Saraçini, EHF-së: Dënojmë sjelljet shoviniste dhe fashiste të tifozëve serbë

09 dhjetor 2022 | 16:21

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, i ka shkruar të premten letër Federatës Evropiane të Hendbollit dhe drejtuesve të saj. Përmes letrës, i pari i FHK-së, Saraçini, ka shprehur shqetësimin për thirrjet anti-shqiptare dhe anti-Kosovë si dhe për panot diskriminuese të shfaqura në ndeshjen e fundjavës së kaluar mes skuadrës sllovene, Gorenje Velenje dhe skuadrës serbe, Partizani i Beogradit. Kjo ndeshje u luajt në Slloveni, kurse kishte thirrje diskriminuese të tifozëve serbë e, po ashtu, u shfaq flamuri diskriminues i Serbisë mbi hartën e Kosovës.

Presidenti i FHK-së ka kërkuar nga EHF-ja që të merren të gjitha masat që raste të tilla mos të ketë në palestrat e tjera. Më poshtë e paraqesim letrën që presidenti Eugen Saraçini ua ka dërguar sot EHF-së dhe drejtuesve të këtij institucioni. “Të dashur miq të hendbollit, kemi marrë informacione se përsëri janë keqpërdorur rregulloret bazë të EHF-së. Në ndeshjen e hendbollit, Gorenje (Velenje) vs Partizan (Beograd), të luajtur në Velenje më 04.12.2022, janë dëgjuar thirrje kundër Kosovës nga grupi i tifozëve të Partizanit dhe këngë kundër shqiptarëve dhe Kosovës. Gjatë ndeshjes, në sallë u panë edhe flamujt e Serbisë me hartën e Kosovës në të cilët shkruhej ‘s’ka dorëzim’, që njihet si slogani i të ashtuquajturës ‘thirrje lufte’”, ka thënë Saraçini.

“Miq të dashur, edhe një herë strukturat politike serbe, përmes tifozëve të tyre në sallat e hendbollit, por edhe në sportet e tjera, po përpiqen në mënyrë agresive të sjellin atmosferën nacionaliste dhe të shfaqin sjellje shoviniste e fashiste mes adhuruesve të hendbollit dhe sporteve në përgjithësi. FHK-ja dënon ashpër një sjellje të tillë. I bëjmë thirrje të gjitha organeve përkatëse të EHF-së që të dënojnë dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme ndaj të gjithë protagonistëve në këtë ndeshje hendbolli në Velenje. Fatkeqësisht, duhet të dënojmë edhe sjelljen e delegatit të EHF-së i cili “nuk ka parë dhe nuk ka dëgjuar” asgjë nga kjo që ka ndodhur. Ky incident, siç raportohet ka ndodhur edhe në ndeshjen e hendbollit në Austri ndërmjet UHK Krems dhe Vojvodinës. Ky duhet të jetë sinjal i qartë që EHF-ja të marrë masa. Shpresojmë se ndërmarrja e hapave të duhur do të minimizojë incidentet e ardhshme dhe do të maksimizojë atmosferën reale sportive dhe terrenin e sigurt për të gjithë tifozët e respektuar të hendbollit në të gjithë Evropën”, ka shtuar Saraçini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milazim KRASNIQI Problemi i Kosovës nuk zgjidhet kurrë me përpjekje…