Dogana arrin 10 për qind më shumë të hyra se sa dy muajt e parë të vitit të kaluar

04 mars 2021 | 15:38

Dogana e Kosovës për dy muajt e parë të këtij viti, ka arritur të inkasojë afër 167 milionë euro apo 10 për qind më shumë të hyra krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Udhëheqësi i drejtorisë së zbatimit të ligjit në këtë institucion, Bashkim Arifi, në një konferencë për media, ka thënë se projeksioni i të hyrave për vitin 2021, është rreth 1.2 miliardë euro, i cili edhe mund të arrihet nëse vazhdohet me trendin e dy muajve të parë të këtij viti.

“Gjatë periudhës raportuese për këta dy muajt e parë të vitit të hyrat e përgjithshme të inkasuara nga Dogana e Kosovës në total ka arritur shumën afër 167 milionë euro që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak është afër 10 për qind më shumë. Do të thotë rreth 14.6 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Kur kihet parasysh fakti se këta dy muaj të vitit të kaluar nuk kanë qenë muaj pandemik, kushtimisht po e them për shkak se ende nuk kemi pasur masa kufizuese anti-Covid, kjo është një befasi e këndshme për buxhetin e Kosovës në të cilin kemi arritur t’i rrisim të hyrat për këta dy muaj”, ka thënë Arifi.

Ai ka thënë se ky rezultat është arritur falë performancës të mirë të stafit të Doganës së Kosovës, operativës në inkasimin e të hyrave, si dhe veçmas angazhimin në luftimin e evazionit fiskal, kontrabandës dhe informalitetit.

Ndërkaq udhëheqësi i Departamentit Kërkimor, Driton Azemi, ka treguar se Dogana e Kosovës kanë kryer rreth 1070 ndalesa rrugore, duke shtuar se janë duke u hetuar 11 zyrtarë të Doganës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti Suad Sahiti është lojtari më ri i Shibenikut, pasi…