Rrëfimi i të mbijetuarit të luftës, Leutrim E. Caraku, në Poklek të Vjetër
Leutrim Caraku ka lindur më 19 gusht 1989. Është nga fshati Dobroshec i Drenasit. Ishte vetëm nëntë vjeç kur i shpëtoi masakrës në Poklek. Ai ishte strehuar tek dajat. Ishte brenda dhomës ku u vranë, u masakruan dhe u dogjën 51 njerëz. Leutrimi ishte brenda bashkë me nënën, dy vëllezërit dhe gruan e axhës. Fati deshi që ai të shpëtojë falë gruas së dajës, Lumnijes. Fragmente nga intervista e tij, më poshtë:
Unë jam nga fshati Dobroshec. Me datën 17 prill 1999 jena tubu t’gjithë n’familjen Muçolli. Me qëllim jena nis me dal në Drenas. Atë ditë ka pas shumë shi. Kur kena shku te xhamia kanë dalë dy serbë nga xhipat dhe na kanë tha: “Duhet m’u kthy, se s’ban me dal në Drenas”. Pastaj ata kanë gjuajt për anash me armë, për me na kthy mbrapa, dhe na thanë kthenu. Njëherë u dajtum nga familja Muçolli, se kishte edhe tjerë njerëz t’fshatit Poklek. Jena kthy e kemi ardhë n’këtë dhomën qitu. Jena ardhë ktu e kena nejt me tanë bashkë. Atje, n’atë pjesën afër varrezave, a kanë e vendosun milicia serbe. Prej atjehit janë ardhë dy-tre milicë. Kanë fol me Sinanin dhe Ymer Elshanin. Kanë kërku prej tyne me i qit krejt që janë mrena për me na ngjeh sa jemi. Na kanë nxjerrë jashtë e tani kanë thanë se duhet me u kthy prapë mrena t’gjithë. Jena kthy tanë mrena. I kanë marrë Sinanin dhe Ymerin. I kanë qu n’atë pjesën poshtë atje dhe kanë gju mi ta. I nijtum krismat e armëve dhe e ditum që diçka me ta ndodhi. Pastaj njani prej milicve u ardhë deri n’oborr dhe i ka gjuajtë me armë xhamat e dritares. Pastaj u ardhë u hi mrena. Na jena kanë krejt ktu mrena. Ka kërku me mbyll derën. Sa m’kujtohet, u kanë dikush aty ngat dere dhe i ka bërtit me mbyll derën. Kur u mbyll dera e ka gju ni bume, po ajo s’ka kërsit, pastaj e ka gju ni bume me gaz. N’qato momente ajo e mbijetumja, Elhemja, e ka thy xhamin e u dal jashtë. M’kujtohet që kur e ka gju bumën, m’u kanë gju shumë njerëz përmi… edhe mue m’ka hup pak vetëdija ose m’ka ra t’fiktë, pastaj ai u hi mrena e ka fillu me gju me kallash, mi krejt neve që ishum aty. Pas ni kohe t’shkurtë kam ardhë n’veti. E çelsha synin kapak e shihsha atë… i shkilke me kambë dhe i kontrollojke, a janë myt a s’di, i shplojke me kambë e ju mshojke me ditë kush asht’ gjallë hala. Unë veç e kqyrsha. Kur vijke n’pjesën ku jam kanë unë, bijshin mi mu ato teneqet e plumave… e kisha pas kryt e vllaut, qetu mi këtë pjesë të kokës tem. Vllaun tem e kish rrok plumi midis koke nga ana e sipërme e gjaku i tij krejt ka ardhë mi kry tem e m’ka mbulu… dhe ka gju prapë ai milici me armë, e i ka shkel derisa ia ka marrë menja si i ka myt krejt… Kur i hapa sytë e pashë veten përfuni trupave që m’kishin ra përmbi. Isha i përgjakur krejt. Kqyrsha rreth vetes pamjen makabre. Kur hyni milici serb përsëri, u bana kishe jam i dekun, ndërsa ai nisi t’i shohë radhazi kufomat, se mos kishte mbetur gjallë naja. Kush lëvizke pak, ose jepke shenja se asht’ gjallë, e ekzekutonte me nga një plumb. Këtë tmerr e kam pa me sytë e mi!
Tanaj e kam pa që Lumnija është e mbijetume, u qu e para, dhe ka thanë me za kush asht’ gjallë qunu… ajo e kishte n’dorë vajzën, Arbenitën. Tani jam qu unë. Aty ka pas t’mbijetun që s’kena mujt me i nxjerrë, tani masi janë ardhë s’dyti herë forcat e serbëve, i kanë vra. Domethënë ata që i maj men u kanë djali Elmisë, ai u kanë i plagosun veç n’kët’ pjesën e ballit në anën e djathtë, po ka pas kufoma përmi. Jena munu me nxjerrë me Lumnijen, po s’kena mujt. Janë kanë gjallë edhe djali dhe gruja e Xhavitit. Djali i Xhavitit i ka pas dy vjet, s’e pamë t’plagosun hiç, nashta u kanë, e gruja e tij veç n’kambë u kanë e plagosne. Na i thamë ana djalin se po dalum, ajo na tha shkoni thirrne dikan se nuk muj jav dha. Pastaj m’kujtohet, t’plagunit lypshin ujë. Ni djalë kogja i rritun u shku zhag n’korridor dej te dera e shpisë dhe u munu me dal, po s’ka mujt, aty e kanë gjet t’kalltë. Tani unë kum fillu me lyp nanën, se s’dijsha ku asht’, se vllaznin i kisha pa t’mytun, se kur u ra bumja i kom pa trutë e fmive t’shkapërderdhne. Lumja i kapke i kthejke. Kur e kam kap vllavin tem gjysën e qafës e kish pas t’hjekt. Unë kam thanë e thamë edhe sot, mos me pas kanë Lumja unë s’kisha mujt me dal prej qatuhit, se s’kam ditë kah me ia majt. Sot jam gjallë falë Lumnijes. Lumja u marrë me mu, me çikë t’vet e me të mbijtunt që ishin gjallë e janë kanë mrena n’dhomë, tuj u munu me iu nimu najsen, po s’mujke. E maj men që djalin e Elmisë jena munu me nxjerrë. Mrena atyne pak minutave jena hi s’di sa herë n’dhomë të masakrës me Lumen. E lypsha nanën, po prej gjakut e zhurmës s’e shihsha, s’e njofsha cila asht’.
Këto fragmente të intervistës së tij, dhënë autorit të librit “Shtëpia me gjak në mure”, Afrim Hysenaj, u lexuan sonte në amfiteatrin e vogël të Bibliotekës Kombëtare nga Alma Ramaj, e cila krijoi emocione të forta te të pranishmit, të cilët në shumë raste shpërthyen në lot përballë rrëfimeve të dhimbshme dhe kujtimeve të tragjedisë. Ky aktivitet u organizua në kuadër të aktiviteteve të tjera mbështetëse të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, edicioni VI, përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.




