RRATHËT E JETËS DHE SHTIGJET E VDEKJES

07 qershor 2019 | 17:44

Berat Armagedoni

Rrëfimet e këtij libri kanë nisur udhëtimin në “Facebook”, në llogarinë e autorit, në “storiet e shkurtra” të tij, duke publikuar aty disa prej fragmenteve të tyre dhe duke matur, nëpërmjet reagimeve të fshehta të miqve, shijen e mirë ose të keqe të lexuesve për shkrimin dhe publikimin e tyre sikurse sot, në një libër fizik.

Se fragmentet e këtyre rrëfimeve janë pritur mirë nga lexuesit dëshmon publikimi i tregimit “Helena ime” fillimisht në revistën letrare “Jeta e re” të cilën e udhëheq Meliza, e cila është ndër personat e parë që e ka lexuar dorëshkrimin e këtij libri, i cili titullin e punës e kishte pa udhë, pra vetëm “Shtatë” dhe po e njëjta i sugjeroi për botim edhe të tregimeve të tjera qoftë ndaras nga njëri-tjetri, qoftë të gjithë bashkë në një libër, pasi që kanë një bosht të përbashkët tematik, ideor, kuptimor. Gjithashtu, edhe një topikë.

Pastaj, kur autori e përfundoi këtë pjellë letrare dhe komunikimin me redaktor dhe recensent e lexues të parë, këtë arkiv kujtimesh ma dorëzoi për lexim, për përkujdesje teknike dhe për botim. Ashtu si me Gëzimin, Melizën dhe Agron Gashin, me familjarët e vet dhe me disa miq më të afërt e më të përzemërt, autori i këtij libri me shtatë rrëfime që përbëjnë një roman, diskutoi edhe me mua për përmbajtjen e tij, për temat, motivet, personat, personazhet; për gjuhën dhe stilin e tij, po edhe për madhësinë e shkronjave dhe tipin e tyre, edhe për fotografinë në kapakun para dhe për atë mbrapa. Për titullin e tij nuk donte të diskutonte asnjëherë. Atij i pëlqente një titull simbolik, mua një titull metaforik. Unë përpiqesha ta bindja për një metaforë, duke i dhënë vdekjes hapësirë në titull aq sa i jep brenda romanit, me të cilin rritet dhe arrin moshën që ka sot, po ai ngulte këmbë për simbol.

Pavarësisht prej këmbënguljes së tij, erdhi koha që pak të lëshojë pe Rrahmani e pak unë. Titullin simbolik e bëmë edhe metaforik. Shtatëshit ia sht(r)uam udhët, pra simbolit ia bashkëngjitëm një metaforë dhe këto nisën shtegtimin bashkërisht në përgatitje teknike, në pllaka shtypi, në letër, në kapakë, në duar të autorit, të po atyre lexuesve të parë të dorëshkrimit, ndërkohë e shpërndamë nëpër librari të Prishtinës, kurse dje e dërguam për lexuesit në edicionin e 21-të të Panairit të Librit që po mbahet në Prishtinë, aty te Pallati i Rinisë, interesimi i të cilëve është i madh që në ditën e parë, sigurisht për shkak edhe të përurimit të madh që i ka bërë autori në media sociale, fizike dhe elektronike, po aq edhe unë dhe miqtë e tjerë të tij duke diskutuar gojë më gojë për shtatë udhët e tij, e që s’janë vetëm të tij.

Janë udhë edhe tuajat. Janë udhë të qytetarëve të Kosovës. Udhë të rinisë. Udhë të shpresës. Të mbijetesës. Të luftës. Të paqes. Udhë të të papriturave. Udhë të shtigjeve të vdekjes së njerëzve, po edhe të rilindjes së të tjerëve. Janë udhë nëpër të cilat ka kaluar autori, familja e tij e ngushtë, ajo e gjerë, fqinjët e tij, shoqëria, disa prej nesh që kemi pësuar fizikisht dhe psikikisht në kohë lufte, madje dhe në burgje. Megjithatë, pavarësisht prej të metave që kemi përjetuar gjatë kalimit nëpër këto udhë, shtatë udhët e këtij romani, ani pse të mbushin me lot, sepse kanë tema të ndjeshme dhe vuajtje të mëdha njerëzish, të mësojnë të ecësh përpara në jetë edhe kur gjendesh në vështirësi të papara.

Për fund po ju jap edhe këtë informacion: botimin e parë të këtij romani e kemi shtypur 650 ekzemplarë, 550 me lidhje të butë, 100 me lidhje të fortë. Dje (e mërkurë) në ditën e parë të Panairit të Librit, i cili është hapur në orën 12.00 dhe është mbyllur në orën 20.00, janë shitur saktësisht 64 ekzemplarë jo me çmim shtatë euro, po pesë euro. Këto të dhëna m’i kanë dhënë librarët e mi, të cilët, kur i pyeta kush qenë ata që i blenë, më njoftuan se ata ishin studentë të gazetarisë, të letërsisë, të gjuhës; studiues, gazetarë, diplomatë, shkrimtarë që kishin dëgjuar për botimin e këtij libri nga ato që i përmenda: rrjetet sociale dhe mediat. Ky numër i shitjes, për ata që marrin vesh nga shitja e librit, që kanë shtëpi botuese, që marrin pjesë në panaire librash, është i madh. Prandaj, për mua ky, pos sukses, është edhe nder i madh.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një anije luftarake ruse dhe një anije po ashtu luftarake…