‘Rrezikojmë të mbesim pa paga’, gazetarja e RTK-së pyet pse s’po lëviz LV-ja drejt kompromisit, Abrashi: Po e adaptoni narrativën e opozitës
Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, në pyetjen e gazetares së RTK-së për përgjegjësinë e partisë së tij – si partia e parë që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit, për konstituimin e Kuvendit dhe për kolapsin e mundshëm që mund t’i ndodhë disa institucioneve, përfshirë edhe RTK-së është përgjigjur duke akuzuar mediat për “adoptim të narrativës së opozitës”.
“Rrezikojmë të mbesim pa paga. A ndiheni përgjegjës si parti fituese për këtë?”, ishte pyetja e saj.
Abrashi në përgjigje ka akuzuar partitë tjera që në legjislaturën e kaluar se “nuk votuan marrëveshjet ndërkombëtare” dhe se e lanë vendin pa miliona.
“Përmes bllokimit që kjo opozita i ka bërë marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, dëmi që i është bërë Republikës ka kap miliona euro. Fatkeqësisht, po vazhdon edhe tash, po në një formë krejt tjetër, si rezultat i bllokadës politike, por me pasojat me të mëdha”.
Por, sërish gazetarja e RTK-së i ka kërkuar përgjegjësi Abrashit për rolin e partisë së tij për të dalë nga kriza.
“Megjithatë, krejt kjo situatë mund të tejkalohet me një marrëveshje dhe kompromise. Pse nuk po lëviz Lëvizja Vetëvendosje përpara me kompromise?”.
Në përgjigje, Abrashi ka kërkuar që faji t’iu mbetet partive të tjera dhe jo Vetëvendosjes.
“Unë jam këtu për t’i treguar se si ta bëni punën e juaj e çfarë diskursi duhet me përdorë, veç kam frikë se jeni duke adoptuar narrativën e opozitës. Nuk ka faj Lëvizja Vetëvendosje në krejt këtë punë. Ne po bëjmë gjithë çka kërkohet prej neve. Ne po marrim pjesë në votim. Po vijmë në Kuvend. Po e ngrisim dorën. Pyetja që duhet të shtrohet është çka bën opozita. Vijnë kot. Nuk votojnë. S’pranojnë me marrë obligimin e tyre si deputetë të Kuvendit. Ju kisha lut që për hir të arsyes dhe objektivitetit ta adresojmë fajin aty ku është, te bllokuesit e vërtetë. Ata kanë emra. Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, e cila kohëve të fundit siç po duket po reflekton edhe pozitivisht”, ka thënë Abrashi.
Gazetarët që kanë përcjellë konferencën kanë reaguar për akuzën për anshmëri të Abrashit, i cili më tutje ka tentuar ta zbuste fjalorin.
“Motër e nderuar, nuk jam këtu për t’ia treguar punën e juaj. Vetëm po e shprehi njëfarë shqetësimi, që ndoshta pa dashje po adoptohet. Ne nuk kemi mekanizma mediatike qysh i ka opozita për fat të keq. Nuk po ushtrojmë kontroll mbi disa media, s’po i barazojmë të gjitha”, ka thënë Abrashi.



