Rrëfimi i Afrim Mehmetit për rastin e Paraqinit (11)

27 janar 2021 | 11:30

Aziz Kelmendi dhe enigma e vrasjeve pa luftë në kohë robërie 

Shkruan: Lulzim Sahiti

Afrim Mehmeti: Isha 18-vjeçar kur nisa shërbimin e rregullt ushtarak, të cilin e kisha përfunduar më 14 shtator 1987 dhe më lejuan t’i vesh rrobat civile. Mirëpo, sapo dola nga porta kryesore e kazermës u bë arrestimi im nga Policia Ushtarake. Policët më kanë përplasur për një muri të një shtëpie, afër po të njëjtës kazermë, ku veç kisha qëndruar dhjetë ditë. M’i lidhën duart dhe më mbajtën të shtrirë në tokë për njëzet deri tridhjetë minuta. Gjatë kësaj kohe disa qytetarë serbë kalonin afër meje. Më kujtohet që disa nga qytetarët kërkonin nëse këta kanë nevojë për t’i ndihmuar policët ushtarakë. Por një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi ata nuk pranonin dhe për një moment erdhi një automjet me sinjale të Policisë Ushtarake, në të cilin më futën dhe më dërguan në paraburgim, ku ndodhej Burgu Ushtarak i Nishit. Futja në këtë burg u pasua me një dhunë fizike nga shufrat, shqelmat derisa zhvishesha nga rrobat civile, rroba këto që i kisha veshur para një ore dhe vesha po të njëjtat rroba ushtarake që veç i kisha hequr para një ore. Dallimi ishte se këto rroba ushtarake tani ishin pa rrip dhe këpucët pa lidhëse. Më dërguan në qeli pothuajse zvarrë duke më fyer në të gjitha aspektet familjare dhe kombëtare, duke potencuar gjithnjë si ndihmës i Aziz Kelmendit në serbisht “Pomagaq Aziz Kelmendija”. Me një gjysmë vetëdije, pasi u futa në qeli, i dëgjova disa këshilla nga drejtori i burgut për rregullat shtëpiake. Realisht një arrestim të tillë e prisja, sepse që nga 2-3 shtatori më kishin marrë në pyetje, deri një ditë para se të më lironin, ashtu siç më liruan dhe pastaj më arrestuan. Por unë ndryshe nuk pata mundësi të veproja, veç t’i vesh rrobat civile, ta pranoj fletëlëshimin dhe të dorëzohem kur ata më dolën përpara.
Ishin dy oficerë që filluan të më merrnin në pyetje, njëri ishte me gradën major e tjetri nënkolonel që tash emrat e tyre nuk më kujtohen. Hetimet e tyre bëheshin duke më marrë në pyetje gjatë gjithë ditës, ndonjëherë deri në orët e vona të mesnatës. Këta oficerë nuk përdornin dhunë fizike, përveç insistimeve për të pranuar ndonjë rol timin, në ndihmë dhe vrasje bashkë me Azizin. Ishte ngarkesë e rëndë psikike të jesh me dikë duke insistuar për diçka që nuk e kishe bërë. Për atë rezistencën time që bëja kishte një metodë tjetër që ata e praktikonin. Thërrisnin drejtorin e burgut, që quhej Stanko dhe i thoshin merre e dërgoje në qeli sepse ky s’po bashkëpunon. Çfarë ndodhte më tutje? Porsa hyja në korridorin e qelive, të ofronin një kovë me ujë dhe një peshqir, që edhe sot e mbajë në mend se çfarë ngjyre dhe sa i madh ishte. Përkulesha në gjunjë dhe nga fillimi i korridorit filloja ta pastroja. Gjatë pastrimit, unë pozitën e kisha në gjunjë e në duar kisha peshqirin, me të cilin detyrohesha ta pastroja korridorin që ishte nga betonit i lustruar. Gjatë pastrimit një gardian më qëndronte prapa, kurse një tjetër para meje. Këtu fillonte edhe dhuna fizike. Gardianët mbanin në dorë shufra gome, të cilat i përdornin gjatë gjithë kohës duke na rrahur. Njëri na godiste nga mbrapa, kurse tjetri nga para. Ishte dhunë e tmerrshme saqë ndonjëherë nuk arrija ta mbaja as peshqirin në dorë nga dhuna e përdorur me anë të shufrave të gomës. Lëvizja ime lejohej aq sa gardiani bënte lëvizje dhe ndonjëherë ky pastrim zgjatej deri një orë, për një korridor rreth 10 deri 15 metra i gjatë dhe i gjerë diku 2 metra. Lirohesha nga pastrami vetëm atëherë kur të njëjtin veprim kërkonin ta kryente dikush i radhës nga bashkë të burgosurit e tjerë të akuzuar për rastin e Paraqinit.
Të kuptohemi kjo formë e dhunës bëhej vetëm për një arsye që po nuk fole te hetuesit dihej çfarë të priste. Se kush ishte i radhës nuk e dinim. Edhe pse ishin në një burg të përbashkët, secili nga ne nuk e dinim për njëri-tjetrin se ku gjendeshim.

