Rron Bexheti nga Kosova fiton vendin e parë në arkitekturë në një projekt ndërkombëtar
Se shqiptarët po tregojnë suksese në sport dhe në shumë fusha të tjera kjo po vërtetohet çdo ditë.
Kësaj herë 25-vjeçari nga Gjilani, Rron Bexheti, i cili që dy vite jeton në Suedi dhe ka përfunduar vitin e parë të nivelit master në Arkitekturë në Universitetin e Lundit, tash së fundi ka marrë pjesë së bashku me dy kolege (Karin dhe Lisa) në garën ndërkombëtare për arkitekturë me projektin “Bashkëpunimi kolektiv i Romës”, transmeton “Epoka e re”.
Në këtë garë ndërkombëtare ku kanë marrë pjesë studentë nga e gjithë bota, Rron Bexheti ka zënë vendin e parë.
Rroni dhe dy koleget e tij, Karin dhe Lisa, kanë treguar se ky është bashkëpunimi i tyre i parë si ekip në këtë garë ndërkombëtare të arkitekturës.
Ata kanë theksuar se interesi i përbashkët si ekip ka qenë të dalin fitues në këtë projekt dhe ia kanë arritur qëllimit.
Në intervistën e dhënë pas marrjes së çmimit të parë, të tre studentët kanë theksuar se pjesëmarrja në një garë të llojit tillë ishte e një rëndësie të veçantë.

Rroni ka inkurajuar të gjithë të rinjtë shqiptarë që të marrin pjesë në gara ndërkombëtare dhe ta tregojnë suksesin e tyre, pasi sipas tij kjo është mënyra më e bukur për ta zhvilluar profesionin si arkitekt, duke mësuar nga projektet dhe nga bashkëpunimi ekipor mes njëri-tjetrit.
Rron Bexheti studimet bachelor i ka përfunduar në Beykent University në Stamboll.
/Epoka e re/



