Salih Mustafa sot para Gjykatës Speciale

28 shtator 2020 | 08:31

Nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës gjatë vitit 1999, ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, do të dalë për herë të parë para gjykatës së Dhomave të Specializuara, të hënën (sot), më 28 shtator në orën 15:00.

Mustafa u arrestua më 24 shtator pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës, raporton “Rel”.

Siç njoftuan Dhomat e Specializuara, seanca e parë gjyqësore ndaj Salih Mustafës do të jetë e hapur për publikun dhe mund të ndiqet përmes video-linkut.

Arrestimi i Mustafës ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar që njihen edhe si Gjykata Speciale në vitin 2015.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga një aheng familjar në Bielefeld të Gjermanisë janë infektuar…