Rusët plagosin kameramanin e DW-së në Ukrainë

23 korrik 2023 | 09:40

Një ushtar ukrainas u vra dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm të Rusisë, si pasojë e të cilit të shtunën, u plagos një kameraman i Deutsche Welles. Sulmi me bomba thërrmuese kishte vënë në shënjestër terrenin e stërvitjes së ushtrisë ukrainase në Donbas, rreth 23 kilometra larg vijës së frontit.

Ievgen Shylko ishte pjesë e një ekipi të dërguar për të raportuar nga terreni i stërvitjes pranë qytetit Druzhkivka që ra nën zjarrin e artilerisë ruse.

“Ne po filmonim ushtrinë ukrainase gjatë stërvitjes kur papritmas dëgjuam disa shpërthime,” tha korrespondenti Mathias Boelinger. “U shtrimë për tokë, më shumë shpërthime pasuan, pamë njerëz të plagosur,” shtoi ai.

Shylko u plagos kur e goditi një cifël granate. Ai po trajtohet në një spital ukrainas dhe është në gjendje të qëndrueshme.

“Më vonë, ushtria ukrainase konfirmoi se na kishin qëlluar me municione”, tha Boelinger, i cili vetë kishte shpëtuar nga sulmi pa u dëmtuar.

“Jam shumë i lehtësuar që jeta e Ievgen Shylkos nuk është në rrezik dhe i uroj shërim të shpejtë”, tha Drejtori i Përgjithshëm i DW-së, Peter Limbourg.
Sipas shifrave të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, të paktën 15 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë në Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt 2022.

“Gazetarët rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë për të raportuar mbi agresionin rus – ata meritojnë respektin dhe falënderimet e mia më të mëdha. Pavarësisht të gjitha masave paraprake të sigurisë të marra dhe distancës nga fronti rus, puna e kolegëve tanë në zonën e luftës mbetet e rrezikshme”, shtoi Limbourg.

Çfarë janë bombat thërrmuese?

Bombat thërrmuese mund të hidhen nga aeroplanët ose të shkrepen nga tanket, armët e artilerisë dhe raketahedhësit. Ato përmbajnë qindra bombëza të vogla, që bien pa dallim në zona të gjera duke filluar nga disa fusha futbolli deri në disa hektarë tokë.

Ato janë të ndaluara nga më shumë se 100 shtete për shkak të rrezikut të madh që përbëjnë për civilët, por përdoren nga të dyja palët në luftën Rusi-Ukrainë. /DW

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nustricionistja Diola Dosti ka folur për efektet e mira që…