhe Kosova, vlerësimi i performancës dhe vendimmarrja në raport me shpërndarjen e burimeve është shumë sfiduese. Dobësia e parimeve meritokratike ka çuar në favorizime, nepotizëm, politizime si dhe faktorë të tjerë jo të bazuar në merita por që ndikojnë në vlerësime.

Vlerësimi si komponentë e menaxhimit, në të gjitha strukturat organizative është pika më e dobët e organizimit shoqëror. Si rezultat, menaxhimi efektiv duhet të lundrojë në këto sfida duke zbatuar sisteme të fuqishme vlerësimi që theksojnë transparencën, drejtësinë dhe llogaridhënien. Duke vendosur masa dhe kritere të qarta të performancës, menaxhmenti mund të përpiqet të minimizojë rolin e ndikimeve të jashtme në vlerësime. Nxitja e një kulture të informatave kthyese të vazhdueshme dhe zhvillimit profesional kontribuojnë në përmirësimin e performancës së përgjithshme organizative, madje edhe në mjediset ku meritokracia përballet me sfida të qenësishme. Në thelb, roli i vlerësimit në menaxhim duhet të bëhet një mjet kryesor për promovimin e drejtësisë, identifikimin e fushave për përmirësim dhe përpjekjen drejt praktikave të bazuara në merita brenda organizatës si për shembull: rekrutimi mbi bazë të meritokracisë së zyrtarëve publik e shërbyesve civil, të zyrtarëve të administrates në të gjitha nivelet dhe llojet e organizatave buxhetore, publike, politike etj. Këta shembuj mund të shtrihen tutje në institucionet arsimore të cilat në një ambient të tillë nuk janë fare imune nga mungesa e meritokracisë në procese.

Sot kur shoqëria kosovare është polarizuar rreth çështjes së vlerësimit të mësimdhënësve, besoj se temën duhet shtruar nga prespektiva e qasjes në përfshirjen e vet mësimdhënësve për format dhe metodat e vlerësimit. Nëse shkollat dhe arsimi përfaqëson strukturën shoqërore në pjesën më të madhe edhe vet shoqëria jonë me të mirat dhe të këqijat e veta reflekton në sistemin e arsimit. Në rrethana të ndikimeve të mëdha të globalizmit, të teknologjisë, të të drejtave dhe barazisë, edhe në Kosovë, sistemi i arsimit çdo ditë ballafaqohet me nevojat për ta pasur strukturën funksionale shumë më operative ku puna dhe angazhimi i mësimdhënësve dhe menaxhmentit do të përfaqësonte rezultate më të larta në vlerësim, posaçërisht në orën e mësimit si njësia bazë e realizimit të planifikimit, udhëheqjes, organizimit dhe kontrollit të procesit të të nxënit.

Vlerësimi i mësimdhënësve

Kur flasim për vlerësimin e mësimdhënësve, shtetet e ndryshme kanë qasje të ndryshme ndaj këtij procesi. Ndër metodat e zakonshme të vlerësimit të performancës së mësimdhënësve përfshijnë vëzhgimet në klasë, të dhënat e performancës së nxënësve, vetëvlerësimet, vlerësimi nga kolegët, duke reflektuar prioritete dhe filozofi të ndryshme arsimore.

Mësimdhënësit mund t’i nënshtrohen llojeve të ndryshme të testimeve ose vlerësimeve si pjesë e proceseve të zhvillimit të tyre profesional dhe certifikimit. Këto vlerësime mund të përfshijnë teste njohurish për lëndë specifike, provime pedagogjike dhe vlerësime të aftësive të mësimdhënies. Për më tepër, mësuesit mund të marrin pjesë në aktivitete dhe seminare të vazhdueshme të zhvillimit profesional për të rritur ekspertizën e tyre. Kërkesat dhe vlerësimet specifike mund të ndryshojnë sipas vendit, shtetit ose institucionit arsimor.

Vlerësimi i njohurive të mësimdhënësve për përmbajtjen shkencore shpesh bëhen përmes testeve ose provimeve të lëndëve specifike. Këto vlerësime zakonisht fokusohen në të kuptuarit e mësimdhënësve për përmbajtjen që ata e ligjërojnë. Forma e vlerësimit mund të përfshijë provime me shkrim, vlerësime me gojë ose një kombinim të të dyjave.

