Rrëfime të dëshmitarëve okularë të masakrës të Delijajve

19 maj 12:22

Afrim Hysenaj

Këtu po sjell rrëfimet e atyre që qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të ngjarjes para, gjatë dhe pas masakrës. Rrëfimet dhe përjetimet e tyre i paraqes siç m’i kanë dhënë, sipas mënyrës dhe stilit të tyre. Bashkëbisedimit i kam prirë vetëm sa për t’i motivuar që të flasin. Një formë intervistimi që vjen krejt spontanisht. Edhe korrektimi gjuhësor është shumë i sipërfaqshëm, ngaqë nuk kam dashur ta cenoj në çfarëdo forme autenticitetin.

Florie Bujupi-Deliu, Abri e Epërme

Florie Bujupi-Deliu ka lindur më 9 korrik 1962 në Arllat të Drenasit. Është bashkëshortja e Hysen Idriz Deliut me të cilin është martuar në vitet ’80. Patën pesë fëmijë: tri vajza dhe dy djem. Njëri djalë vdes para lufte. Në ofensivën e forcave serbe, në shtator 1998, Flories i është masakruar dhe vrarë burri, Hyseni dhe dy vajzat e saj, Mihanja 16-vjeçare dhe Antigona 14-vjeçare. Megjithatë, i kanë shpëtuar Mentori (9) dhe Arjeta (3). Floria dhe Hyseni, të dy bashkëshortët, lëngonin nga sëmundje fizike që nga lindja. Ishin me aftësi të kufizuara fizike. Për shkak se ka kaluar një kohë goxha e gjatë, rreth njëzet vjet, ajo e ka të vështirë të kujtojë çdo detaj. Herë-herë i ndihmon edhe Mentori me aq sa mban mend.

 

Znj. Florie, ka kaluar një kohë e gjatë, pothuajse 20 vjet. Ju kërkoj falje që ju ngjall kujtimet e atyre ditëve! A mund të na përshkruani, me pak fjalë, ç’ju kujtohet nga ato ditë?

…Unë me burrë tem e me fmij të mi’ para lufte dhe në luftë kem jetua bashkë me kunatin, Habibin dhe me gruan e tij. Para se me nis ofensiva, nashta i ka pas ni muj ma herët, Habibi, këtu ner shpi tonë, 300 metra ma nej në mal, e ka pas maru ni bunker që në rast rreziku me shku aty m’u mshef n’bunker. Qato ditë kur ja kan’ nisë me granatu pej Likoci na jena dal n’mal e kena nejt n’bunker, të gjithë s’bashku. Me neve u kan’ edhe halla e burrit tem, Maliqja. Tetëdhetë vjet i ka pas. Të nestrit Habibi me gru t’vet i ka marrë dy çikat e mia edhe Mentorin e u shku në Tërstenik, për me kanë atje ma sigurt. Neve na la n’mal, n’bunker, qaty. Pastaj t’nestrit u ardh Habibi veç me djalë. Me Mentorin u ardh n’gjys t’natës. E kom vetë: Bac, ku janë çikat? Tha as gruaja as çikat s’di ku janë metë…

(Këtu ndërhyn Mentori)

 Po. U kanë dikun ora 11-12 e natës kur jemi ardh prej Tersteniku, te vorret ku i kem tash, te “Llazi i Drenit”. Patum has n’shkje. Ata na hetuen si jem na dhe fillun me na gjujt pa ndal. Me tana llojet e armëve na gjujshin… Tani na u patum da tuj ik malit. Unë me Habibin kemi ikë bashk. Habibi më mbajke përdore, ato dy motrat janë metë tuj ik me gruan e Habibit. Unë e Habibi mrrijtum n’bunker, po i pamë që dy motrat e mija, Mihanja, Antigona dhe gruja Habibit, Zoja nuk janë aty. Kemi dalë kadale prap prej bunkeri dhe nëpër mal kemi fillu me za t’ult m’i thirrë n’emna…Oj Zoje, oj Mihane, oj Antigon! Menojshim që s’po e dinë venin me ardhë se terr, po kërkund s’i kem gjetë. Jemi detyru m’u kthy prap n’bunker. Qat nat’ kem flejt n’bunker.

