Rrëfimi i të mbijetuarës së luftës, Elhame Muçolli, në Poklek të Vjetër

07 maj 2026 | 21:51

Elhame Muçolli ka lindur më 2 qershor 1984 në Poklek të Drenasit. Prindërit e saj ishin Ilmi dhe Shemsije Muçolli. Ata kishin gjashtë fëmijë: katër vajza dhe dy djem. Elhamja ishte fëmija i tretë me radhë. Ishte vetëm 14 vjeçe kur arriti t’i mbijetojë krimit të forcave serbe mbi familjarët e saj. Ajo ishte aty, në dhomën e gjakut, së bashku me nënën, tri motrat, dy vëllezërit dhe familjen e gjerë. Ajo mbi një milion herë e sfidoi vdekjen për të qëndruar mes nesh, me rrëfimin më të trishtë që njeh njerëzimi. Elhamja shkollimin fillor e ka përfunduar në Poklek. Pas luftës Ela ka mbaruar shkollimin e mesëm në Prishtinë. Në Poklek iu vranë dhe dogjën: nëna, tri motrat dhe dy vëllezërit. Ajo rrëfen për mbijetesën në ditën tragjike. (Fragmente nga intervista e saj):

Veç ajo para luftës ish kanë jetë për mua. Deri më 17 prill ka qenë për mua jetë, pas saj veç jam gjallë… sa për të jetuar, për burrin e fëmijët. Unë jam një nga gjashtë të mbijetuarit e masakrës së Poklekut. Në atë dhomë të krimit, në Poklek të Vjetër, ishim gjithsejtë 59 persona. Gjashtë shpëtuam, 53 i mbytën në formën më çnjerëzore. Ishte situatë e rëndë. E shihnim dhe e ndienim se diçka tepër e rëndë dhe e keqe do të ndodhte. Axha përpiqej të na jepte forcë me fjalë: Mos u tutni se s’do të ndodhë asgjë. S’kishim kah të iknim. Kur kanë ardhur për së dyti i kanë hapur dyert e oborrit me forcë. Fillimisht e vranë qenin. U nisën drejt shtëpisë me hapa të shpejtë. Axha prapë u doli përpara. Axhën e ndalën poshtë te qoshja e shtëpisë. E qitën para pushkës. I mbeti koka kah ne. E kthente kokën e sikur donte të na thoshte diçka, por s’mundte. Milici me pushkë i rrinte te shpina. Pastaj kanë hyrë brenda. E morën Ymerin dhe e nxorën jashtë. Pa u bërë dy minuta, kanë krisur armët. Ne që ishim brenda kemi filluar të bërtasim e të qajmë. E kuptuam se i vranë. Të gjitha nënat, njëra pas tjetrës, duke parë e duke bërë, i qitën fëmijët e vegjël, vajzat e reja, prapa vetes. U kthye milici shpejt, hyri në korridor me armën drejt nesh. Na tha mbylleni derën. Na bërtiste në gjuhën e vet mbylleni derën. Ne s’e kuptonim. Ka filluar të bërtasë edhe më shumë. Gruaja e axhës, më në fund, e kuptoi. Na tha po thotë mbylleni derën. Dikush që ka qenë afër derës e ka mbyllur. Sapo e ka mbyllur derën e dhomës, milici ka filluar t’i thyejë xhamat e derës së hyrjes së shtëpisë. Pastaj e ka hapur pak derën e dhomës sonë dhe e ka hedhur bombën. Sapo nënat e kanë parë bombën, janë hedhur mbi trupat e fëmijëve për t’i mbrojtur. Gruaja axhës, e vetmja ka qenë ulur, jo e shtrime, e unë kam qenë e shtrirë, po këmbët i kam pasur afër saj. Kur e ka hedhur bombën, gruas së axhës i ka rënë në prehër dhe ka shpërthyer. Sapo ka nisur pak trupi të më ftohet, kam vënë re se jam plagosur në këmbë. Çikën e axhës e kisha me trup përmbi. Naime e ka pasur emrin. I kam thënë: Naime, largohu, se po kërcej prej dritares, e hajde kërce edhe ti. Naimja është larguar, unë jam çuar e jam afruar te dritarja. E kam kapur pragun e dritares, por m’u kanë marrë mendtë dhe jam rrëzuar. Më vonë, kur kam dalë jashtë, kam parë që isha plagosur