Qëllimi i vlerësimit të mësimdhënësve është që sistemi të sigurohet që mësuesit zotërojnë lëndën për të cilën ata janë përgjegjës për të ligjëruar me nxënësit në klasat e tyre, duke u ofruar nxënësve një bazë solide në përmbajtjen përkatëse akademike. Kërkesat dhe formatet specifike të këtyre vlerësimeve mund të ndryshojnë në varësi të sistemit arsimor, institucionit ose programit të certifikimit.

Çfarë po ndodhë në Kosovë dhe kush mund ta bëjë vlerësimin e mësimdhënësve

Në shtete të ndryshme, vlerësimi i mësimdhënësve shpesh kryhet nga organizata, institucione ose autoritete arsimore specifike si për shembull : a) Departamentet shtetërore të arsimit ; b) Nivelet regjionale të organizimit shtetror të arsimit; c)Bordet e ndryshme të certifikimit të mësuesve; d) Organet të ndryshme të akreditimit në arsim; e) Shoqatat Profesionale të Mësuesve; etj.

Në Kosovë kjo si përgjegjësi është në duart e Inspektoratit Arsimor, e cila struktur nuk është shoqëruar për periudha të gjata me plotësimin e nevojave funksionale si : mungesa e stafit, profesionalizmi, mungesa e rekrutimit, rekrutimi jashtë standardeve dhe ligjshmërisë. Sistemi jonë i arsimit ka një mori udhëzimesh e dokumentacionesh për fushë dhe menaxhimin e cilësisë, si licencimi, vlerësimi i performancës, masat afirmative për zhvillimin e vazhdueshëm (pakoja e licencimit). Për tërë këto vite të transformimit strukturor e funksional të arsimit, nga Inspektoati i Arsimit janë vlerësuar jo më shumë se 100 mësimdhënës, vlerësim i cili nuk është shoqëruar as me masa përmirsimi as me shpërblime. Andaj shteti ka mundësi dhe duhet të krijohen struktura dhe entitete edhe të tjera të vlerësimit , si për shembull KSHLM etj, që ta bëjnë vlerësimin e performancës së mësimdhënësve, si pjesë e vazhdueshme e zhvillimit profesional të tyre.

Deri sa proceset e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve duhet të jenë pjesë e pa ndarë e realizimit të funksioneve të menaxhemntit në të gjitha nivelet qeverisëse arsimore, në rrethanat e Kosovës po paraqiten dobësitë e vazhdueshme të kësaj teme siç janë: mungesa e organeve dhe entiteteve profesionale, subjektiviteti, mungesa e standardizimit, fushveprimataria e kufizuar, mbështetja e tepërt në të dhëna sasiore, trajnimi jo adekuat i vlerësuesve, rezistenca ndaj ndryshimeve, pa aftësia për të ndikuar e vepruar në aspektin afatgjatë, mekanizma të kufizuar të informatave kthyese. Sikur të kishim çdo ditë informata mbi të arriturat e nxënësve në klasë, mekanizmat e vlerësimit në klasë do të na shpëtonin me faqe të bardhë.

Trajtimi i këtyre dobësive shpesh përfshin rafinimin e metodologjive të vlerësimit, sigurimin e trajnimit për vlerësuesit, promovimin e transparencës dhe përfshirjen e balancuar të masave sasiore dhe cilësore. Përsosja e vazhdueshme e bazuar në informata kthyese dhe përvojë është thelbësore për të rritur efektivitetin e proceseve të vlerësimit si të nxënësve po ashtu edhe të mësimdhënësve.
Krijimi i strukturave funksionale të vlerësimit të vazhdueshëm të mësimdhënësve e bën procesin kredibil dhe të domosdoshëm. Përderi sa shoqëria e gjykon sistemin e arsimit dhe bën sehire me vlerësimin e mësimdhënësve, këtë nevojë të domosdoshme të funksionimit të sistemit të arsimit do ta mbajmë të aktualizuar vetëm atëhere kur duhet të bëhen temat për klikime ose për zgjedhjet parlamentare.

Pëvoja ime në bashkëpunim me mësimdhënës më ka mësuar se “vlerësimi e rrit dinjitetin dhe integritetin profesional, personal e njerëzor të mësimdhënësve ndaj nxënësve, prindërve dhe opinionit publik”.

Autorja është drejtoresh e Drejtorisë së Arsimit në Mitrovicë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Takimet në ditën e tretë në Forumin Ekonomik Botëror, Kryeministri…