Rreth 1 milion euro kërkohen në muaj për trajtim mjekësor jashtë vendit

26 mars 2024 | 12:35

Zëvendësdrejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Bujar Kaçuri, gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka thënë të martën se Qeveria e Kosovës i ka ndarë 15 milionë euro shtesë këtij fondi për programin për trajtim jashtë vendit.

Ai ka bërë me dije se mbi 800 lëndë janë shqyrtuar dhe aprovuar nga bordi për trajtim jashtë vendit, të gjitha ato lëndë të cilat i kanë plotësuar kriteret me Udhëzimin e ri Administrativ.

“Vlera e përgjithshme e shpenzimeve në kuadër të programit për trajtim jashtë vendit është mbi 22 milionë euro. Vlera e kërkesave mujore është rreth 1 milion euro për trajtim jashtë vendit”, ka thënë Kaçuri.

Kaçuri ka shtuar se në raportin e fundit të dërguar në Ministrinë e Financave shuma totale e obligimeve është 15 milionë euro duke përfshirë ato kontingjente dhe obligimet e rregullta.

“Me Udhëzimin e ri Administrativ kemi bërë një bazë të mirë ligjore që ka eliminuar procesin e parapagimit për rastet e rregullta, sepse në ta kaluarën rastet e rregullta janë parapaguar në bazë të pro-faturës të dorëzuar nga ana e pacientëve dhe bordi për trajtim jashtë vendit në bazë të dokumentacionit mjekësor dhe financiar ka aprovuar kërkesën mirëpo nuk është ditur asnjëherë saktë vlera e shërbimit që ka marrë pacienti”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë që Roger Federer është tërhequr nga tenisi të gjithëve…