edhe në gji. Nuk doja të më zinin të gjallë, të më dhunonin e të më masakronin. Pa u rënë në sy, fillova të ec ngadalë drejt lagjes së Berishëve, arave, deri te një gardh. Aty vërejta se filloi të më humbë vetëdija. Kam pirë pak ujë që ishte tubuar nga shiu. S’dija ç’të bëja. Të kthehesha në shtëpi s’isha që kthehesha, të shkoja diku tjetër s’dija. Këmba filloi të më dhembte më shumë. E kam shpalosur dhe e kam parë gjendjen e saj. E kam hequr një çantë nga shpina, të cilën e mbaja gjithë kohën në shtëpi atë ditë, të shihja çfarë kisha në të. Me një çorapë e kam lidhur këmbën përmbi gju, por nuk mund ta shtrëngoja fort. Këtë reagim, për moshelmim të këmbës, e pata parë në filma. Më tepër s’dija ç’të bëja. Jam nisur drejt shtëpisë së Sylë Sylejmanit. Jam ndal në oborr të saj. Kam thirr, po s’është përgjigjur askush. Shtëpia, pa frymë njeriu. I kam parë disa të mbathura jashtë dhe i kam marrë, se isha vetëm në çorapë. Krejt e bërë qull nga shiu. Njërën këmbë e futa në këpucë, tjetrën s’munda, se nuk e zinte për shkak se më ishte ënjtur. Ndërkohë më lëshoi fuqia. Zhargas kam shkuar në drejtim të shtëpisë të mësuesit tim të parë, Miftar Hasanit. Kur kam shkuar e jam ulur në oborr, gjendja veç m’u vështirësua. Doli dikush, një grua, e i thashë ikni se i kanë mbytur te na e tash vijnë ju mbysin edhe juve. Qysh tha i kanë mbyt. Po na më herët bashkë ishim! Oh…, i thashë, i kanë mbytur, po ikni sa më shpejt, se vijnë ju mbysin edhe juve. Dolën një pas një për të ikur. Ata u nisën të ikin, unë u shkoja prapa ngadalë. Dikur këmba s’më punonte më. Një mbesë e tyre, nëse nuk gaboj Ajete e ka pasur emrin, po Shotë i thoshin, motra e Bejtë Rexhepit, i ka thënë nënës së vet: Oj nanë, këqyre qysh e paska këmbën! I ka gjuajtur çantat dhe më kanë kapur me Sadete Hasanin. Mendonin se kam vdekur. M’u afruan, m’i këqyrën duart dhe thoshin paska vdekur. Nuk mund t’u dëshmoja se jam gjallë, se nuk mund të lëvizja asnjë pjesë të trupit. Dikur e kam lëvizur pak gishtin, për t’u treguar se jam gjallë dhe për t’u thënë mos më lini këtu. Dikush tha: Oj nanë, e livriti dorën! Më është afruar dikush, i kam hapur sytë dhe e di që më kanë bartur në krahë derisa kemi shkuar në shkollë të Poklekut. Nuk e di ku e kisha pasur gjithë ata gjak që më kishte rrjedhur. Plaga ime në këmbë ka qenë rreth 4 cm e hapur nga predhat e granatës. Mishi kishte dalë jashtë lëkurës. Filluan pjesë të bukës të më qitnin në plagë për ta ndalur gjakderdhjen. Fillova t’u tregoj sikurse tash juve, ndoshta jo të gjitha, se nuk mund të flisja shumë. Por, ato që i dëgjonin, mezi i besonin. Ndërkohë, derisa merreshin me plagën time, dikush erdhi dhe tha se Leutrimi me Lumen dhe me Nitën, edhe këta familjarë të mi, kanë shpëtuar nga krimi. Për mua ishte e pabesueshme. Lumnija ka qenë e plagosur në gishta të dorës. Dikush tjetër ka thënë thuaji Lumnisë ngrite zërin që ta dëgjojë unë. Ajo ma ka thirrur emrin. Kur e kam dëgjuar zërin e saj, nisi të më rritet shpresa se kanë shpëtuar edhe të tjerët. Dhe sapo e kam parë Lumen, për plagët e së cilës kujdeseshin të tjerët, e kam pyetur kush është mbytur nga familja ime e ngushtë. Heshtja e saj ishte e kuptueshme: asnjë s’kishte mbetur gjallë.