Gjatë këtyre veprimeve, ndonjëherë gardianët nuk arrinin t’i përmbahen vetëm dhunës me shufra gome dhe në një rast të caktuar për t’i kënaqur epshet e tyre shtazarake njëri nga gardianët më shqelmon me këmbë në pjesën e përparme të fytyrës, ku me këtë rast më pëlciti gjaku në nofullën e epërme të dhëmbëve dhe pjesën e hundës. Forma e goditjes në këtë pjesë ishte e lehtë për ta sepse unë isha në pozitën në gjunjë duke pastruar korridorin. Më është dhënë ndihma e parë diku në qytet dhe më kanë kthyer në qeli përsëri. E mbaj në mend se kisha dhimbje të mëdha. Pas një jave apo dhjetë dite, ky problem më kaloi. Me thënë realitetin, kjo ishte një e mirë në fatkeqësi sepse për katër ditë sa isha i sëmurë, nuk u mora në pyetje dhe nuk e pastrova korridorin. E vetëkuptushme nuk pësova as dhunë fizike. Por edhe qëndrimi në qeli ishte sfidues. Në një qeli kishte një shtrat dhe një tavolinë me një stol të vogël të mbështetur për muri. Gjatë qëndrimit në qeli, duhej të ishe i ulur, ku duart duhej të vendoseshin mbi tavolinë dhe kokën duhej të kishe të drejtuar nga muri. Lëvizjet nuk ishin të lejuara. Nuk ke pasur mundësi të lëvizje sepse ishe nën vëzhgim të vazhdueshëm nga gardianët e burgut dhe mosrespektimi i këtij rregulli pasohej me ndonjë ndëshkim që në këto raste zakonisht bëhej me përdorim të dhunës fizike.
Dhunë tjetër e vazhdueshme ishte kur të nxirrnin nga qelia për tualet apo për ndonjë nevojë tjetër ditore siç ishte dërgimi tek hetuesit etj. Isha i detyruar në çdo kënd të qelisë e të burgut të ndalesha, të mbajë kokën poshtë, duart mbrapa dhe lëvizjet duhej të bëheshin vetëm me urdhrin e gardianit. Përveç urdhrit për lëvizje pësonim edhe dhunë fizike duke na goditur me shufra në anën e majtë dhe të djathtë të trupit. Këtë dhunë fizike, gardiani e bënte me majën e shufrës duke mbajtur shufrën në mes të saj. Këto goditje ishin goxha të forta dhe gjithnjë për një periudhë të caktuar mbetnin njolla në trupin tim.

No description available.