… Tana, t’nestrit, kah ora 5 a 6 n‘mëngjes jem çu e ja kena nis m’u ba gati me shku m’u dorzu te shkijet, me shpresë se nëse dorëzohemi i gjajmë motrat edhe gruan e Habibit. Shkijet janë kanë aty, pak ma nej se ku janë sot vorret te “Llazi i Drenit”. Malit i lypshim motrat edhe Zojën, po nuk i gjetëm kerkund. Edhe fillum me thirrë me za se na po dorzohmi. Ddhe jena dorzu tek ata. Ata fillun me na marr n’pytje kush asht ushtar i UÇK nga lagjja e juve. E kanë vetë mixhën për Imerin, për Isakin se a janë ushtar. Edhe për Samin na kanë vetë. Shqip e vetshin. Ja kanë qit edhe një fotografi të Samis, djalit të Bacit Habib, edhe i thanë qyky asht djali yt. Habibi ju tha asht mjek i fmive Samia, jo i UÇK-së.

(Dr. Sami Deliu ishte djali i mësuesit Habib, i cili e ndihmoi UÇK-në dhe popullatën civile gjatë luftës. Shënim imi,  A. H.)

…Pastaj e rrehen Habibin se i than po rren. I ranë shpinës me kondaka t’armve, ja patën thy rruzën e shpinës e s’mujke me ec. Filluen m’i çu anej kah Mulit. Edhe nja 50 metra e patën myt Habibin. Baba jem, Hyseni, vrapoi drejt Habibit tue thirr kush më mban mue tash? Aty e kanë vra edhe Hysenin. Na i kena pa me sy kah i kanë myt. Unë ju pata gju përmi Habibit, ju pata kap për jakne prej tutës se po na mbysin edhe neve. M’ka kap një ushtar për xhemperi e m’ka çu prej Habibit dhe m’ka piskat “bezhi, jebem ti majku”. Me nanën edhe me Arjeten kena vazhdu trup malit me ik e kena ardh n’bunker. Aty ish pas kthy Zoja, gruja e Habibit, e dy motrat jo. E dvetm për çika. Na tha nuk di ku janë. Kur kanë fillu me na gju jena nda, ma s’di send për to…

(Mentori, tani 28-vjeçar, atëherë ishte vetëm nëntë vjeç. Shënim imi, A. H.)

 Njësoj pothuajse e vijon rrëfimin edhe Floria

 …jena çu heret, jena kanë 5 veta: unë, burri, djali, çika dhe Habibi. Jena nis me shku m’u dorzu. Pak pa mrri te shkjet tuj ec malit, Habibi thirrke me za se jem tuj ardh m’u dorzu. Na kanë dalë përpara do ushtarë, unë s’dij n’guhë të tyne, po na kanë thanë “stoj”! Kunati i ka çu durt nalt. Edhe unë, edhe djali e çika e burri. Na kanë rretheku do ushtar, tana na kan shti m’i ungj durt. E marrshin n’pytje kunatin. E kanë vetë a ka ushtar nojkend? E rrehshin ka ni herë. E kanë vetë a e ki djalin ushtar mjek në UÇK? Ky ka thanë jo. Ai e kish pas syretin e djalit t’Habibit n’xhep. Ja ka qit, a asht qyky? Kunati i rrudhi krahtë… E kena pa, ni moment ka dashtë me dal pej autoblinde Xhafer Qorri. (Polic vendës që punonte me ta si bashkëpunëtor. Shënim imi, – A. H,). Dikush e ka kap për setre e ka ngreh mrena. Janë ardh dy veta, nja i vogel nja i madh. Qitash me m’i qit perpara dytë i ngjoh. Njani pej tyne s’e ka lan ma Habibin me fol hiç. I ka ra n’faqe grusht. U rrutullu kunati e ky i ra n’shpin me kondak t’armës. Met shtremt kunati e na piskatum tan të katërtit. Nji tjetër, shqip na tha, shuni se ju korrin tanve! Na kan çu tanve pak ma nej për tej vorreve edhe ta myten Habibin. Burri jem i ka çu durt përpjetë e ka thanë kush um man mu tash? I ka than shkau qetash t’maj edhe ty unë. Edhe atë e myten… E kom marr djalin e çikën e s’kam guxu m’u kthy me dal n’udhe po jom nis malit e rrethit jom ardh te bunkeri. Zoja ish kanë ardh e kom vetë ku janë çikat? Tha vallahi nuk di…e qitum e lam… Taman jena ardh s’kem nejt shume n’bunker, jena çu e jena ardh n’shpi me Zojen. E pamë shpinë tuj u kall, e tham hajde shkojmë te familja e Imerit se na e dishum ku janë…

