Rreth 1.7 milion euro investime për sportin në Gjakovë

15 maj 2019 | 17:03

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti të mërkurën në takim kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Në këtë takim, ministri Gashi dhe kryetari Gjini kanë nënshkruar  dy memorandume bashkëpunimi për mbështetje financiare për projektet “Renovimi i Stadiumit të Qytetit në Gjakovë” dhe “Ndërtimi i kompleksit të tenisit në Komunën e Gjakovës”.

“Memorandumi për ‘Renovimin e Stadiumit të Qytetit në Gjakovë’ do të implementohet gjatë viteve 2019/2020/2021, kurse MKRS-ja për këtë memorandum bashkëpunimi investon mjetet financiare në vlerë prej 1,300,000.00 €, ndërsa memorandumi për ‘Ndërtimin e kompleksit të tenisit në Komunën e Gjakovës’ do të implementohet gjatë vitit 2019. Ky investim mbështetet me mjetet  financiare në vlerë prej 383,000.00 €”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Ministri Gashi ka thënë se nënshkrimi i këtyre memorandumeve  për investime në fushën e sportit në Komunën e Gjakovës po bëhet me qëllim të krijimit dhe avancimit të infrastrukturës sportive. “Pas këtyre investimeve të rinjtë e Gjakovës dhe sportistët e këtij qyteti do të kenë mundësi më të mira për realizimin e aktiviteteve të tyre sportive. Ne si Ministri e Sportit mbetemi të përkushtuar që të bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha komunat e Kosovës dhe t’i ndihmojmë ato për përmirësimin e infrastrukturës sportive, sepse kështu krijohen mundësi dhe kushte të volitshme për zhvillimin e aktiviteteve sportive”, ka thënë ministri Gashi.

Ndërkaq kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, shprehu falënderim të veçantë për ministrin Gashi për nënshkrimin e këtyre memorandumeve, duke e konsideruar këtë veprim të ministrit të shumëpritur për qytetarët e Gjakovës.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarët në Meksiko Siti kanë shpallur emergjencë të ambientit pasi…