Sahiti zbulon objektivin e Kosovës: Së paku katër pikë në dy ndeshjet e fundit për ta siguruar vendin e dytë
Drejtori i Kombëtares së Kosovës në futboll, Muharrem Sahiti, ka thënë se objektivi i Dardanëve në dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve është të grumbullojnë së paku katër pikë, në mënyrë që ta sigurojnë pozitën e dytë në Grupin B3.
Në një intervistë për “Kosovapress”, para ndeshjes të së shtunës kundër Izraelit, Sahiti ka vlerësuar atmosferën në kampin e Kosovës, duke thënë se futbollistët dhe stafi teknik janë duke punuar me përkushtim për këto dy përballje vendimtare.
“Atmosfera jashtëzakonisht e mirë, djemtë janë duke punuar mirë, stafi është jashtëzakonisht i përkushtuar për të përgatitur futbollistë për këto dy ndeshje shumë të rëndësishme. E para është me Izraelin, një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme për ne, jo vetëm për të siguruar mbetjen në Ligën B, por edhe për pretendimet që së paku të jemi në vendin e dytë e që ajo vendi i dytë na mundëson edhe të jemi në vazon 2 për shortin e kualifikimeve. Kështu që është atmosfera e mirë, djemtë janë me plot energji, kështu që të presim. Sidoqoftë, planifikimet tona janë edhe të stafit që së paku në këto dy ndeshje minimum të kemi katër pikë për të siguruar vendin e dytë së paku. Kështu që, po pretendojmë se do t’ia dalim”, është shprehur Sahiti.
Një çështje tjetër e diskutuar është mundësia që futbollistët e rinj, të ftuar për herë të parë nga selektori Franco Foda, të debutojnë në këto dy ndeshje. Sahiti ka thënë se vendimi për minutazhin dhe aktivizimin e tyre i takon vetëm selektorit dhe stafit të tij.
“Ata askush nuk mund ta dijë përveç selektorit me stafin, të cilët po u japin mundësi jashtëzakonisht shumë futbollistëve të rinj, që ne jemi shumë falënderues, ngase vërtet janë duke e bërë një punë të mrekullueshme. Kështu që të presim, është në dorën e tyre edhe ata e vlerësojnë se kur dhe si mund t’i japin hapësirë. Ardhja e tyre është diçka e madhe edhe për ne, edhe për vetë futbollistët, e sa i përket minutazhit vendos selektori”, ka theksuar Sahiti.
Sa i përket gjendjes së repartit defensiv, drejtori i Kombëtares ka pranuar se Kosova përballet me mungesa të rëndësishme, por ka shprehur besimin se stafi teknik do të gjejë zgjidhjet e duhura. Ai ka veçuar edhe rikthimin e Kreshnik Hajrizit dhe ardhjen e Kamberit si alternativa për mbrojtjen.
“Po, sigurisht tash është hall i të gjithëve, i të gjithë atyre mungesave që i kemi, e në fakt kemi mungesa në mbrojtje. Por, nga dita e parë, stafi është duke punuar në drejtim se si t’i bëjë zgjedhjet më të mira, edhe po besoj që ata do ta bëjnë zgjedhjen më të mirë. Kthimi i Kreshnik Hajrizit është jashtëzakonisht i mirë, ngase edhe ai ka vuajtur prej një lëndimi, por ja tani është pjesë e kombëtares. Ardhja e Kamberit, kemi mbrojtës të tjerë të cilët selektori do t’i vendosë. Edhe si zakonisht edhe përkundër asaj që kemi pasur edhe në të kaluarën mungesa, por që ia ka dalë të bëjë zëvendësimet e duhura, po shpresojmë që edhe për këto ndeshje të gjejë zëvendësimet për t’i zëvendësuar edhe për këtë detyrë në mënyrën sa më të mirë të mundshme”, ka deklaruar Sahiti.
Sahiti është ndalur edhe te situata e Edon Zhegrovës te Juventusi, duke vlerësuar se futbollistit kosovar nuk po i jepet hapësira e merituar në klubin italian. Ai ka shprehur bindjen se Zhegrova mund të japë kontribut të rëndësishëm për Dardanët në dy ndeshjet e ardhshme.
“Të tjerët janë jashtëzakonisht në formë, edhe nëpër klube, nuk kemi çfarë flasim për Vedatin, pos aspekteve sportive është edhe një kapiten, një lider i cili di të menaxhojë situatën me gjithë futbollistët, qoftë në fushë, qoftë jashtë fushës. E për Edonin (Zhegrovën), po e shohim edhe ne që kemi vlerësuar, për mendimin tim është një padrejtësi që është duke u bërë në klub. Kur aktivizohet ai bën një ndryshim, një diferencë në skuadër, prandaj po shpresoj që edhe kontributi i tyre do të jetë i madh në këto dy ndeshje”, ka thënë në fund Sahiti.
Kosova do të përballet me Izraelin të shtunën, në kuadër të xhiros së pestë të Ligës së Kombeve, ndërsa ndeshjen e fundit të këtij edicioni do ta zhvillojë kundër Irlandës. Objektivi i Dardanëve është të përfundojnë sa më lart në grup, me pozitën e dytë që do t’u mundësonte të ishin në vazon e dytë për shortin e kualifikimeve të ardhshme.