(Këtu ndërhyn sërish Mentori)

… Si jena dal n’sokak e kina pa n’rrugë t’vramë Ademin e jina shku kah bunarnat për të familja. Tuj shku livadhit e kena zatet djalin e Fazli Ramës, Hajrizin tuj ik. Ish kanë dath. Na e kena taku t’gjallë. Ish kanë tuj ik ndoshta nga ajo se si i ka pa familjen e Imerit të masakrun! Pastaj kena nie që u myt n’bunar. Pastaj kina mrri n’vend ngjarje dhe i kena pa të masakrumit ka nja ka nja. Pastaj jena kthy prap n’lagje dhe kena nejt dy-tri ditë derisa a ardh Imeri e na ka dërgu n’Terdevc.

Ke të shtosh gjë tjetër rreth kësaj tragjedie?

Kisha pas qef me ni nji ditë se ata kriminela janë denu për krejt çka na kanë ba neve! Me dal n’drit me dijtë se kush janë ata dhe m’u burgos me burg përgjithmonë. Jo veç për familje teme po për krejt çka kanë ba mbi familjet e Deliajve.

 

Ndërhyn Floria: Mbas dy jave që ka ndodh rasti na kina mrri me shku n’Pejë te vllavi jem dhe atje kena nejt deri u kry lufta. Edhe tri vjet mbas lufte atje kena nejt. Njerzit që na kanë nimu mas shumti pas ngjarjes janë Samia, djali kunatit edhe Imeri, kushërini jonë…[1]

Blerim Isak Deliu, Abri e Epërme

 Blerim Isak Deliu ka lindur më 15 qershor 1982 në Abri të Epërme. Ka qenë vetëm 16-vjeçar kur i ka shpëtuar masakrës. Është njeriu që ato ditë ka qenë gjithë kohën bashkë me familjen Deliu, deri në kur ka ndodhur masakra. Është vështirë të shpjegohet se si mbeti gjallë ai. Ndoshta, – siç thotë ai, – vetëm fuqia e Zotit e ka shpëtuar nga vdekja, edhe pse qindra plumba janë shkrepur në drejtimin e tij. Nga të gjitha rrëfimet e dëshmitarëve, ky i Blerimit, tani 36-vjeçar, ka qenë një prej rrëfimeve më trishtuese për vetë faktin se si i ka shpëtuar masakrës në “Zabelin e Rrajve” vetëm ky dhe katër fëmijët.

Blerim, ku ke qenë dhe ku ke qëndruar atyre ditëve të ofensivës serbe?

Ato ditë të luftës gjithë kohën kam qenë afër lagjes dhe përreth saj. Kam qëndru me kushërinjtë e mi që ishin me familjet e tyre, me Zeqën me Hajrizin dhe me disa bashkëfshatarë. Ndërkohë ka ardhur Ademi me familjen e tij nga “Fusha e Mollës” që ishte në fshatin Vërbofc. Na thanë se duhet me shku e me i ndihmu me e strehu familjen në malin e quajtur “Zabeli i Rrajëve” që ishte afërsisht 500-800 metra në juglindje të lagjes. Ushtria serbe ishte e vendosur në Likoc dhe qëndrimi në lagje ishte i pamundur. Na ndante veç 1.5 km vijë ajrore me Likocin. Ishte koha me shi, fëmijët kishin të ftohtë. Me Ademin filluam t’i bartim disa gjana për m’i maru disa shatore në mal. Atë ditë me mua dhe Ademin ishte edhe Imeri.

 Sa ka zgjatur montimi i tendave dhe a të kujtohet kur është vendosur familja aty?

Një natë, gjithë natën, vetëm shatorët i kem rregullua. Kemi bart gjëra të nevojshme për strehim si batanije, sungjera dhe ushqim për familje. Fëmijët ndiheshin të paqetësuar nga lëvizjet tona lagje-mal dhe anasjelltas. Ata qanin shpeshherë. Unë përherë kam qenë pas Ademit kah ka lëvizur ai, duke i ndihmu në çdo kërkesë që kishte. Para se me zbardh dita e nesërme i kemi strehu familjet ashtu siç kemi mundur, në mënyrë që gjatë ditës mos të kemi lëvizje të mëdha. Në mëngjes kemi shku dhe i kemi mjelë disa bagëti dhe kemi sjellë qumësht për fëmijë, edhe disa gjëra të tjera ushqimore. Atë ditë kemi ba goxha shumë lëvizje nëpër lagje. Me Ademin dhe disa djem të ri që ishin me ne, kemi organizua edhe roje. Natën na ka vizitu edhe Imeri me disa ushtarë të UÇK-së.

