Schwabe: Kosova i ka plotësuar kushtet për anëtarësim, renditet para disa shteteve që tani janë anëtarë të Këshillit të Evropës

26 mars 2024 | 15:51

Frank Schwabe, deputeti gjerman social-demokrat, në një intervistë për “Deutsche Welle” ka deklaruar se Kosova i ka plotësuar kushtet për anëtarësim në Këshill të Evropës (KE), ndërsa ka shtuar se vendi është dukshëm më përpara në aspektin e demokracisë e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit sesa disa shtete të tjera që tani janë anëtarë të organizatës.

“Në këtë aspekt, do të thosha se Kosova në thelb i plotëson këto kushte. Por me vendimin që do të marrim do të ketë një listë të tërë, disa faqe, të obligimeve që Kosova duhet t’i përmbushë dhe t’i marrë”, ka thënë Schwabe, duke shprehur nevojën që Kosova të anëtarësohet në KE sa më shpejt për shkak të mundësisë së krijimit të rrethanave të reja gjeopolitike në botë.

Në prag të prezantimit të raportit para Komisionit të Çështjeve Politike dhe Demokracisë nga raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, deputeti gjerman është shprehur optimist se raporti që bën thirrje për anëtarësimin e Kosovës do të marrë votat e nevojshme në Asamblenë Parlamentare të KiE-së (APKE) që pritet të ndodhë të mërkurën (27 mars).

“Unë jam nga ata që mendoj se duhet të shikojmë vetëm situatën në Kosovë. Dhe kushtet për anëtarësim tani janë plotësuar. Jam shumë i sigurt se do të arrijmë një shumicë prej dy të tretash në nivel parlamentar dhe shpresoj që këtë do ta marrim edhe në nivel qeverie”, ka thënë ndër të tjera kryetari i delegacionit gjerman dhe i grupit më të madh parlamentar në APKE.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në KE në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për manastirin e Deçanit ishte bërë pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit të plotë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet panteoni i kombeve evropiane.

Do të duhen 2/3 e votave në APKE, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare, për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re e KE-së. Kjo, nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet të ndodhë gjatë samitit që pritet të mbahet në mes të majit në Islandë. Deri atëherë, shteti ka terren të madh për të mbuluar.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja U19 e Kosovës nuk ka arritur të bëj mrekullinë…