Rudina Hajdari: Opozita e re nuk do t’i bojkotojë zgjedhje

18 prill 11:43

Rudina Hajdari, nga sot do të jetë kryetarja e grupit të pavarur parlamentar të Partisë Demokratike në Kuvend, dhe nga Kuvendi ajo ka bërë një apel të fortë për ta, por edhe për gjithë demokratët shqiptarë.

Ajo ka thënë se opozita e re nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet e qershorit, ndërsa shtoi se kërkesa e grupit që ajo përfaqëson është ulja dhe gjetja e një zgjidhje për ndryshimin e sistemit, me qëllim që përfaqësimi të vijë nga populli.

“Ky grup ka bindjen e fortë se do dalë kundra ndryshimeve kushtetuese të bëra në 2008 që sollën degradimin e sistemit zgjedhor. Jemi të hapur për të gjetur sistemin më të përshtatshëm. Kjo është kauza jonë e vetme dhe më e rëndësishmja. Ne jemi për përfaqësim nga populli. Ne nuk duam në asnjë mënyrë t’i bojkotojmë zgjedhjet e qershorit.

Koha nuk është në favorin tonë. Ftoj gjithashtu që të mos bojkotohen zgjedhjet. Ne nuk mund të luajmë jashtë rregullave të lojës politike dhe të qëndrojmë brenda kushtetutës. Ftoj çdo lloj demokrat që të na përkrahë. Po përgatitemi dhe do marrim çdo lloj mase të mundshme për të shpalosur një alternativë tonën. Të na përkrahin demokratët që të ndryshojmë sistemin, të hapim rrugën për një garë reale, në këtë parlament, t’i japim fund këtij sistemi që e ka kalbur demokracinë në këtë vend”, ka thënë ajo, transmeton “TCh”.

Lajme të sponsorizuara