Rossi do të tërhiqet nga MotoGP

10 shtator 2020 | 12:01

Lajmi vjen nga Gjermania dhe, nëse konfirmohet, do të ishte i destinuar të krijonte një tërmet të vërtetë në MotoGP.

Sipas portalit “Speedweek”, Valentino Rossi është gati të tërhiqet përfundimisht, duke lënë kështu një vend të lirë në ekipin Yamaha Petronas për Botërorin e vitit 2021. Në vend të tij, mbi M1 të ekipit malajzian do të hipte Andrea Dovizioso, i cili në muajt e fundit kishte njoftuar mosmarrëveshjen me Ducatin për rinovimin e kontratës së tij. Lajmi, natyrisht, duhet të merret me rezerva. Në fakt, fjalët e fundit të Valentinos për të ardhmen e tij ishin mjaft të qarta: “Unë do të qëndroj te Yamaha me 99 %”.

Është e vërtetë, “Doktori” nuk ka hedhur të zezën mbi të bardhë. Nënshkrimi i kontratës po vonon, por kohët e fundit shefi i Yamahas, Lin Jarvis, specifikoi se është çështje burokratike: “Nuk ka asnjë problem. Megjithatë, ka disa aspekte që duhet të merren parasysh në negociatat që po kryejmë. Yamaha e ka ekipin e vet ligjor në Japoni, Petronas në Malajzi dhe piloti në Itali. Ne duhet t’i bashkojmë të gjitha palët dhe situata që po përjetojmë në një shkallë globale e bën të vështirë që njerëzit të mund të takohen fizikisht”. Mund të ndodhë që gjatë fundjavës, në Misano, Vale mund të heqë çdo dyshim. Është garë “e tij”, konteksti më i mirë për një njoftim të madh, qoftë një lamtumirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në kuadër…