 Sa familje ishin aty të strehuara në mal?

Në fillim kanë qenë vetëm familja e bacit Salih, dmth familja e Imerit, nana, halla, vëllai, bashkëshortja, kunatat dhe fëmijët e tyre. Baci Pajazit dhe familja e Hajriz Deliut, gruaja dhe fëmija, janë bashkëngjit pas dy netëve të qëndrimit në tendë. Në lagje kanë qenë Hajrizi, (34-vjeçar), Alia (65) edhe Fazlia (94). Këta më kujtohen, po ndoshta ka pasë edhe të tjerë. Në mëngjes filluan granatimet e forcave serbe. Më kujtohet si sot kur dada Midë, rahmet shpirti i pastë, (Hamidja, nëna e Ademit), na tha: Adem, Zeqir dhe Blerim, djali jem, largonu ju pej ktuhi! Ademi i tha: Jo nanë, qysh ju la unë juve? Largonu ju, – tha se na jem n’mal e askush nuk na banë gja neve. Këtu nuk na rrokë kurrgja. Gjuajtjet nuk kishin të ndalur. Na tha që të dalim nga Lagjja e Demiqëve, pastaj kur të ndalen gjuajtjet ktheheni prapë. Ademi i tha se nuk mund t’i lë fëmijët vetëm. Edhe unë i propozova Ademit që të largohemi derisa të qetësohen pak gjuajtjet. Deri rreth orës 10.00 kemi qëndru aty pastaj jemi largu drejt Lugut të Demiqëve. Kur kemi shku aty i kemi takuar Hajrizin dhe Alinë.

Aty ishim unë, Ademi, Zeqiri, Alia, Hajrizi dhe dy veta që tani s’po më kujtohen. Të gjithë kemi rënë për toke sepse granatimet s’kishin të ndalur. Aty kemi qëndruar dy deri në tri orë. Ne heshtje bisedonim sepse dyshonim mos kanë aparate që mund të na dëgjojnë ushtarët serbë. Nga granatimet e mëdha pothuajse u rrafshua lagjja. Filluan pak të rrallohen granatimet. Ademi na propozoi mua dhe Zeqës të shkojmë tek familjet dhe tha se mund të kenë pësuar shumë keq nga granatimet. Në ato momente, më kujtohet shumë mirë Zeqiri, i cili ishte disi shumë i ftohur të vinte me neve, sikur e parandiente fatkeqësinë, sikur i kallëzonte Zoti se diçka e keqe do të ndodhë. Unë isha i vendosur të shkoja pas Ademit, sepse isha veç 16-vjeçar dhe u tutsha, e disi e shihja si shpëtim dhe si forcë të isha me të. Kur arritëm te familja, falë Zotit, të gjithë kishin qenë mirë.

 Çfarë ore ka qenë kur arritët te familjet dhe ç’bëtë pastaj?

Ka qenë paradite, diku rreth orës 11 apo 12. Na doli para nesh dada Midë, nëna e Ademit, rahmet pastë! Ademi e pyeti: Nanë, a jini t’gjithë mirë, me fmi e me krejt…? – Po, i tha, djali jem, po ku ja ke msy kshtu? – Du me shku n’lagje nanë – i tha, me shym noj zjerm dhe me pshtu naj sen çka muj me pshtu. Me tërhek noj sen çka muj me tërhek se tym e flakë po i shkon krejt lagjes. Nuk e harroj kurrë kur e ka lut dada Midë: Djali jem, mos shko, le të kallen krejt. S’po na duhen kurrgja. Rri këtu mos shko! Në atë moment unë kam qenë pas tij. Edhe Zeqa i tha, leje Adem s’po shkojmë hiç! Jo, i tha, e kam vendos të shkoj n’shpi. Jemi nis. Ata para, unë pas tyne nëpër rrugë dytësore. Duke u mshef kemi arrit n’lagje. Kur kemi arrit tek shpia e Beqirit e pamë lagjen tuj u djeg krejt.