Foto: Afrim Mehmeti, komandant i Qendrës për Stërvitje Kolektive në FSK

Pas një muaji apo dy, nuk jam i saktë në kohë, më nxorën nga qelia dhe më dërguan në njërën nga dhomat, ku pashë dy njerëz. Ata më thanë të ulem në këtë karrige. Unë u trishtova kur e pashë atë karrige, me disa tela të zgjatur rreth saj sikur doja të refuzoja të ulem. Pyeta pse çfarë është kjo? Njëri nga ata mu përgjigj duke më thënë se është detektorë i gënjeshtrave. Unë kam për të bërë disa pyetje, ti duhet t’i përgjigjesh pyetjeve te mija. Unë realisht nuk kisha pasur njohuri për këtë lloj aparature. Në mendjen time, thashë shumë mirë qenka kjo tash mund të tregoj saktë situatën. U ula, mi vendosën disa nga telat në kokë dhe disa në duar e këmbë. Më thanë, duhet veç të vërtetën të tregosh dhe fillojnë të më bëjnë pyetje që kishin të bëjnë më ngjarjen. Për një moment filloi të më dridhej trupi e veçanërisht duart dhe sytë të më lotojnë. Pata një ndjesi të trupit të lodhur apo të plogështisë ekstreme. Jam ngritur dhe me forcë kam larguar të gjitha telat, ndërsa personeli që ishin me këtë aparaturë filloj të kërkojë ndihmë nga gardianët kinse për mos dëgjueshmëri. Më morën dhe më futën në qeli dhe pas njëzet minutave në të dy duart sipër mu shfaqën disa plasaritje të vogla dhe kam kërkuar ndihmë. Shumë shpejt kanë ardhur një staf i tërë në qeli. Me ta ishte edhe njëri nga hetuesit e mi. Më pyetën se çfarë problemi kam dhe ju tregova për duart. Për një kohë të shkurtër më kanë dërguar në një objekt, ku kam parë personel mjekësor ushtarak, bashkë me mua ishin dy gardianë dhe drejtori i burgut. Më kontrolluan sytë dhe duart. Për duart nuk kishin ndonjë konstatim, ndërsa për sytë thanë që i ka të çrregulluar. Më dërguan prapë në qeli dhe mi kishin caktuar një lloj të barnave. Këto barna i përdorja në prezencë të personelit të burgut. Kisha shqetësim të veçantë për duar. Një mjek që bënte vizitë nganjëherë në burg, me një rast ishte bashkë me drejtorin e burgut dhe ai po e pyet mjekun: “Çfarë u bë me duar se akoma po i lëngojnë”. Unë vërtet nuk kisha dhimbje, por të lënduara i kisha akoma. Mjeku po i thotë drejtorit të burgut: “Nuk janë asgjë, i ka djegur me cigare!”. Që vërtet forma e plasaritjeve ngjasonte me djegie.
Përveç hetimeve që kishim çdo ditë, herë pas here na dërgonin edhe te gjykatësi hetues. Pas deklaratës që dhashë, më pyeti kinse për shëndetin, kishte dëgjuar për të gjitha ato që më kishin ndodhur dhe i tregova se jam duke përdorur terapi. Aty e kuptova se ajo terapi është e rëndë sepse gjykatësi i tha drejtorit të burgut nëse vazhdohet me përdorimin e këtyre branave ndaj tij, gjykimi nuk mund të mbahet. Unë pas një jave kam ndërprerë barnat. Nisa të mos i përdorë më, jo me dëshirën time, por nuk i sjellën më tutje. Fillova të mos bëjë gjumë të rehatshëm asnjëherë. Çdo natë ngrihesha nga gjumi duke ulëritur saqë nganjëherë nga gardianët e burgut pasonte edhe dhuna fizike, kinse për shqetësim të të tjerëve me qëllim.

Gjatë hetimeve, gjykatësi hetues Marinko Radenkoviq, kapiten i klasës të parë e kishte formuluar një deklaratë shumë mirë ku thuhej: “Aziz Kelmendi në tubime më së shumti ka folur për faktin pse Kosova duhet të bëhet Republikë. Ne jemi pajtuar me të dhe jemi marrë vesh si të realizohet kjo, tha Afrim Mehmeti”. Deklarata në fjalë është lexuar para meje dhe unë jam pajtuar plotësisht me te. Këtë deklaratë timen i gjithë personeli hetues nuk e kishte pritur mirë. Unë realisht e kam bërë për të vetmen arsye. E para nuk besoja se do t’i shpëtojmë pushkatimit dhe më keq e dija që nuk kishte ku të shkonte. Personeli i burgut, në shenjë revolte që edhe pas rastit të Paraqinit kam konsideruar se Kosova duhet të bëhet republikë, më kanë sjellë në qeli dy libra që kanë qenë për Enver Hoxhën, një ka qenë e shkrimtarit Ismail Kadare, e mbaj mend se ishte romani “Kështjella” dhe nja dy apo tri të tjera kam harruar çfarë ishin.
Sipas tyre, unë isha i helmuar rëndë me nacionalizëm dhe irredentizëm dhe se jam njeri i rrezikshëm për shoqërinë Jugosllave. Tani kinse unë mund të lexojë këtë literaturë veç në burgje, se ti je i papranueshëm për shoqërinë Jugosllave. Këtë literaturë e kam pasur në qeli diku tri ditë. Të them të drejtën asnjërën nuk e kam lexuar. Kush kishte vullnet për të lexuar kur gjatë gjithë kohës isha nën hetime me inspektorë!
Vetëm një javë para se të filloj gjykimi më është lejuar të kam avokat privat, ku familja ime kishte angazhuar avokatin Bajram Kelmendi, ndërsa avokat zyrtar kam pasur oficerin ushtarak, Novica Pejçiq nga i cili kurrfarë ndihme juridike nuk kam pasur. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…