Rritet eksporti nga Kosova për në Gjermani

26 gusht 2018 | 14:47

Sipas Entit Federal Gjerman të Statistikave, Kosova në periudhën janar – qershor 2018 ka eksportuar mallra në Gjermani në vlerë prej 11 276 000 euro në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ku ka eksportuar 8 807 000 euro.

Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermane-Kosovare (OEGjK), Nora Hasani, ka treguar që kjo odë në vazhdimësi ka ndihmuar firmat anëtare që ta shfrytëzojnë më mirë potencialin e tyre për eksport në Gjermani, duke dhënë kështu një kontribut në uljen e deficitit të lartë në bilancin tregtar të Kosovës me Gjermaninë.

“Kosova ka potencial të madh për ta shumëfishuar eksportin e saj në Gjermani. Këtë më së miri e ilustrojnë statistikat e fundit të Entit Federal Gjerman të Statistikave, sipas së cilit gjatë gjysmë vjetorit të parë 2018, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitin paraprak, vërehet një rritje mbresëlënëse prej 28 për qind të eksportit për në Gjermani”, ka theksuar Hasani duke iu referuar të dhënave nga publikimi i fundit i Komitetit Lindor të Ekonomisë Gjermane.

“OEGJK-ja përmes këshillimit për eksport, trajnimeve dhe aktiviteteve konkrete me asociacionet e saj partnere në Gjermani mbështetë në mënyrë të vazhdueshme kompanitë kosovare që kanë synim tregun gjerman”, ka shpjeguar Hasani.

Gjatë vitit 2017, OEGJK-ja ka trajnuar 374 përfaqësues të ndërmarrjeve anëtare dhe joanëtare përmes “Kurseve të promovimit të eksportit” në: procedura të eksportit, procedura për standardizim dhe certifikim, menaxhim, qeverisjen e korporatave, përgatitje për takime biznes me biznes dhe marketing.

Për shkak të kërkesës së madhe, këto trajnime vazhdojnë të ofrohen edhe në vitin 2018 dhe mbështeten nga Qeveria Gjermane përmes Bashkëpunimit Ndërkombëtar Gjerman, në kuadër të projektit “Krijimi i punësimit përmes promovimit të eksportit”.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar nënë e tij…