Rukiqi: Me formimin e qeverisë do të përfshihen edhe institucionet në digjitalizim

20 dhjetor 2019 | 13:40

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka mbajtur të premten konferencë për medie, në të cilën ka prezantuar raportin “Transformimi digjital i NVM-ve në Kosovë – sfidat dhe mundësitë”.

Ky raport është i pari i këtij lloji që analizon gjendjen në sektorin e prodhimit, sektorin e shërbimeve, sektorin e bujqësisë dhe shfaq sfidat që hasin bizneset gjatë digjitalizimit.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, ka deklaruar se digjitalizimi është çështje e domosdoshme për të qenë pjesë e pakos transformuese të ekonomisë së vendit.

Sipas tij, ky projekt duhet të jetë më afatgjatë. “Ky projekt ka rëndësi se po bëhet me qeverinë gjermane. Ne po hyjmë jashtë asaj tradicionales në një fushë krejt të re dhe që është pjesa e digjitalizimit që nënkupton mendësinë e të bërit biznes. Kjo është çështje e domosdoshme”, është shprehur ai.

Rukiqi ka deklaruar se në pjesën e parë të vitit të ardhshëm do të formohet qendra për transformim digjital e cila do të veprojë me kapacitet të plotë. “Ne këtë proces e kemi dizajnuar në disa faza dhe pas kësaj në pjesën e parë të vitit të ardhshëm do të formohet qendra për transformim digjital dhe do të veprojë me kapacitet të plotë. Pjesë e punës do të jetë edhe pjesa e informimit te kompanitë”, ka thënë Rukiqi.

Sipas tij, me formimin e qeverisë do të përfshihen edhe institucionet në digjitalizim. “Në momentin që do ta kemi qeverinë e re do të jetë përfshirja e institucioneve në digjitalizim”, ka thënë ai.

Eksperti për digjitalizim, Gerd Meier zu Koecker, ka thënë se transformimi digjital i sjell dobi ekonomisë për të konkurruar me vendet e tjera. “Është e nevojshme që digjitalizimi të fillojë, sepse transformimi digjital i sjell dobi ekonomisë”, ka theksuar ai.

Ai më tutje ka thënë se një nga të gjeturat e këtij raporti është se disa kompani po luftojnë për t’i plotësuar nevojat dhe kërkesat e klientëve. “Digjitalizimi mund të arrijë që ata të bëjnë punë më të mirë”, ka thënë ai.

Eksperti vendor për digjitalizim, Dren Selimi, ka pohuar se kompanitë e kanë të domosdoshme të investojnë në promovimin e digjitalizimit. “Njëra prej kompanive rreth sukseseve të tyre në digjitalizim ka qenë fabrika e gypave në Gjakovë ‘Inova’. Pra, është një plus në treg që të rritet shpejtësia e infrastrukturës së internetit”, ka deklaruar Selimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bylbyl Sokoli vazhdon me veprime të çuditshme. “Profa” në skuadrën…