Herën e parë që jam takuar me babën pas kësaj ngjarjeje ka qenë mbrëmje. Jemi takuar në fshatin Vasilevë. Ai kishte marrë vesh çfarë ka ndodhur. I kishin treguar. Me babën më përgatitën për takim. Në natën e tretë a të katërt pas krimit, më thanë po të vjen baba. I kishin thënë se duhesh me kanë i fortë para çikës. Edhe mua më thoshin duhet me qenë e fortë para babës. Kur ka hyrë brenda për mua ka qenë një tjetër dhimbje e madhe. E harrova veten, më besoni. Jemi përqafur pa bërë asnjë fjalë një copë herë. Ai përqafim zgjati me lot e me shtrëngim. Dikur nisëm t’i thoshim njëri-tjetrit: T’kom ty! Edhe unë t’kom ty! Ata na kanë shku, po ne e kemi njëri-tjetrin. Gjithmonë jemi përpjekur t’ia fshehim njëri-tjetrit këtë ngjarje, këtë dhimbje që na hante përbrenda. Sa herë që shiheshim qeshnim prej zorit. Kur jemi kthyer në shtëpi pas luftës kemi gjetur lodra dhe rroba nëpër oborr. Ato ditë kanë qenë po aq të rënda për ne dhe të paharrueshme. Ne ishim shumë fëmijë, kishim plot lodra e shumë gjallëri. Prej të gjithë atyre që kemi qenë para luftës, kur jemi kthyer pas luftës, prej gjinisë femërore, prej katër shtëpive, kemi mbetur, unë vajzë, Lumnija nuse dhe Arbenita katërvjeçare. Asnjë tjetër. Kanë shpëtuar djemtë ushtarë, edhe burrat që kanë qenë në Gjermani.

Po e kujtoj një rast të atyre ditëve të para të krimit. Kur dëgjuam zhurmën e automjeteve të milicisë, lëvizjet e tyre, në një tatëpjetë, derisa iknim, kolica ime nuk ecte në baltë. Ikën të gjithë e mbeta vetëm me axhën. I thashë: Axhë, unë e dektë se e dektë, pshto ti. Jo, tha, çika jeme. Qitmi duart këtu. Kapu për krahësh të mi në shpinë, shtrëngomë me duar rreth qafës. Edhe pse ia kapa duart, prapë ia lëshova e i thashë ik ti, pshto, dhe kam rënë në rrugë. E dëgjoja automjetin që vinte. Doja të më shkelte. Të më mbyste. Prapë më ka kapur axha, më është lutur ta shtrëngoj fort. Kurrë s’është dorëzuar axha Halil. Plot djersë dhe mund i kam sjell. Inshallah ma ka bërë hallall!

Ankthi do të na përcjellë gjithë jetën. Deri vonë fëmijëve nuk u kam folur për atë ngjarje. Dikur më s’kam mundur pa u treguar. Kisha ankth si t’u tregoja, çfarë t’u thosha që më mungon familja e gjerë. U kam treguar veç kush m’i ka bërë këto, kush ma ka vrarë familjen, ndërsa çfarë kam për­jetuar, jo. Ata sot për herë të parë do të dinë çfarë ka përjetuar nëna e tyre. S’u kam shpjeguar asgjë, se janë të rinj në moshë dhe shumë të ndjeshëm. Pa e ditur tërë ngjarjen, vuajnë më shumë se unë.

14 vjet e gjysmë kam jetuar me ta, por ëndrrat i shoh veç me luftë. Më herët shpesh i kam parë ëndërr, po ka kohë që më s’i shohë.

Këto fragmente të intervistës së saj, dhënë autorit të librit “Shtëpia me gjak në mure”, Afrim Hysenaj, u lexuan sonte në amfiteatrin e vogël të Bibliotekës Kombëtare nga Alma Ramaj, e cila krijoi emocione të forta te të pranishmit, të cilët në shumë raste shpërthyen në lot përballë rrëfimeve të dhimbshme dhe kujtimeve të tragjedisë. Ky aktivitet u organizua në kuadër të aktiviteteve të tjera mbështetëse të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, edicioni VI, përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.


 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në amfiteatrin e vogël të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës sot,…