Aty, në kryqin e rrugëve afër shpisë së Beqirit, na ka dalë n’pritë ni ushtar serb. Nuk e harroj, i kish pas dy armë n’dorë dhe një mantel të gjatë deri në fund të këmbëve. Unë isha në rresht i treti. Ademi, Zeqa pastaj unë. Rahmet i pastë shpirti, Zeqa tha: Adem, na u kajt derti, i lajtum duart. Nuk kam ditë gja kur diçka në gjuhë serbe ka fol m’u dorëzua apo s’di çka. Nuk kishim kurrgja me vete. Ishim tri metra afër, ndoshta edhe më afër, kur u dal, kurrë s’e harroj… duke dalë prej dyerve sikur i lujtun. Ka bërtit diçka, po unë s’e mora vesh. Jem kthy shpejt mrapa dhe kem fillu me ik shpejt. Unë isha i funit n’rresht dhe më ra i pari kur u kthym me ik. I kam dëgju duke thirrë “Ramo, dodji vamo!” (Ramo, eja këtu!).

I kishim përpara do tela që e rrethakonin një tokë të akusherive. Shkau u mundua të na kapte t’gjallë. Ishim pesë-gjashtë metra prej tij. Ne i kaluam telat dhe pastaj filloi me gjujt me armë… Ma nuk kam dijtë kurrgja… Nuk e ndalte gjuajtjen. Kem dalë n’sokak nër shpi tem. Aty jemi nda nga Ademi, unë me Zeqirin kemi vrapu drejt sokakut teposhtë, ndërsa Ademi është kthy në të djathtë me u fut n’shpi t’vet. Zeqiri vraponte nër shpi të Sadrisë e unë duke u lëshuar me vrap sokakut. Ma s’e kam ba men n’jetën teme që pshtoj. Plumbat dëgjoheshin duke ra sa andej e sa këndej. Në fakt, ata më kanë mbyt, po Zoti më ka shpëtu. Sa herë më kujtohet rasti them kam lind për të njëqindtën herë… as tani kur e mendoj s’e di si jam gjallë… as si kam shpëtuar… (ofshanë…). Për një kohë ai që gjuante a marrë veç me mu, dmth gjuante vetëm në mu. Vapoja drejt sokakut, sokaku ishte goxha gjatë dhe nga therrat që kishte anash nuk më jepte mundësinë të iki anash. Çast mendoja se i lava duart dhe mendoja mos të më kapin të gjallë sepse më masakrojnë.

No description available.

 A mund të vrapoje, a kishe fuqi?

U bllokova krejt në gjoks. Nga paniku e tmerri s’dija ku po shkel. Më dukej se zemra don me m’u ndal. Në fund të sokakut ishin bunarët. Një herë kam menduar të futem në një bunar për t’u fshehur, por prapë kam vazhduar vrapimin në krahë të majtë dhe jam gjuajt në një rrugicë dytësore, jam ra në tokë. Kam pushuar dy minuta. Për një moment e kam parë në anën e djathtë timen, Zeqirin, 50 metra nga ku isha unë, duke u ngjitur një bregore mali mbi livadh e që ishte mali i prerë. E kam parë kur e kanë gjuajt nga shtëpia e Sadrisë dhe ai ka rënë për toke pa mundur të lëvizë më. Jam menduar se nga ta vazhdoj vrapin, të shkoj drejt familjeve ku ishin të strehuar apo dikah tjetër. Vazhdova vrapin në drejtim të lugështajës. Tri metra vrapoja, tri metra shkoja zhagas. Kur kam dalë mbi lugshtajë jam futur në disa ara të Hysenve që ishin me misër. Aty i kam dëgjuar disa plumba që më kanë ardhë mbi kokë dhe një nga ta edhe flokët m’i ka prekë, ndërsa një tjetër edhe veshin e djathtë. Jam gjuajtur si pa vetëdije në disa therra që i kisha afër, nja pesë minuta nuk kam lëviz ma. Isha i përgjakur në fytyrë, kisha mbathur opinga të llastikut. Ndieja se këmbët po më narthin shumë dhe jam dathë krejt. Nuk kisha provuar tmerr dhe vështirësi më të madhe sesa të vraposh këmbëzbathur. Arave disi më lehtë. Kur kam dalë në rrugën kryesore, e cila ishte e paasfaltuar, por e shtruar me zall, e ndieja shumë dhimbjen e këmbëve që u shkonte gjak, por të ndalesha nuk guxoja. Kam kaluar arave mbi malin e quajtur “Zabeli i Rrajëve” ku ishin të strehuara familjet dhe kam arrit në lugshtajën e Demiqve. Aty disi jam ndje i lumtur se arrita t’i shpëtoj vdekjes së sigurt. Aty kam takuar dy persona, por tani nuk arrij t’i kujtoj kush ishin. Iu kam drejtuar me lutjen të më tregojnë se a ka ndonjë familje dikun, sepse më herët nuk kisha dalë dhe aq në fshat dhe s’dija nga të shkoja. Më thanë se janë disa familje të Lagjes Hysenaj të cilët janë strehuar në lugshtajën tek “Zabeli i Currit”, jo larg lagjes. Më thanë të ngutesha për ta kaluar rrugën kryesore, sepse gati janë forcat serbe të bashkohen nga të katër anët në qendër të Abrisë, tek Lagjja e Hysenajve.

