Rugova: Istogu shkon në Vushtrri për fitore

27 shkurt 2020 | 17:51

Istogu, Ferizaj, Prishtina e Vushtrria vlerësohet se do të luftojnë për titull të kampionit në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat). Gara këtë edicion është shumë e fortë, ndërsa të gjitha këto katër skuadra kanë gjasa. Vendimtare mund të jenë përballjet në mes të katërshes së madhe.

Derbi i parë i stinorit pranveror do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 17:30 në palestrën “Jeton Tërstena – Tota” në Vushtrri, në kuadër të javës së 12-të. Do të takohen Vushtrria e Istogu, të cilat në edicionin e kaluar garuan për trofe.

Edhe këtë edicion Vushtrria e Istogu kanë pretendimet e tyre. Kampioni aktual, Istogu, është i pari në tabelë me 20 pikë, ndërsa Vushtrria është e katërta me 16 pikë, por ka një ndeshje më pak të luajtur. Vushtrria llogarit në përkrahjen e shikuesve, por istogaset udhëtojnë për fitore. Këtë e ka thënë kapitenia e skuadrës, Albina Rugova. “Istogu është i gatshëm të paraqitet në këtë ndeshje. Jemi përgatitur shumë mirë, kemi pasur një fazë përgatitore të suksesshme dhe kohë të mjaftueshme. Fatmirësisht, të gjitha lojtaret janë të gatshme”, ka thënë Albina Rugova. “Istogu udhëton për fitore. Me angazhim maksimal shpresoj se do t’ia arrijmë qëllimit. Pres garë të fortë deri në fund të kampionatit. Secila skuadër do të mundohet t’i shfrytëzojë shanset e veta. Kjo e bën garën për titull më interesante dhe më konkurruese. Vushtrria është një nga tri rivalët tona”, ka deklaruar Rugova. Ajo thotë se Istogu ka skuadër më të përgatitur se në vjeshtë dhe se loja e skuadrës është më kolektive dhe kompakte. Në kuadër të xhiros së tretë Istogu kishte fituar si vendës ndaj Vushtrrisë me rezultat 33:24. Forca e Istogut dhe e Vushtrrisë në pjesën e dytë të kampionatit do të dëshmohet në derbin e së shtunës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sonte në orën 18:30 do…