Rritet ndjeshëm numri i ndërhyrjeve kirurgjikale në Klinikën e Ortopedisë

16 maj 2025 | 14:09

Klinika e Ortopedisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka me dije se gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 është shënuar rritje e ndjeshme e numrit të ndërhyrjeve kirurgjikale-protezave të realizuara.

Gjatë kësaj periudhe kohore janë kryer gjithsej 124 ndërhyrje ortopedike-proteza, nga lista e pritjes, krahasuar me vetëm 52 operacione të realizuara në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

“Kjo rritje përfaqëson një sukses të dukshëm në angazhimin dhe performancën e stafit të Klinikës. Mirënjohje për stafin, të cilët me përkushtim e profesionalizëm po e përballojnë volumin në rritje të punës, në shërbim të pacientëve nga e gjithë Kosova”, është thënë në njoftimin e ShSKUK-së.

Përkundër rritjes së numrit të operacioneve, ShSKUK-ja ka theksuar se akoma ekziston lista e pritjes, por po punohet për t’u rritur edhe më tutje vëllimin e punës, por si klinika e vetme terciare në vend, Klinika e Ortopedisë mbetet e mbingarkuar me raste.

“Aktualisht, klinika është e furnizuar në mënyrë të mjaftueshme me proteza, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit të shërbimeve.  Po ashtu, gjatë këtij viti pritet që ShSKUK, për herë të parë të furnizojë me proteza spitalet e përgjithshme në vend, që do të kontribuojë në shpërndarjen më të drejtë të ngarkesës dhe shkurtimin e listave të pritjes. Klinika e Ortopedisë mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve të avancuara dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë pacientët që kanë nevojë për trajtim ortopedik në Republikën e Kosovës”, ka njoftuar ShSKUK-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në fjalën e tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian,…