U nisa të shkoj tek ato familje. Pak pa dalë në Lagjen e Hysenajve, një mal që i ndan lagjet e Demiqëve dhe Hysenajve, e kam takuar një ushtar të UÇK-së. Më pyeti ku je duke shkuar? I tregova rastin krejt. Më tha po më dhimbesh, por do t’i them dy gjëra: Nëse do që të rrish me mua, unë këtu kam hapur një bunker të vogël. Vetëm një gjë po të tregoj që ta kesh të ditur. Në qoftë se më heton ushtria serbe, unë do t’i gjuaj deri në plumbin e fundit… E kishte pas plot gjyksoren karikatorë të mbushur me fishekë. Nëse nuk frikohesh, rri! – më tha. Nëse mendon se e ke më të sigurt tek familjet, shko atje! Unë deri në plumbin e fundit do t’i gjuaj. Nëse më sosën fishekët e kam një bombë që do ta ruaj për vete dhe nuk do të dorëzohem i gjallë. Unë vendosa të shkoj tek familjet. Kam vazhduar për te familjet e strehuara të Hysenajve në “Lugshtajë”. Kur arrita isha tepër i frikësuar, i zbathur e i përgjakur ftyrës. Fillova të dridhem, më kapën ethe e të dridhura trupit. Nuk e harroj kurrë një grua aty, e Hysenajve, m’i ka ofruar një palë çorapa dhe një palë sandale dhe pak bukë. U tregova se isha djali i mësuesit Isak nga Lagjja e Deliajve. Më pyetën se prej nga po vjen. U thashë se isha me disa kushëri në lagje, por s’e di çfarë është duke u ba me ta hiç. Aty më zuri nata.

 Si ju gjeti dita e nesërme, çfarë ndodhi pastaj?

Të nesërmen kah ora 11-12 pamë që disa ushtarë po lëshohen teposhtë nga ana e “Garrapolës”. Një herë menduan disa fshatarë se janë ushtarët tanë dhe thanë mos u friksoni. Ata u lëshuan ngadalë në drejtimin ku ishim ne, por edhe nga anët e tjera na rrethuan. I pamë se ishin të gjithë serbë. Na rrethekuan dhe i zunë pozicionet me armë drejtuar neve.

Ishin paramiltarë e ushtarë së bashku. Kishin mjekrra të lëshuara. I dëgjoja bashkëfshatarët duke thënë se janë çetnikë. Zhurma e tyre ishte e madhe. Unë nuk kuptoja gjuhën e tyre. Isha shumë i frikësuar. Gratë dhe fëmija filluan të qajnë. Njëri nga ta ka hyp në një breg mbi neve që ishim të grumbulluar dhe ka bërtitë që të ndalemi, mos të qajmë. Me këmbë i ra tokës duke na hedhur gurë e dhe mbi neve. Pastaj erdh njëri që ishte me ta ushtar, i cili shqipen e dinte perfekt dhe na tha që asnjë za s’do që ta dëgjojë. Në orën pesë të gjithë do të shkoni nëpër shtëpi tuaja. Deri atëherë asnjë za mos t’ua dëgjojmë sepse ju jini pak dhe ju masakrojnë e askush nuk di asgjë. Ne jemi në tërheqje e sipër dhe ju do të bëni siç ju themi ne. Afërsisht ishim 40 veta. Na urdhëroj që të rriturit të dalin në njërën anë dhe të rinjtë në anën tjetër. Dy nga dy do t’i lidhin në duar dhe do t’i dërgojnë në Likoc. Isha si pa vetëdije nga paniku që po përjetoja. Natën isha shoqëruar me Dritonin. Ai ishte i fundit i rreshtuar, unë isha pas tij. Kur më erdhi radha të lëvizi nuk lëviza. Erdhi një nga ata dhe më kapi në gjoks. Unë dyshoja se po më njeh që isha nga Lagjja e Deliajve. Më ka ngritë në këmbë dhe diçka më thoshte me ton të ashpër në serbisht, por unë s’e kuptoja. Ajo gruja që më kishte falë çorapët më tha ulu këtu ti, merre këtë setër vëje krihëve, se s’janë kah të thonë ashtu. Jam ulë në përrua për t’u dukur më i ri. Kisha vendosur edhe një kapuç në kokë. Ata të gjithë të lidhur dhe të ndeshur, në brez e lart, i morën me traktor dhe i nisën për në Likoc.

