Sapo të furnizohemi me miell i kthejmë masat e mëparshme për tregtarët

01 prill 2020 | 08:18

Qeveria në detyrë e Kosovës me shumicë të votave ka marrë vendim për zbatimin gradual të reciprocitetit ndaj Serbisë, si zëvendësim për heqjen e taksës. Me këtë vendim synohet që një mall i Serbisë që importohet në Kosovë atij t’i shkruajë Republika e Kosovës.

Kështu tha ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, e cila bëri me dije se ky është vendimi i parë për reciprocitet dhe se është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin e Kosovës.

Por, a votuan për edhe ministrat nga LDK-ja në mbledhjen online të qeverisë?

“Kryeministri ka diskutuar me ministrat para se ta hedhë në votim. Propozim-vendimi ka marrë shumicën e votave. 10 deri 11 kanë votuar për.

Vendimi është për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë. Bëhet fjalë për certifikatat fito-sanitare dhe dokumentacionin shoqërues për produktet ushqimore dhe joushqimore me prejardhje bimore dhe joshtazore që duhet t’i nënshtrohen kontrollit fito-sanitar në kufi dhe masa e dytë është për certifikatën veterinare dhe dokumentacionit shoqërues për produktet ushqimore dhe joushqimore me prejardhje shtazore që i nënshtrohen kontrollit në kufi”, ka treguar Hajdari.

Ministrja Hajdari në Klan Kosova tha se kompanitë kosovare janë përballur me shumë barriera ekonomike me Serbinë. “Pengesa e parë, për shembull, janë kërkesat për etiketim nga ana e Serbisë për autoritetet e Kosovës që nuk janë në përputhje me formatin në mes të marrëveshjes dypalëshe mes Serbisë dhe Kosovës në ndërmjetësimin e BE-së. Produktet bujqësore me origjinë nga Kosova nuk lejohen të eksportohen për shkak të etiketës që tregon se është prodhuar në Kosovë. E dyta, mjaft shpesh nuk njihen certifikatat fito-sanitare dhe veterinare të lëshuara nga Kosova.

Konkretisht është synuar që çdo dokumentacion shoqërues të ketë emërimin në përputhje me kushtetutën e Kosovës”, ka bërë me dije ajo.

Hajdari ka folur edhe për lehtësimet që ua kanë bërë tregtarëve të miellit, e që është kundërshtuar nga prodhuesit vendorë të miellit. “Kemi biseduar edhe me Shoqatën e Mullistëve dhe me tregtarët që në një mënyrë të mundshme ta sjellin miellin e munguar. Si qeveri jemi në favor të prodhuesve të Kosovës, por duke parë panikun e krijuar te qytetarët në këtë kohë, sepse mielli ka munguar, është dashur të marrim një masë lehtësuese”, ka thënë ajo.

Masa lehtësuese për heqjen prej 4 centësh e tregtarëve të miellit, Hajdari tha se do të hiqet shpejt dhe do të stabilizohet tregu. “Qëllimi është që të kemi një balancë. Shpresoj të kthehet më shpejt dhe kjo të ndodhë para një muaji. Si të marrim informata që kemi mbërritur furnizimin me miell në treg dhe kemi balancuar çmimin e miellit do t’i kthejmë masat që kemi pasur për tregtarët”, është shprehur Hajdari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas shkarkimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, Zyra…