Rusia nxjerr tanket në Sheshin e Kuq

09 maj 2021 | 20:14

Në Rusi u festua të dielën “Dita e Fitores”, dita kur forcat ruse mposhtën ato gjermane dhe nazizmin në Evropë. Presidenti Putin tha se rusët janë krenarë për atë që arritën, ndërsa qortoi Perëndimin për “rusofobinë”.

Rusia shënoi me një paradë ushtarake 76-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste, që i dha fund edhe Luftës së Dytë Botërore në Evropë.

Parada filloi me parakalimin e këmbësorisë që mbante flamurin rus dhe atë të fitores, të njëjtën banderolë që forcat ruse valëvitën në maj të 1945-s mbi parlamentin gjerman, Rajshtagun.

Presidenti Vladimir Putin, veteranë lufte dhe të ftuar, ndoqën paradën e mbi 12 mijë trupave, 190 mjeteve dhe 76 avionëve e helikopterëve.

Nga Sheshi i Kuq i Moskës, kreu i shtetit denoncoi atë që ai e quajti “rusofobi” dhe tha se vendi do t’i mbrojë me vendosmëri interesat e veta në frymën e të drejtës ndërkombëtare.

“Historia na kërkon të nxjerrim konkluzione dhe mësime nga e shkuara. Populli sovjetik e mbajti fjalën e shenjtë: atëherë mbrojti atdheun dhe çliroi Evropën nga murtaja e zezë. Fatkeqësisht, shumica e ideologjisë së nazistëve, e atyre që u fiksuan pas teorisë delirante të epërsisë, po tentohet të vihet sërish në praktikë”.

Paradat për Ditën e Fitores janë kthyer në ngjarje të përvitshme pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 dhe shërbejnë për ta treguar edhe fuqinë ushtarake të Rusisë.

Vendi po përjeton raporte të tensionuara me Perëndimin për sa i përket konfliktit në Ukrainë dhe disa skandale spiunazhi në Evropë.

Përvjetori i sivjetmë ishte i dyti i mbajtur në kushtet e pandemisë së koronavirusit.

Rusia ka hequr thuajse çdo masë kufizuese për parandalimin e sëmundjes infektive, por shumica e rajoneve i ndalojnë grumbullimet masive të njerëzve për ta evituar përhapjen e infeksionit që ka vrarë deri tani mbi 110 mijë rusë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Gjermani një dispozitë hyri në fuqi të dielën, sipas…