Aty kah ora pesë, ata që ishim mbet në lugshtajë, filluam ngadalë të ngjitemi lart në lagje. I dëgjova disa që thoshin se një plakë ka shpëtuar për shkak të disa fëmijëve, nuk e dinin kush janë fëmijët, pastaj u tha nga dikush se këta fëmijë janë të Deliajve. U afrova shpejt tek një shtëpi që kishte shpëtuar pa u djegë për shkak të fëmijëve dhe nënës Shehide, që të shoh kush janë ata fëmijë të Deliajve.

I pashë. Ishte Besniku, Alberti dhe ato dy vajzat. I njofta që të katërtit. Ishin tre fëmijët e Enverit dhe një ishte i Imerit. Fillova t’i flas Besnikut. Ishte pesëvjeçar. Më njihte. I thashë, Besnik, ku është Ademi, ku është familja, pse jeni ardhë vetë deri këtu? Ai nuk më dha asnjë përgjigje. Kishin qenë të përgjakur në fytyrë dhe në tesha. Ishin të lodhur e të molisur shumë. Ishin edhe të plagosur. Dikush ua kishte lidhur plagët me fashë…

Aty në Lagje të Hysenajve kam parë njerëz të mbytun, njerëz me kry te prem’, të mbuluar me dyer të kerreve. Pastaj kam vazhdu në drejtim të lagjes sime. Rrugës kam takua disa njerëz që tani nuk më kujtohen me emra dhe as kush kanë qenë, po e di se nuk më kanë lënë të shkoj në lagje, as në vendin ku ishin të strehuar familjet e Deliajve. Pas pak dikush na tha se aty ka ndodhur një masakër e tmerrshme. Më vonë në të njëjtën ditë jam taku me babën dhe vëllanë të cilët po më kërkonin për të vdekur e me gjetën të gjallë. U habitën kur më panë sepse nga të gjithë sa ishim bashkë në lagje, vetëm unë dhe katër fëmijët kishim shpëtuar. Të masakruarit nuk i kam pa asnjëherë. Ndoshta po t’i shihja do të çmendesha. Me insistimin e dr. Samisë dhe babës tim, ato ditët e para pas masakrës, nuk kam dhënë asnjë intervistë për gazetarët që ishin në vendngjarje, edhe pse më kanë kërkuar shumë.

 Prej asaj kohe e deri sot të ka intervistuar ndokush për këtë ngjarje?

Është hera e parë që po e tregoj këtë ngjarje me kërkesën tënde dhe me dije se të duhet për libër. Ndoshta e kam treguar para shumë miqve, por jo me kaq emocion dhe jo me dijen se i duhet dikujt si ngjarje për ndonjë libër apo gazetë. Askush s’ma ka kërkuar një gjë të tillë, se jo që s’kam qenë në gjendje ta tregoj ngjarjen… Më vjen mirë dhe të falënderoj që e ke marrë këtë rrugë për ta bërë një libër për masakrën e familjes Deliu. [2] (Vijon në “Epoka e re”)

[1] Rrëfimet e Florie Hysen Deliut dhe djalit të saj Mentorit. Dorëshkrim, nentor 2017.

[2] Rrëfimi i Blerim Isak Deliut. Dorëshkrim,nëntor, 2017.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Gjilan është inauguruar Muzeu Etnologjik. Me ketë rast, kryetari…